Falënderim Kajros - Armëpushimi po respektohet
22 Nëntor 2012
Rrugët në Gaza u mbushën shpejt pas bërjes publike të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Pamjet televizive tregonin rrjedhjen e trafikut, njerëz e makina u grumbulluan në një kryqëzim. Të shtëna gëzimi në ajër. Pak më parë kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu kishte deklaruar në Jeruzalem se se Izraeli ka rënë dakord për armëpushimin.
Më parë ai kishte telefonuar me Uashingtonin. "Në bisedën me presidentin amerikan, Barack Obama ishim të dy të një mendimi, se duhet t'i japim një shans uljes së armëve për të qetësuar situatën. Për t'iu mundësuar po ashtu qytetarëve të Izraelit edhe rikthimin në rutinën e përditshme."Që nga fillimi i ofensivës izraelite në Rripin i Gazës u vranë gjithsej më shumë se 150 palestinezë dhe pesë izraelitë, rreth një mijë njerëz u plagosën.
24 orët vendimtare
Armëpushimi është një ujdi por marrëveshje. Ajo parasheh që në orët e ardhshme armët duhet të heshtin. Në rast se të dyja palët e plotësojnë këtë kusht, atëherë 24 orë më vonë mund të fillojnë negociatat për kërkesat e Hamasit dhe Izraelit. Izraeli kërkon jo vetëm fundin e sulmeve që vijnë prej Gazës, por edhe mundësinë e kontrollimit të zonës palestineze. Hamasi kërkon që Izraeli të heqë dorë nga bllokada e Rripit të Gazës dhe të lejojë qarkullimin e lirë të mallrave dhe personave.
Armëpushimi është megjithatë fillimi. Ministrja e Jashtme amerikane, Hillary Clinton kishte ndihmuar shumë në ditët e fundit për arritjen e tij. Në fund ajo udhëtoi edhe në Kajro, ku u ra dakort për armëpushimin, megjithëse fillimisht shenjat nuk ishin të mira, pas sulmit terrorist në një autobuz në Tel Aviv të mërkurën.
SHBA dhe KS falënderojnë Egjiptin
Natën e së enjtes armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit ishte i qëndrueshëm. Presidenti amerikan, Barack Obama e falënderoi presidentin egjiptian, Mohamed Mursi për ndërmjetësimin e tij mes Izraelit dhe palës palestineze. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë ai veçoi aftësinë e tij ndërmjetësuese. Obama theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë me Uashingtonit dhe Kajros.
Edhe Këshilli i Sigurimit i OKB i ka bërë thirrje Izraelit dhe organizatës radikale islamike palestineze Hamas të respektojnë armëpushimin. Përmes një deklarate organi më i lartë u bënte apel të dyja palëve, që ta marrin seriozisht armëpushimin. Përveç kësaj Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare për t'i vënë në dispozicion popullit të Gazës "ndihma të tjera". Presidentin egjiptian Mohammed Mursi ky forum e lavdëroi për përpjekjet e tij për ndërmjetësim. Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për armëpushim pas një jave të bombardimeve të ndërsjella.