Filipine: rikthimi i dënimit me vdekje
17 Maj 2016Në fushatën e tij elektorale, Rodrigo Duterte u përqendrua para së gjithash në temën "siguria e brendshme". Brenda gjashtë muajsh ai do t'i çlirojë Filipinet nga drogat, kriminaliteti dhe korrupsioni, kjo është deklarata ambicioze që bëri ai në nëntë maj, para zgjedhjeve presidenciale.
Duterte e fitoi garën dhe në deklaratën e tij të parë për mediat, pas fitores në zgjedhje, ai deklaroi se cilat hapa janë planifikuar pas ceremonisë së marrjes së postit në 30 qershor. Kështu, 71 vjeçari dëshiron të fusë sërish dënimin me vdekje. Veç kësaj, policët do të lejohet që t'i vrasin në mënyrë të qëllimshme kriminelët e rrezikshëm.
Duterte synon me këto hapa që të gjithë të respektojnë ligjin, në mënyrë që të mos krijohet "kaos". Për ta arritur këtë objektiv, fituesi i zgjedhjeve do të kufizojë edhe liritë qytetare. Kështu, natën do të ndalohet konsumi i alkoolit në sheshe publike dhe do të ndalohet pirja e duhanit në hotele dhe në restorante.
Ultimatum për Abu Sayyaf-in
Grupit mysliman të kryengritësve Abu Sayyaf, që vepron para së gjithash në jug të Filipineve, Duterte u vendosi një ultimatum. Terroristët duhet t'i lirojnë të gjitha pengjet dhe të dorëzohen, tha Duterte. Përndryshe ata do të përballen me pasoja. Grupe ekstremiste si Abu Sayyaf luftojnë prej dekadash për më shumë autonomi. Ato e terrorizojnë popullatën me atentate dhe i financojnë aktivitetet e tyre duke kërkuar shpërblesa për të liruar pengjet. Së fundi në prill ata i prenë kokën një pengu kanadez.
Për momentin, në duart e ekstremistëve ndodhen edhe dy burra të tjerë: kanadezi Robert Hall dhe norvegjezi Kjartan Sekkingstad. Në një video të publikuar së fundi, rrëmbyesit kërcënojnë se do ta vrasin njërin nga pengjet, po të mos paguhet deri në 13 qershor shuma e parave që kërkojnë.