EUROPOL-i paralajmëron për eskalimin e terrorit në Evropë
11 Prill 2007"Një numër i madh organizatash të ndryshme terroriste veprojne në mënyrë aktive në Evropë", nënvizon pa ekuivoke raporti i EUROPOl-it mbi gjendjen dhe tendencat e terrorizmit. Shefi i autoritetit të policisë evropiane, Maks-Peter Ratzel paralajmëron për eskalimin e terrorizmit në evropë. Ai përmendi një shifër që në pamje të të parë të tremb: vitin e kaluar janë kryer apo janë planifikuar gati 500 akte të ndryshme terroriste në territorin evropian.
Shumica e akteve terroriste në Bashkimin Evropian janë kryer nga separatistë, 424 nga separatistët baskë apo korsikanë në Francë dhe Spanjë. Shumica e këtyre sulmeve kanë patur vetëm dëme materiale.
EUROPOL-i dallon në këtë pikë terrorizmin islamist. Sipas shefit Ratzel, ky lloj terrorizmi përbën rrezikun më të madh. Si në rastin e valixheve-bombë, të cilat u vunë në dy trena rajonalë gjermane, të cilat vetëm për shkak të një defekti teknik nuk shpërthyen, apo në rastin e sulmeve të përgatitura në linjat transatlantike të avionëve të zbuluara nga autoritetet britanike. Në të dyja rastet, terrorizmi islamist synon vdekjen në masë dhe dëmtimin e infrastrukturës së transportit në vendet e BE-së.
Si në këto raste ashtu edhe në terrorizmin e majtë apo të ekstremizmit të djathtë është mjaft e rëndësishme të kihet parasysh e gjithë Evropa. Kështu vitin e shkuar kanë qenë të prekura nga terrori i drejtpërdrejt apo i penguar 11 vende evropiane, ndërkohë që në territorin evropian janë arrestuar 704 të dyshuar për terrorizëm nga 15 vende evropiane: "Bëjmë gabim të përqëndrohemi vetëm tek një shtet anëtar. Sepse ne nuk e dimë me saktësi se në cilat vende anëtare të BE-së po kryhen plane përgatitore, ku po mblidhen paratë, ku po krijohet mbështetje në aspektin politik, apo një skenë simpatizuesish. Gjithashtu ne duhet të shkëmbejmë informacionet me qëllim që të gjithë të kenë njohuri mbi gjendjen, të kapin sinjalet në kohën e duhur."
Tanimë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që terrorizmi është një situatë që prek të gjithë Evropën. Vetëm po qe se janë të gatshëm të gjitha shtetet të shkëmbejnë informacione, mund të përcaktohen lidhjet dhe rrjetet e terrorizmit.
Drejtori i EUROPOL-it Ratzel kërkoi para parlamentit evropian në të njëjtën kohë që t'i përshtasë kompetencat e autoritetit policor situatës reale të kriminalitetit ndërkufitar në BE. Ai kërkoi gjithashtu që EUROPOL-it t'i jepet e drejta të veprojë kundër ofruesve të pornografisë për fëmijë, huliganëve dhe vrasësve serialë.
"Aktualisht mandati është i kufizuar vetëm tek kriminaliteti i organizuar, gjë që do të thotë që në secilin rast ne duhet që para dorëzimit të të dhënave të dokumentojmë lidhjet me strukturat lokale. Në aspektin e shpërndarjes së pornografisë për fëmijë në internet, vrasësve serialë, huliganëve, normalisht nuk janë të përfshira strukturat lokale, por pikërisht këtu bëjnë rezistencë shtetet anëtare."
Komisioni Evropian ndërkohë ka përgatitur paketën përkatëse për ta përshtatur mandatin e EUROPOL-it sfidave të terrorizmit. Edhe nga e presidencës gjermane të BE-së, e ka mbështetur këtë inisiativë para parlamentarëve të BE-së në emër të grupit të punës së EUROPOL-it, i përbërë nga shtetet anëtare të BE-së.