060109 Gaza Ging
7 Janar 2009Drejtori i përfaqësisë së OKB-së në Gazë, Xhon Ging (John Ging), u shpreh të martën në lidhje me gjendjen në Rripin e Gazës. Ai tha se askush nuk është i sigurt atje.
Irlandezi Xhon Ging është që prej tre vjetësh drejtor i UNWRA-s në Rripin e Gazës, Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Përkrahjen e Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Afërme. Ai besonte se në këtë kohë i kishte përjetuar të gjitha. Tani qëndron para spitalit Shifa në Rripin e Gazës, ka folur me mjekë të rraskapitur sa më s'bëhet, dhe e zbraz zemërimin në programin anglisht të televizionit arab Al Xhazira: "Kush është përgjegjës për këta njerëz të pafajshëm që janë vrarë dhe plagosur? E dini, tani sundon ligji i armës dhe kjo duhet të ndalojë. Duhet që dhuna të marrë fund menjëherë."
Ai thotë se ka folur me mjekët në spitalin Shifa, se ka parë plagët e pacientëve, se mungojnë barnat dhe furnizimi. Që prej katër ditësh spitali nuk ka pasur më rrymë elektrike, thotë, dhe që atëherë të gjitha aparaturat punojnë me gjeneratorë, të cilët nuk janë ndërtuar për të punuar pa pushim.
Sulme në kampe refugjatësh
Drejtori i UNWRA-s indinjohet: "I bëj apel udhëheqjes politike këtu në Izrael, në rajon dhe në mbarë botën, që të veprojë më në fund dhe ta ndalojnë këtë. Është përgjegjësia e tyre, ata i marrin vendimet politike. Ky është rezultat i një dështimi politik dhe ata janë përgjegjës për të vrarët."
Pas fillimit të ofensivës tokësore të forcave izraelite UNWRA ka kthyer sa vjen e më shumë shkolla në kampe të përkohshme për ndërkohë më shumë se 13.000 vetë. Këta kanë gjetur strehë në shkollat e UNWRA-s nga frika prej luftimeve ose sepse nuk kanë më strehë.
Në Beit-Lahija në veri natën e së hënës u sulmua një kamp refugjatësh prej aviacionit ushtarak izraelit, tregon Xhon Ging: "Kemi mbi 600 të vrarë, mbi 2.500 të plagosur dhe numrat sa vjen e rriten. Kemi tragjedinë e natës së kaluar të tre vetëve që me 400 të tjerë morën arratinë nga Beit-Lahija dhe kërkuan strehë në shkollën e OKB-së. U dhamë strehë dhe tani ata kanë vdekur sepse shkolla u godit nga një raketë natën e kaluar kur po dilnin nga banjat. Në Gazë nuk je i sigurt asgjëkundi. Të gjithë këtu janë terrorizuar, janë traumatizuar; me të drejtë sepse këtu nuk ka strehë të sigurt. Nuk mund t'i ikësh kësaj dhune. As t'i ikësh nuk mundesh."