Fillojnë konsultimet Gjermani-Kinë
20 Qershor 2023Në fillim të konsultimeve ndërqeveritare mes Gjermanisë dhe Kinës, kancelari gjerman Olaf Scholz ka pritur homologun e tij kinez Li Qiang me nderimet më të larta shtetërore dhe me ceremoni ushtarake. Në këto konsultime ndërqeveritare, që mbahen nën moton, "Së bashku për një qëndrueshmëri më të gjatë" do të marrin pjesë rreth 20 ministra dhe ministre.
Temat kryesore
Tema kryesore e konsultimeve është lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe ristrukturimi i ekonomisë. Por një vëmendje e madhe do t'i kushtohet edhe marrëdhënieve tregtare mes Gjermanisë dhe Kinës, si dhe agresionit të Rusisë në Ukrainë, ku Kina ka një pozicion ndryshe nga vendet perëndimore si Gjermania, SHBA dhe vendet e tjera. Kina nuk e ka dënuar hapur kurrë agresionin e Rusisë në Ukrainë.
Qeveria gjermane organizon rregullisht konsultime qeveritare me partnerë veçanërisht të ngushtë ose vende që janë ekonomikisht të rëndësishme dhe strategjike. Qeveria ka mbajtur së fundi konsultime me qeveritë e Spanjës, Holandës, Japonisë dhe Indisë.
Dallimet me Kinën
Por konsultimet me Kinën janë edhe më të rëndësishme, për shkak të varësive ekonomike dhe qëndrimeve të ndryshme për disa çështje shumë të rëndësishme. Janë këto takimet e para me prezencë fizike mes qeveritarëve, që nga viti 2018, sepse konsultimet në kohën e pandemisë janë mbajtur përmes video lidhjeve. Në vitet e fundit marrëdhëniet janë ftohur dukshëm. Një prej shkaqeve të rëndësishme është dhe trajtimi i pakicave kombëtare në Kinë si dhe aspiratat e Kinës për t'u bërë një fuqi e madhe në rajonin Indo-Paqësor - duke përfshirë kërcënimet me pushtimin e Tajvanit, që në Berlin ka shkaktuar shqetësime të mëdha.
Ndërsa ndërhyrja brutale dhe agresioni i Rusisë në Ukrainë ka rezultuar me rritjen e kërkesave në Gjermani që ky vend të ulë varësinë ekonomike edhe nga Kina, e cila akoma është partneri më i rëndësishm tregtar i Gjermanisë.