Gjendja e sigurisë në Irak kritike
1 Gusht 2009Pikërisht para një muaji irakianët festonin me gëzim të madh tërheqjen e ushtrisë amerikane nga qytetet e tyre të mëdha. Skeptikët llogarisnin me një kthim të dhunës në përmasa të mëdha. Kryeministri i Irakut Nuri al Maliki kundërshtoi ashpër: policia, ushtria dhe populli do të arrinin të pengonin ringjalljen e terrorit.
Realiteti flet me një tjetër gjuhë. Vazhdimisht sulme të rënda po trondisin përsëri vendin, para së gjithash kryeqytetin Bagdat. Të premten atentatorë të panjohur, në mënyrë të koordinuar, vunë në shenjë të paktën gjashtë xhami shiite, në kohën kur ato ishin të frekuentura mirë nga besimtarë për lutjen e së premtes. Numri i viktimave u rrit shpejt.
Forcat e sigurisë irakiane, 250 mijë ushtarë dhe 500 mijë policë duket se nuk janë në gjendje të garantojnë sigurinë e mjaftueshme pa mbështetjen e amerikanëve. Ata kanë ende 130 mijë ushtarë në Irak, por sipas marrëveshjes me Bagdatin qysh prej fillimit të muajit janë larguar nga jeta publike dhe deri në fund të vitit 2011 duhet të tërhiqen gradualisht.
Të enjten (31.07) banorë të Bagdatit u shprehën në një anketim të ARD-së të bindur, se forcat irakiane të sigurisë mund të mbrojnë më mirë se sa amerikanët.
"Natyrisht që ata mund të na mbrojnë. Tani është më mirë, ne mund të lëvizim të lirë", thotë një burrë. Ndërsa një tjetë qytetar irakian vëren: " Më parë thuhej: në qoftë se natën kishe një rast nevoje ose dikush ishte i sëmurë dhe duhej të dilje jashtë, atëherë kishte probleme me amerikanët. Tani me ushtrinë tonë situata është më e lehtë".
Kritika të ashpra ka në drejtim të menaxhimit shtetëtor të sigurisë pas atentatit të së premtes (31.7) një dëshmitar okular, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Pavarur të Lirë të Irakut, Ameer al-Kanani:
"Trupat tona nuk janë stërvitur si duhet dhe pas shpërthimit ata ishin tërësisht të hutuar. Ata duhet të bllokonin zonën përreth xhamisë dhe të nxirrnin prej saj viktimat. Në vend të kësaj policia qëlloi kundër besimtarëve".
Situata kritike në shumë provinca irakiane nuk del në pah vetëm pas sulmeve të fundit. Qysh në muajin qershor, para tërheqjes së amerikanëve numri i viktimave u rrit në 437. Në korrik ai nuk nuk është ulur thuajse fare.
Më shumë se gjashtë vjet pas hyrjes në Irak të trupave të të ashtuquajturit "Koalicioni i të Vullnetshmëve", në të cilin merrnin pjesë 38 kombe, në vend kanë mbetur vetëm ushtaët e SHBA-së. Sot janë tërhequr nga Iraku edhe aleatët më të ngushtë të amerikanëve, britanikët. Sidoqoftë mund të njoftohet për një sukses të policisë irakiane. Ata arritën të arrestojnë tri grabitës të dyshuar, të cilë ditën e martë sulmuan një bankë, ku qëlluan tetë rojet dhe vodhën mes katër dhe shtatë milionë dollarëve.
Sipas të dhënave të policisë thasët me para u gjetën në një shtëpi afër bankës. Rasti tregon dy gjëra: së pari, Irakut i duhet të luftojë jo vetëm me terroristët, përkundrazi edhe me dhunën kriminale. Së dyti, parashikimi për sigurimë në Irak nuk është i mirë:shtëpia në të cilën u gjendën paratë, i përkiste një ushtari irakian.
Autor: Ulrich Leidholdt / Eliana Xhani
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi