100511 Libyen Lage
11 Maj 2011Pamja zyrtare e sulmeve të natës së shkuar (09.05.) është një klinikë speciale, dritaret e së cilës u shkatërruan. Krevate bosh, disa njolla gjaku u tregohen përfaqësuesve të shtypit ndërkombëtar. Copat e xhamit kanë plagosur fëmijë, thuhet. Se ku ka rënë bomba, kjo në fakt është e paqartë. Pas mesnatës, qytetin e tronditën disa shpërthime, ky ishte me siguri sulmi më masiv që prej fillimit të angazhimit të aleatëve në Libi. Një godinë që i ka shërbyer më parë shërbimit të fshehtë gjithashtu u godit, bëhet e ditur, së bashku me institucione administrative. Shifra për viktima nuk bëhen të ditura. Kryengritësit flasin për suksese nga Perëndimi dhe Lindja e vendit.
"Ne presim vetëm gjëra të mira. Ne do të avancojmë, kemi njerëzit tanë, një ushtri, me ndihmën e Zotit pas pak ditësh ne do të jemi në al Brega dhe do të dërgojmë që atje fotografi", thotë ky luftëtar.
Në rrugën bregdetare midis Bengasit dhe Tripolisit, kryengritësit dhe milicët e Gaddafit ka javë që qëndrojnë përballë njëri-tjetrit. Trupat e NATO-s kanë ndërhyrë herë pas here nga ajri. Ata u kërkuan para pak kohësh kryengritësve që të qendrojnë larg rrugës kryesore, që të mos goditen pa dashur. Pas disa aksioneve të suksesshme, kryengritësit që prej së hënës e kanë rifituar guximin:
"Gjendja shpirtërore e milicëve të Gaddafit është e keqe, ata janë të rraskapitur fizikisht dhe shpirtërisht. Gjendja e tyre është për të ardhur keq."
Edhe më tej në Perëndim, në Misrata, revolucionarët thonë se i kanë sprapsur trupat e Gaddafit. Për popullsinë e qytetit port të rrethuar megjithatë ky nuk është shkak për t'u gëzuar.
Koordinatorja e OKB-së për Ndihmat Emergjente, Valerie Amos tha të hënën (09.05.) para Këshillit të Sigurimit në Nju Jork:
"Shqetësimi ynë më i madh është për njerëzit që jetojnë në zonat e luftimit të Libisë. Në radhë të parë këtu ia vlen të përmendet Misrata, kundër së cilës hapet zjarr që prej dy muajsh. Ende ka rezerva, por disa njerëz atje kanë shumë pak ushqime dhe ujë."
Amos kërkoi një armëpushim dhe i bëri thirrje KS të OKB-së që të kërkojë nga të gjitha palët respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e civilëve.
"Informacione për bomba dispersive, mina në tokë dhe në ujë dhe për viktima të sulmeve ajrore tregojnë se gjendja shpirtërore dhe trupore e civilëve shpërfillet në mënyrën më të pamëshirshme. Flitet për dhunë seksuale dhe për përdhunime. Ne mendojmë gjithashtu se fëmijët rrëmbehen dhe kthehen në luftëtarë, sepse bëhet fjalë për rrëmbime."
Jo vetëm qindra mijëra punëtorë mysafirë, por edhe gjithnjë e më shumë libianë po marrin arratinë nga dhuna nw vend. Kjo vërehet ditët e fundit në malet në jugperëndim të Tripolit, ku janë intensifikuar luftimet ditët e fundit.
Autor: Esther Saoub/Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama