Gjykata e Hagës: Politika e Izraelit është e paligjshme
20 Korrik 2024"Prania e vazhdueshme eIzraelit në territoret e pushtuara palestineze është e paligjshme," - ky është gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë. Kësaj gjendjeje duhet t'i jepet fund sa më shpejt të jetë e mundur, theksoi GJND në raportin e saj. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e kishte ngarkuar Gjykatën për të vlerësuar situatën në dhjetor të vitit 2022 - domethënë para ngjarjeve të 7 tetorit 2023 dhe luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas të dhënave izraelite gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit 2023 militantët islamikë Hamas vranë rreth 1200 vetë dhe rrëmbyen e morën si pengje në Rripin e Gazës më shumë se 250 vetë. Sipas informacioneve të paverifikueshme nga Enti Shëndetësor i Hamasit lufta e mëvonshme e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës u ka kushtuar deri tani jetën më shumë se 38,000 vetëve.
Gjykim për politikën izraelite që nga viti 1967
Sikurse shpjegoi kryetari i trupit gjykues Nawaf Salam gjatë leximit të vlerësimit të gjykatës, që zgjati pak më shumë se një orë, këto ngjarje nuk kanë luajtur asnjë rol në vlerësimin e GJND-së për situatën ligjore.
Përkundrazi vlerësimi lidhej me praktikën e politikës izraelite në territoret e pushtuara palestineze, e cila vazhdon që nga Lufta Gjashtëditore e vitit 1967. Rezoluta mbi të cilën bazohet raporti i GJND-së përmend shprehimisht Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor si dhe Rripin e Gazës dhe kushtet e jetesës atje.
GJND-ja deklaroi gjithashtu se Izraeli duhet të ndalojë menjëherë të gjitha aktivitetet që lidhen me vendbanimet e kolonëve hebrej dhe t'i evakuojë të gjithë kolonët nga ato zona. Sipas agjencisë gjermane të shtypit numri i kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor është 700,000.
Në vitin 2016 në Rezolutën 2334 Këshilli i Sigurimit i OKB-së i quajti këto vendbanime si "shkelje flagrante” të së drejtës ndërkombëtare dhe i bëri thirrje Izraelit që të ndalojë menjëherë të gjitha aktivitetet që lidhen me to.
Gjykim "monumental"
Edhe pse vlerësimi i GJND-së nuk ka fuqi ligjërore detyruese, Stefan Talmon, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Bonit, e konsideron atë si "monumental" sepse GJND-ja ka vërtetuar plotësisht se të gjitha masat dhe veprimet e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze të shqyrtuara nga gjykata janë të paligjshme.
Pas publikimit të raportit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e hodhi poshtë vlerësimin dhe sinjalizoi se vendi i tij nuk do t'i përmbahet atij. Netanyahu shkroi në platformën online X "raport absurd nga Haga”. Zyra e presidentit të Autoritetit Palestinez Mahmoud Abas tha se ky ishte një vendim "historik" që Izraeli është "i detyruar" ta zbatojë, njofton agjencia e lajmeve AFP.
Sipas GJND-së tani Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mund të vendosë se çfarë do të bëjë me gjykimin e saj. Gjithësesi GJND-ja mendon se gjykimi i saj do të ketë "peshë të madhe ligjore dhe autoritet moral" dhe mund të rrisë presionin politik mbi Izraelin edhe lidhur me luftën në Gazë.
Gjykimi në fjalë nuk duhet të ngatërrohet me padinë e Afrikës së Jugut kundër Izraelit për shkeljen e Konventës së Gjenocidit, e cila është gjithashtu në pritje për t'u gjykuar në GJND. Izraeli i hedh poshtë akuzat.