090611 NATO Verteidigungsminister Libyen
9 Qershor 2011Brenda NATO-s qeveria gjermane po bie nën trysni. Gjatë takimit të aleancës në Bruksel ministri i jashtëm amerikan, Robert Gates, i bëri thirrje Gjermanisë dhe Polonisë të marrin pjesë në misionin në Libi. Veç kësaj, ai kërkoi nga Spanja, Turqia dhe Holanda të shqyrtojnë zgjerimin e angazhimit të tyre. Këto vende vënë në fakt në dispozicion avionë dhe armatime, por nuk marrin pjesë në sulme. Vetëm pak anëtarë të NATO-s po e mbajnë mbi supe barrën e misionit, kritikoi Gates sipas të dhënave nga qarqet diplomatike.
Me gjithë kritikën Gjermania mbetet në qëndrimin e vet
Ministri i Mbrojtjes de Maiziere: "Ne i mbështesim synimet dhe masat e NATO-s. Në këtë rast nuk marrim pjesë ushtarakisht, kjo nuk ndryshon."
NATO kërkon me shumë angazhim nga anëtarët e saj
Edhe Britania e Madhe dhe Franca shtyjnë drejt zgjerimit të angazhimit. Ato kontribuojnë me numrin më të madh të avionëve në misionin "Unified protector". Skuadrat janë mjaft të ngarkuara, thuhet, dhe fluturimet po gllabërojnë shumë para.Megjithatë, qeveria gjermane është e gatshme vetëm pas përfundimit të luftimeve që të japë mbështetje financiare në Libi, bëri të qartë de Maizière: "Ne jemi të gatshëm, të marrim përsipër përgjegjësi në fazën pas konfliktit. Këtu bën pjesë ndërtimi i institucioneve, sigurisht edhe ndërtimi i forcave të sigurisë, veçanërisht i policisë, ndërtimi i infrastrukturës, furnizimi me ujë dhe gjëra të ngjashme."
NATO nuk do të marrë pjesë si aleancë ushtarake në rindërtim
Ministrat e mbrojtjes vendosën, që Libinë ta mbështesin Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kur të jetë mënjanuar regjimi i Gaddafit.
Që prej fillimit të operacionit në Libi, avionët e NATO-s kanë kryer 10.000 misione fluturimi. Me anë të helikopterëve luftarakë, aleanca synon ta rrisë edhe më shumë trysninë.
Autor: Christoph Prëssl/Elert Ajazaj
Redaktoi: Angjelina Verbica