Gazi i Qipros dhe SHBA
7 Maj 2019Një thesar fle nën shtratin e deteve të Qipros. E ky mund të ndryshonte hartën gjeopolitike. Fjala është për disa depozita të mëdha gazi në Mesdheun lindor. Qysh në fillim të vitit, gjeologët e gjigantëve energjetikë, Exxon Mobil dhe Qatar Petroleum, kishin gjetur një rezervuar të madh pranë Qipros. Në territorin e ishullit ishte tashmë fusha e tretë me gaz. Edhe në afërsi të Israelit dhe Egjiptit ka depozita të karburantit të lakmuar. Mesdheu Lindor mund të kthehej në një burim kryesor për tregun ndërkombëtar të energjisë, duke zhvendosur peshën dhe ndikimin e pushteteve në rajon.
Kjo nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së diplomatëve amerikanë. Ata shohin aty një mënyrë për ta zmbrapsur ndikimin e Rusisë - në tregun botëror të energjisë dhe në Mesdheun lindor. Nga Uashingtoni vijnë sinjale në mbështetje të bashkëpunimit ndërmjet Izraelit dhe anëtarëve të BE-së, Qiproja dhe Greqia.
Kohët e fundit Shtetet e Bashkuara e kishin lënë ca pas dore rajonin. Nëse Rusia, kishte mundur ta forconte pozitën e saj në brigjet e Qipros, kjo kishte të bënte edhe me mungesën e angazhimit të qeverisë amerikane. Tani, depozitat në Mesdheun Lindor mund të shërbejnë si një levë për të ndryshuar kahun. Sepse gazi i atjeshëm nuk do të furnizonte vetëm rajonin, ai mund të furnizonte edhe Evropën, e cila deri tani vazhdon të jetë e varur nga importet ruse.
Këtë do ta bëjë të mundur gazsjellësi në planifikim "East Med", i cili është paraparë ta derdhë gazin nga Egjipti, Izraeli dhe Qiproja në rrjetin evropian nëpërmjet Greqisë dhe Italisë . "Nga perspektiva e SHBA, Greqia dhe së bashku me të edhe Qiproja si edhe Izraeli janë partnerë të rëndësishëm, kur është fjala për të konsoliduar pozicionin e Shteteve të Bashkuara në Mesdheun lindor," thotë eksperti qipriot, Harry Tzimitras, nga "Peace Research Institute Oslo" (PRIO).
Marrëdhënie të prishura SHBA-Turqi
Në mars, Sekretari Amerikan i Shtetit për çështje të jashtme, Mike Pompeo, u takua me udhëheqjet izraelite, greke dhe qipriote për të diskutuar mbi zhvillimin rajonal dhe iniciativat e përbashkëta në fushën e energjisë dhe të sigurisë dhe për të dërguar një sinjal mbështetës. Në prill, senatorët amerikanë, Bob Menendez dhe Marco Rubio, iniciuan edhe një dekret për të hequr embargon shumevjeçare të armëve amerikane ndaj Qipros. Përveç kësaj, u lancua një nismë për të nxitur bashkëpunimin në sektorin e energjisë midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit, Greqisë dhe Qipros.
Ndërsa Turqia mbeti jashtë. Marrëdhëniet ndërmjet qeverive në Ankara dhe Uashington janë të ndera që prej një kohe të gjatë, edhe që kur Turqia nisi të negocionte për blerjen e një sistemi raketor rus, S400. Nga pikëpamja amerikane, kjo përbën një kërcënim për aftësinë e mbrojtjes së NATO-s. Turqia është prej 67 vjetësh anëtare e NATO-s.
Mos përfshirja në planifikimin e gazsjellësit ka shkaktuar pakënaqësi në Ankara, e cila e sheh veten kështu të izoluar nga burimet potenciale të energjisë dhe impulset ekonomike përkatëse. Kjo prishje në marrëdhëniet amerikano-turke ka ndikim edhe mbi procesin e integrimit evropian - sepse Qiproja është ende e ndarë në një pjesë jugore, që është anëtare e BE-së dhe në një veriore, e cila që nga viti 1974 është e pushtuar nga trupat turke.
Izolimi i Turqisë në çështjen e gazit mund të ketë pasoja në përpjekjet për ribashkimin e ishullit, thotë Nijazi Kizilyürek nga Universitetii Qipros në Nikosia dhe aktualisht kandidat i Partisë opozitare të krahut të majtë AKEL në zgjedhjet evropiane. "Mënyra se si Izraeli bashkëpunon me Republikën e Qipros në politikat e gazit dhe energjisë, duke përjashtuar Turqinë, nuk do të na ndihmojë të zgjidhim problemin".
Nga këndvështrimi i zyrtarëve qeveritarë nga Qiproja Veriore, të ardhurat nga gazi duhet të ndahen midis pjesës greke dhe turke, pasi të dyja pjesët janë trashëgimtare të pasurisë minerare në zonën e ishullit. Por Jugu e lidh këtë me kushtin që të bëhen përparime në negociatat e ribashkimit. Një kërkesë që në veri konsiderohet e padrejtë. Sipas Savaş Toksöz-it, politolog dhe udhheqës i Partisë Popullore të Qipros Veriore, Halkin Partisi, qeveria veriore është e hapur për bisedime me të dërguarit e SHBA-së për shfrytëzimin e gazit. Por këta duhet t'i koordinojnë interesat e tyre me aleatët në Ankara. "Si qipriotë turq ne përpiqemi t'i mbrojmë të drejtat tona dhe të qëndrojmë pas të drejtave tona, me ndihmën e Turqisë, por kjo nuk do të thotë se ne po mbyllemi ndaj SHBA-së, "thotë Toksöz." Qëndrimi i SHBA-së ndaj nesh varet nga marrëdhënia e saj me Turqinë. Sa më e mirë është ajo, aq më mirë për ne.
"Disa ekspertë besojnë se biznesi i gazit mund të ndihmojë madje edhe afrimin e qipriotëve grekë me ata turq dhe në zgjidhjen e konfliktit të tyre shumëvjeçar. Por Şener Levent është pesimist. Kryeredaktori i të përditshmes pro-opozitare të Qipros Veriore, "Afrika", madje, ka frikë se biznesi i gazit do të çojë në tensione të mëtejshme në ishull. "Ajo që unë kam frikë janë 40 000 ushtarë turq në Qipro të vendosur në zonën kufitare midis Veriut dhe Jugut". Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, mund t'i shtynte ata për provokim. "Dhe kjo më shqetëson më shumë," thotë gazetari.