Gjermani: Racizmi dhe Corona shtojnë diskriminimin
11 Maj 2021Virusi Corona e vë Gjermaninë para një sprove të vështirë. Prej kohësh pandemia është kthyer në një simbol për kaosin administrativ dhe konfuzionin politik. Në një kohë që populli lëkundet mes gjendjes së vështirë shpirtërore, dëshpërimit dhe shpresës për suksesin e shpejtë të vaksinës, virusi ka nxjerrë në pah në mënyrë të pamëshirshme problemet shoqërore, madje ai edhe i ka shtuar ato, si psh diskriminimin. Zyra kundër Diskriminimit e Federatës e shikon pandeminë si nxitëse të përjashtimeve në shoqëri apo diskriminimit. Tendenca negative e viteve të fundit është shtuar më shumë. Në vitin 2020 është rritur numri i përgjithshëm i kërkesave për konsultime ligjore krahasuar me vitin e kaluar është rritur nga 3580 në 6383 raste. Në raportin vjetor thuhet se kërkesat për ndihmë për shkak të diskriminimit "për arsye të prejardhjes, apo arsye raciste" janë shtuar me 2101 raste. Çdo e treta kërkesë për konsultë ligjore për diskriminim lidhej me diskriminimin në kërkimin e banesës, denigrimit racist apo në kërkimin e vendit të punës, thuhet në raport.
Edhe pandemia i ka shtuar rastet e diskriminimit. 1904 herë janë drejtuar ankesa tek Zyra kundër Diskriminimit, se në lidhje me Coronën njerëzit kanë ndjerë diskriminim për shkak të gjinisë, fesë, botëkuptimit, apo identitetit seksual. Drejtuesi i përkohshëm i Zyrës kundër Diskriminimit, Bernhard Franke në prezantimin e të dhënave në Berlin tha se është racizmi, ai që u merr njerëzve dinjitetin, dhe "që e përçan shoqërinë tonë." Sipas Franke, kush përjeton racizmin dhe shikon se ai mbetet pa pasoja, "tek ai tronditet kuptueshëm besimi bazë në mbrojtjen dhe solidaritetin e shtetit dhe shoqërisë."
Fëmijët "nxitës të pandemisë"
Në raportin vjetor përmenden raste ilustruese të diskriminimit në bazë të përjetimeve të të prekurve. "Franziska S. shkon me dy fëmijët në një qendër tregtare ndërtimi. Fëmijet janë 7 dhe 9 vjeç dhe nuk shkojnë dot në shkollë për shkak të pandemisë. Në hyrje të qendrës tregtare nënës i thuhet, se fëmijët nuk duhet të hyjnë në qendër, sepse tek ata bëhet fjalë për 'nxitës të veçantë të pandemisë'".
Në Zyrën kundër Diskriminimit ka pasur periudha në vitin e pandemisë ku linjat telefonike ishin të mbingarkuara, për shkak të kërkesave për këshillim ligjor, thonë autoritetet. Drejtoresha e Shoqatës kundër Diskriminimit, Eva Andrades në bisedë me Deutsche Wellen shprehet, se shohim nevojën në rritje për këshillim në disa organizata anëtare, pasi shumë prej këtyre organizatave nuk ia dalin dot t'u përgjigjen të gjitha kërkesave. Përmes protestave kundër racizmit dhe debatit publik, tema e diskriminimit është bërë më e dukshme, thotë ajo. "Në një farë mënyre kjo ka dhënë një shtysë që më shumë njerëz të kontaktojnë qendrat e këshillimit. Ndoshta sepse shumë më tepër vetë e dinë, se ka një ligj që të mbron nga racizmi dhe diskriminimi."