Franca u ofron azil të krishterëve irakianë
29 Korrik 2014Në një deklaratë të përbashkët Ministri i Jashtëm i Francës Laurent Fabius dhe ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve kanë dënuar "në mënyrën më të ashpër" sulmet ndaj të krishterëve nga terroristët e "Shtetit Islamik në Irak dhe Siri" (ISIS). Qeveria franceze ka ofruar ndihmë humanitare dhe në ditët e ardhshme do të këmbëngulë fort për mbrojtje ndërkombëtare për të krishterët. "Ne i ndihmojmë të zhvendosurit, që ikin nga kërcënimi e 'shtetit islamik' dhe kanë kërkuar strehim në Kurdistan", deklaruan ministrat në Paris. Pranimi i të krishterëve irakianë në Francë duhet të "inkurajohet".
Situatën e të krishterëve në Irak Fabius dhe Cazeneuve e cilësuan dramatike. Ultimatumi i kaluar i ISIS kundër të krishterëve në Mosul është edhe një shembull i ri i kërcënimit të tmerrshëm të grupeve xhihadiste në Irak, theksuan ministrat. Në Francë kohët e fundit është shtuar presioni mbi qeverinë për të ndihmuar të krishterët në Irak.
Eksod pas gati 2000 vjetësh
Ekstremistët e grupit sunit terrorist ISIS, që vetëquhen ndërkohë "shtet islamik", pas pushtimit të Mosulit në qershor filluan me shkatërrimin e kishave të krishtera dhe pasurive kulturore dhe u bënë thirrje ultimative të krishterëve, që ose të konvertohen në islam, ose të largohen nga qyteti. Përndryshe për to nuk do të ketë "asgjë tjetër përveë shpatës". Para skadimit të ultimatumit para një jave të 3000 krishterët e fundit u larguan nga qyteti i dytë i madh i Irakut, ku deri atëherë ndodhej një nga komunitetet më të vjetra të krishtera të botës. Shumica ikën në rajonin autonom kurd në veri, një pjesë në vende të tjera të Irakut, ku vazhdojnë të jenë bashkësitë e krishtera.
Dëbimi i të krishterëve ka shkaktuar indinjatë ndërkombëtare. Këshilli i Sigurimit të OKB-së e dënoi dëbimin e të krishterëve dhe të pakicave të tjera nga veriu i Irakut si krim kundër njerëzimit. Kryeministri irakian Nuri al-Maliki u premtoi të krishterëve irakianë mbështetje. Qeveria nuk lejon që të krishterët dhe pakicat e tjera të bien pre e ekstremistëve. Por pyetja mbetet se cila do të jetë ndihma e Malikit. Milicët e ISIS kanë pushtuar në fillim të qershorit me ndihmën e grupeve të tjera militante xhihadiste disa provinca në veri dhe perëndim të Irakut duke shpallur atje një Kalifat. Qeveria e shiitit Maliki nuk ka më kontroll në këto territore.
Para intervenimit ushtarak të SHBA-së në vitin 2003 në Irak jetonin rreth 1,2 milionë të krishterë, rreth 60.000 prej tyre në rajonin e Mossulit. Ndërkohë deri dy të tretat e të krishterëve duhet të jenë larguar nga vendi.